Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh sot se nuk mund të heshtë përballë cënimeve të shtetit të së drejtës në Poloni, duke iu referuar reformës gjyqësore mjaft të diskutueshme ku Komisioni Evropian ka bërë kërkesë për rishikim.
“Shteti i së drejtës në Poloni është një çështje serioze. Megjithë dëshirën tonë për të patur marrëdhënie të mira, raporte të mira me Poloninë, me fqinjin tonë nuk mundemi thjesht të heshtim, duke mos thënë asnjë për të ruajtur një marrëdhënie miqësie”, pohoi Merkel gjatë një konference shtypi.
“Parimet e shtetit të së drejtës janë themeli i bashkëpunimit të Bashkimit Evropian, dhe deklaratat e bëra nga Komisioni Evropian për këtë çështje, unë i marr mjaft seriozisht”, u shpreh ajo me rastin e konferencës vjetore për shtyp.
Komisioni kërcënoi se do të aktivizojë nenin 7 të traktatit të BE nëse Polonia do të mbajë të pandryshuara reformat e saj. Kjo procedurë e pazakontë mund të përfundojë me një pezullim të të drejtave të votës së një shteti brenda Këshillit të Bashkimit Evropian, një organ që bën bashkë 28 shtetet anëtare./b.d










