Situata e krijuar në Ukrainë pas 24 shkurtit ka nxitur rivlerësimin e më shumë se një dekade përpjekje franceze dhe gjermane për t’u angazhuar me Putin, forcat e të cilit tani akuzohen për kryerjen e krimeve të tmerrshme të luftës në Ukrainë.
France 24 analizon me kujdes në këtë pikë mesazhin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vetëm disa orë pasi u zbulua përmasa e tragjedisë së Bucha-s.
Mesazhi i Zelensky-t u drejtohej në mënyrë të veçantë ish-liderëve të Gjermanisë dhe Francës, Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy, të cilët i akuzoi se i mohuan Ukrainës pranimin në NATO.
“E ftoj zonjën Merkel dhe z. Sarkozy të vizitojnë Bucha-n dhe të shohin se në çfarë ka çuar politika e lëshimeve ndaj Rusisë në 14 vjet“, tha Zelensky.
“Shihni me sytë tuaj ukrainasit e torturuar dhe të vrarë,” shtoi ai.
Zelensky i referohet samitit të NATO-s të vitit 2008 në Bukuresht, kur aleanca transatlantike i ofroi Gjeorgjisë dhe Ukrainës një premtim për anëtarësim në të ardhmen, por pa një plan kohor – një kompromis që, sipas Zelensky-t, e la Ukrainën në një “zonë gri” dhe të ekspozuar ndaj agresionit rus.
“Ata menduan se duke refuzuar Ukrainën, mund ta qetësojnë Rusinë, për ta bindur atë të respektojë Ukrainën dhe të jetojë normalisht përkrah nesh”, tha ai në fjalimin e tij video, duke akuzuar anëtarët e NATO-s se po vepronin “nga frika” e Kremlinit.
Në vitin 2008, Franca dhe Gjermania thanë se ishte shumë herët që Ukraina dhe Gjeorgjia të anëtarësoheshin në NATO, duke argumentuar se asnjëri nga vendet nuk ishte gati. Ata paralajmëruan gjithashtu se futja në ish-Republikat Sovjetike do të komprometonte marrëdhëniet me Rusinë, duke i bërë jehonë paralajmërimeve të shprehura nga diplomatët amerikanë që kërkonin ta bindnin Shtëpinë e Bardhë të shmangte një rruge konkrete drejt anëtarësimit.
Megjithatë, është e vështirë të thuhet se nëse do të kishte një plan anëtarësimi për Ukrainën, do të kishte mjaftuar për të dekurajuar Putinin. Kjo për shkak edhe të kohës që kërkojnë procedurat e anëtarësimit.
Në këtë pikë, Perëndimi dhe Putin lëvizin me shpejtësi të ndryshme. Mjafton të kujtohet sërish viti 2008, kur Putin, vetëm 4 muaj pas samitit të Bukureshtit, dërgoi tanket e tij në Gjeorgji në mbështetje të separatistëve pro-rusë në provincat separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Të njëjtën gjë bëri gjashtë vjet më vonë në rajonin e Donbasit të Ukrainës, duke hedhur një hap më tej me aneksimin e Krimesë.
Secili prej inkursioneve të Putin ka marrë përgjigje ambivalente nga liderët europianë, mes retorikës së ashpër dhe sanksioneve dhe përpjekjeve për t’u zbutur më pas. Ndërsa Ukraina tani është në grahmat e një lufte katastrofike, ata liderë akuzohen se e kanë trimëruar presidentin rus dhe i kanë mbyllur sytë para ambicieve të tij imperialiste.
“Evropa nuk gaboi, gabuan Gjermania dhe Franca”, thotë Thomas Kleine-Brockhoff, nënkryetar i fondit gjerman Marshall dhe kreu i zyrës së tij në Berlin, në një intervistë për FRANCE 24.
“Franca dhe Gjermania priren të flasin për pjesën tjetër të Evropës. Por këto keqvlerësime janë bërë në Paris dhe Berlin, jo gjetkë. Evropa Lindore nuk gaboi, Evropa Veriore nuk gaboi”, shtoi ai.
Kleine-Brockhoff thotë se lufta në Ukrainë kërkon një rivlerësim urgjent të politikës gjermane dhe franceze kundrejt Rusisë.
Jo vetëm që rendi i pas Luftës së Ftohtë po shkatërrohet para syve tanë, po ashtu edhe strategjitë e vendosura nga Gjermania dhe Franca.
Në Gjermani, ndërhyrja ushtarake në Ukrainë po shihet si hije mbi trashëgiminë e lënë nga Merkel pas 16 vitesh në krye të qeverisë.
Kritikat vijnë edhe prej ndihmësve më të afërt të Merkelit, përfshirë ish-ministren e saj të Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila ka dënuar “dështimin historik” të Gjermanisë për të forcuar ushtrinë e saj gjatë viteve. “Pas Gjeorgjisë, Krimesë dhe Donbasit, ne nuk kemi përgatitur asgjë që do ta kishte frenuar vërtet Putinin”, shkroi ajo në Tuiter në mars.
Edhe roli i Macron shihet me sy kritik. Sipas Kleine-Brockhoff, iluzionet rreth natyrës së liderit të Rusisë dhe aftësisë së Evropës për të arsyetuar me të, kanë bërë që Macron të angazhohet me Putinin për një kohë më të gjatë se sa është e garantuar.
Përpjekja për të parandaluar luftën dhe për të angazhuar rusët nuk është për t’u kritikuar – ajo që duhet kritikuar janë ambiciet e larta, në vend të një vlerësimi më real të asaj që është e mundur
Ekspertët vlerësojnë dialogun për aq sa Rusia do të mbetet fqinji i Evropës dhe i Ukrainës, por duhet fokus te objektivat.
Macron nuk është përpjekur të ndikojë më shumë te asnjë lider tjetër sesa te presidenti rus, të cilin ai e priti në një pritje madhështore në Pallatin e Versajës në maj 2017, vetëm dy javë pas marrjes së detyrës. Ai priti përsëri Putinin dy vjet më vonë, këtë herë në Fort de Brégançon, rezidenca veror i presidentëve francezë. “Një Rusi që i kthen shpinën Evropës nuk është në interesin tonë,” tha Macron në atë kohë, një vit pasi ai festoi fitoren e Francës në Kupën e Botës në një pozicion VIP në Moskë me ftesë të Putinit – një ngjarje që zyrtarë të tjerë perëndimorë e kishin shmangur për shkak të helmimit të agjentit Skripal në Londër./ Respublika/
Europa dhe sidomos Gjermania dhe Franca jane e para ne marredhenie te ngushte tregtare dhe e dyta ne marredhenie te ngushte aleate historike dhe strategjike. Ne kete kontekst i kane dhene dore te lire te gjithe sllaveve, sidomos ruseve dhe serbeve duke marre territore qe nuk i takojne dhe te zgjerohen ne Europe. Prit se nuk keni pare gje akoma. Sepse do ju vijne sllavet ne dere. Dyndja sllave vertete ka filluar ne shekullin IV-V por nuk ka mbaruar ende. Sllavet duan te dalin ne Atlantik. Varet vetem nga ju europiane, France, Gjermani, Itali, Britani etj., qe ta ruani Europen nga sllavet apo tua leshoni atyre.