E përditshmja serbe “Vecernje Novosti” ka publikuar një artikull ku thuhet se në draftin e platformës për kapitullin 35, për anëtarësimin e Serbisë në BE, kusht është që Serbia duhet të heq dorë nga të gjitha elementet e shtetësisë në Kosovë.
Megjithatë, sipas gjetjeve të gazetës beogradase, edhe pse Serbia nuk do të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës, një kurth tjetër që po përgatitet është që shteti serb të përcaktojë kufijtë shtetëror me Kosovën, që do të thotë se Serbia duhet të heq dorë nga Kosova si njësi territoriale e saj, transmeton Indeksonline.
Sipas medias serbe, versioni aktual i dokumentit, që deri tash është ruajtur në kabinetin e komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, dhe është bërë me udhëzimet e shteteve të Kuintit, vet kryeministri serb Aleksandar Vuçiq e ka quajtur “të tmerrshëm”, në një masë të madhe kopjon marrëveshjen midis dy Gjermanive, dy shtete tërësisht të pavarura që nuk e njohin njëra-tjetrën formalisht.
Sipas Komisionit Evropian, Serbia është duke kërkuar mënyrë për t’u pajtuar me çdo gjë, që nga neni 14 i Marrëveshjes së Brukselit, i cili qartëson se “të dyja palët duhet të angazhohen që të mos e bllokojnë njëra-tjetrën, apo inkurajojnë të tjerët që të bllokojnë integrimin evropian të ndonjërës prej palëve.”