Parashikimet e Financave kanë çaluar edhe për muajin shtator, në krahasim me realizimin faktik në mbledhjen e taksave. 7 miliardë lekë është deficiti i mbledhjes së të ardhurave në Tatime dhe Dogana për periudhën janar-shtator.
Kësisoj, edhe pas aksionit kundër informalitetit, vendosjes së dënimit me burg për evazorët, tre muaj para mbylljes së vitit buxhetor financat shënojnë deficit në arkëtimin e të ardhurave. Ky deficit vjen edhe pas rishikimit të planit 9-mujor për mbledhjen e të ardhurave. Financat pranojnë se problematike në mbledhjen e të ardhurave janë Doganat, ku siç duket problemet shfaqen në zhdoganimin e mallrave të akcizës.
Me rritjen e ndjeshme të akcizave, në linjë me vendet e tjera europiane, edhe të hyrat nga ky zë në buxhet priteshin të rriteshin ndjeshëm. Në paketën e fundit fiskale u rritën akcizat për një sërë produktesh, si nafta, kafeja, birra, ndërkohë që për herë të parë u vendos edhe akciza për pijet energjike. Duke iu referuar të dhënave të 8-mujorit në zhdoganimin e mallrave të akcizës, pati një mosrealizim në vlerën e 89 milionë lekëve kundrejt planit të përcaktuar./Respublica/