Dëmi që Ilir Meta i ka shkaktuar Presidencës është i pariparueshëm, sipas Mero Bazes. Në një intervistë për gazetarin Erion Habilaj të voxnews.al, ai thotë se kushdo që ta pasojë nuk mund ta rikuperojë atë që ka bërë Meta.
Sa i takon situatës brenda Partisë Demokratike, analisti dhe botuesi i gazetës TEMA mendon se qëndrimi amerikan kundër Berishës nuk synon emra, por është parimor dhe në mbrojtje të demokracisë. Ai kërkon që opozitarizmi të çlirohet nga Berisha, qoftë kjo me koston e shkrirjes së PD.
Për SPAK nuk habitet pse po heton e arreston vetëm majtas, por Baze shpreh habi se pse nuk ka vepruar ende ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Nuk po flas për fantazi, por për prova konkrete që ata i kanë në dosje që i kanë mbyllur vet dhe që nuk guxojnë t’i prekin. Shkëlzen Berisha është kok e këmbë i arrestueshëm, që nga dosja e CEZ, tek Gërdeci e deri tek historitë e pronave. Ja kanë mbyllur dosjet. Sali Berisha ende nuk është marrë në pyetje pse vrau më 21 Janar dhe si zhduku provat e vet deklaruara prej tij se ekzistonin. Ilir Metës i sillen vërdalle me dosjen e CEZ dhe bëjnë sikur hetojnë”, thotë Mero Baze.
Jemi në ditët kur mazhoranca ka nisur procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në gjykimin tuaj si duhet të jetë kreu i ri i Shtetit?
Mero Baze: Nuk ka ndonjë identikit të njeriut më të kërkuar për momentin në Shqipëri, por kemi disa modele se si nuk duhet të jetë. Mjafton të mos jetë minues i demokracisë dhe hajdut si Sali Berisha, anormal si ilir Meta, apo të mos jetë qesharak si Bujar Nishani.
Pastaj do të ishte fat nëse do të ishte një figurë përfaqësuese e shoqërisë që mund t’i jap kredibilitetin moral të dëmtuar atij institucioni. Shqipëria ka plot të tillë, por parcelat ku mbinë dhe jetojnë politikanët tanë është tokë shterp për vlerat e Shqipërisë. Nuk mbijnë në të njëjtin vend edhe ferrat edhe lisat.
Përse ky proces duket se po merr trajta qesharake, kur disa figura periferike dhe disa të tjerë delirantë, kanë shprehur dëshirën për t’u bërë President?
Mero Baze: Pas përpjekjeve për ta bërë qesharak procesin qëndron dyshja Meta-Berisha, ngaqë janë të pashpresa nga ky proces. Por nuk jemi ende tek momenti që procesi po bëhet qesharak. Kemi kandidatura qesharake. Procesi mund të bëhet qesharak nëse dikush prej tyre përfundon president.
Ju keni qenë kritik ndaj Presidencës së Ilir Metës, përse dhe a keni ju një emër që do të bënte të harrohej presidenca e Ilir Metës?
Mero Baze: Të thuash kritik ndaj Ilir Metës si president, është ta lavdërosh. Ilir Meta ka rrënuar juridikisht, moralisht, intelektualisht dhe institucionalisht zyrën e presidentit të Republikës. Ai ka prodhuar një President arbitrar, skandaloz, shoqërisht të rrezikshëm dhe qesharak njëkohësisht. Edhe sikur të sjellim President Biden, ajo që i ka bërë Ilir Meta institucionit të presidentit nuk do harrohet kurrë dhe mirë është të mos harrohet se harresa i përsërit marrëzitë.
Në kampin e opozitës situata është shumë e paqartë. Berisha ka fituar terren dhe po e merr drejtimin e PD-së. A mund të themi se SHBA dhe Ambasada Amerikane gaboi me strategjinë që ndoqi ndaj tij apo ishte e gabuar strategjia e Lulzim Bashës?
Mero Baze: Sali Berisha nuk ka fituar asgjë. Ai ka ata mbështetës që ka pasur brenda PD, mbështetjen e të cilëve ja kishte deleguar Lulzim Bashës. Kur ai e braktisi thjesht i hoqi mbështetësit dhe tani po i mban si taleban pas vetes për t’u mbrojtur nga SHBA. SHBA nuk ka ndonjë strategji personale kundër Sali Berishës dhe kujtdo tjetër si ai. SHBA ka parime dhe standarde të cilat garantojnë demokracinë dhe shtetin ligjor.
Kush i prek ato parime sanksionohet. Sali Berisha është nga politikanët e pakët në botë, për të cilin SHBA ka shpjeguar përse është nën sanksione. Është si minues i demokracisë, si shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe si i akuzuar për korrupsion domethënës vet dhe familjarët e tij.
Nëse në një vend ky cilësim i argumentuar nga institucioni më dinjitoz në botë për të certifikuar standardet e demokracisë, siç është Departamenti i Shtetit, shërben si motiv për të mbështetur një hajdut dhe minues të demokracisë, atëherë problemi nuk është tek SHBA por tek ne.
Por dhe ky është iluzion që përpiqet të përhap Berisha. Është e qartë që atë më shumë e mërzitin ato qe shpall si fitore se sa ndëshkimi. Berisha është i dënuar i përjetshëm dhe e vetmja fitore për një të dënuar të përjetshëm është vdekja. Ajo e qetëson.
Cila janë rrugët për ta nxjerrë Berishën nga politika?
Mero Baze: Sali Berisha ka dalë nga politika. Ai nuk merr dot më vendime për këtë vend. Nuk merr dot peng më Shqipërinë. Ai ka marr peng një tufë talibanësh brenda PD, të cilët i gënjeu se po luftonin Lulzim Bashën por në fakt i përdori pikërisht për të sfiduar SHBA.
Berisha duhet injoruar dhe duhet ndihmuar PD, duhet ndihmuar çdo kush në PD që është i qartë së pari si antiberishë. Ideologjia e vetme që shpëton PD është antiberishizmi.
Ajo është reforma që ka nevojë të ndryshoj atë parti dhe të nxjerrë në dritë emra dhe personalitete të reja dhe ky proces duket se ka filluar. Berisha nuk po merr dot Grupin Parlamentar edhe përkundër shantazheve të tij. Nuk po duron dot të bëj zgjedhje të lira në PD, por po vrapon të emëroj njerëz besnik, nuk duron dot të pres një vendim gjykate por po bën vetëgjyqësi. Është thjesht njeri në alarm.
A mendoni se ka ardhur fundi politik i Partisë Demokratike dhe sa shanse ka dalja e një opozite të re për të tentuar largimin e PS-së nga pushteti?
Mero Baze: Nuk është ndonjë tragjedi që Partia Demokratike të vdesë bashkë me Berishën, nëse ja lejon vetes këtë, por opozita nuk do të vdes kurrë. Ajo mund të bëhet e fort me PD, por akoma më e fort nëse PD e merr me vete Berisha.
Zoti Baze, nga ana tjetër kemi një mazhorancë ka hyrë në mandatin e tretë të qeverisjes dhe mes shumë punëve që ka bërë ka pasur edhe shumë skandale, që ndoshta në vend tjetër dhe me opozitë tjetër nuk do të kishte mundësinë të qëndronte në pushtet. Si e vlerësoni ju qeverisjen e Ramës?
Mero Baze: Qeverisja e Edi Ramës ka krijuar një frymë më urbane në vend, e ka bërë vendin më të jetueshëm dhe më të vizitueshëm ka kapur shifra të larta të ardhurash nga turizmi dhe ka një bum në industrinë e ndërtimit.
Nga ana tjetër ka një qeverisje pa shumë prioritete dhe pa shumë dhembshuri për paret e harxhuara, vende-vende pa nevojë, e në vende të tjera pa kriter. Ndërtimi i rrugëve prej vitit 2013, nuk ka një strategji sa i përket radhës dhe rëndësisë, sektorë jetikë si bujqësia, e cila vjen menjëherë pas turizmit është drejtuar gjithë kohën pa një strategji reale, por me teza seminaresh, ndërsa histori si ajo e inceneratorëve, tregojnë se si një nevojë jetike, mund të degradojë në një problem mbijetese për qeverinë, kur përzgjidhen aktorë të dyshimte si partnerë dhe kur arroganca në qeverisje përfundon në korrupsion.
Por përtej kësaj nuk mendoj se qeverisja Rama qëndron në pushtet se nuk ka opozitë. Ka pasur për 8 vite opozita shumë të egër, por ai ka mbijetuar. Por ky vend nuk ka nevojë për mbijetesën e shumicës më shumë se sa për jetesën normale të qytetarëve.
Deri tani SPAK ka goditur disa figura në kampin e majtë dhe nuk kemi asnjë rast për ish-ministra apo kryeministra të së djathtës. Keni vënë re një lloj anësie në punën e SPAK?
Mero Baze: Nuk jam shumë i shqetësuar pse SPAK ka goditur majtas, por pse SPAK nuk ka goditur dy figurat kryesore të krimit në Shqipëri Sali Berishën dhe familjarët e tij dhe rrethin e Ilir Metës. Nuk po flas për fantazi, por për prova konkrete që ata i kanë në dosje që i kanë mbyllur vet dhe që nuk guxojnë t’i prekin.
Shkëlzen Berisha është kok e këmbë i arrestueshëm, që nga dosja e CEZ, tek Gërdeci e deri tek historitë e pronave. Ja kanë mbyllur dosjet. Sali Berisha ende nuk është marrë në pyetje pse vrau më 21 Janar dhe si zhduku provat e vet deklaruara prej tij se ekzistonin. Ilir Metës i sillen vërdalle me dosjen e CEZ dhe bëjnë sikur hetojnë.
Fatmir Mediu është ringjallur dhe kërkon ta na propozoj dhe Presidentin, ndërkohë që duhet të ishte me pranga në duar. Kjo tregon se ata janë ende një institucion që i trembet klanit Berisha Meta . Kjo është e rënd. Sa i takon faktit që nuk i tremben Edi Ramës dhe të majtës kjo është pozitive për të majtën, jo për ata.
/a.r