Nga Mero Baze
Lulzim Basha po përpiqet t’i ikë shpjegimeve mbi rolin e tij si faktmbledhës në hetimin e atyre që quheshin kampe torturash të UÇK në territor të Shqipërisë. Debati i riçelur për shkak të gjykimit të udhëheqësve kryesorë të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë, i ka dhënë shkas shumicës të bombardojë përditë ish- të punësuarin e një projekti të Tribunalit të Hagës në Kosovë, Lulzim Basha, për të dëshmuar për ish- punën e tij.
Kjo e ka kompleksuar kryetarin e Partisë Demokratike në opozitë dhe ai vetë i ka hedhur zjarr benzinës, me kulturën e tij për të mos sqaruar asnjë akuzë, sa herë gjendet përballë tyre.
Po e them që në fillim se nuk besoj se Lulzim Basha ka rol vendimtar në ngritjen e mitit të gënjeshtërt, për “Shtëpinë e Verdhë”, apo kampet e torturave, edhe nëse ai ka shoqëruar aty eprorët e tij për të gjetur prova. Dhe kur e them këtë, kam parasysh parëndësinë e detyrës që kishte Lulzim Basha, dhe jo ndjenjat e tij “patriotike”, siç mburret ai, apo ndjenjat “antishqiptare”, siç akuzohet.
Lulzim Basha ka qenë i punësuar për të ndjekur verifikimin e fakteve për kampet e torturave, apo “Shtëpinë e Verdhë”, siç ka qenë i ngarkuar dhe për detyra të tjera në terren.
Por problemi i tij dhe i fëmijëve të Berishës, që punonin me të, ishte se donin ta frynin dhe ta rrisnin rëndësinë e punës së tyre banale në Kosovë, për të gënjyer në Shqipëri për interesa politike.
Në email-in tim përshembull, është dosja në ngarkim të Ramush Haradinajt dhe dy ndihmësve të tij qysh në mars të vitit 2003, nga një emal dasaret..@, që ma kishte nisur Jamarbër Malltezi.
Në fakt Ramushi u arrestua një vit më pas për këtë dosje. Kjo tregon se ata trafikonin informacion apo donin të rrisnin rëndësinë e tyre për punët e rëndomta në Kosovë.
Ndaj sot Lulzim Basha ka një problem serioz me identitetin e tij. Ai nuk ballfaqohet dot me të shkuarën e tij në asnjë rast, për shkak se ai ka kulturën e të gënjyerit për çdo gjë që ka bërë. E ka bërë këtë më 2007 me “Rrugën e Kombit”, e ka bërë më 2011 me 21 janarin, e ka bërë me zgjedhejt në Tiranë etj.
Por rasti në fjalë është shumë i ndjeshëm, për shkak të rëndësisë që ai i ka dhënë vetes, kur erdhi e na gënjeu në emër të KOP.
Kur erdhi më 2005 në Shqipëri, u vetëparaqit si njeri që kishte kryer studimet në Hollandë dhe më pas ishte punësuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës si ekspert i nivelit lartë. Kjo të krijonte idenë se po vinte një njeri i mirëshkolluar dhe me përvojë të gjatë në institucione ndërkombëtare.
Por nëse ti shikon datën kur ai është diplomuar, është fundi i vitit 2005. D.m.th kur ky kur erdhi në Shqipëri, ishte ende i padiplomuar dhe ka marrë masterin, ndërkohë që ishte ministër.
Kjo është një gënjeshtër e rëndë, që do turpëronte çdo njeri në botë.
Kjo po ashtu tregon se ai nuk ishte askushi në atë që quhej Tribunali i Hagës për krimet e luftës, përveçse një përkthyes në terren.
Por duke dashur të na gënjejë të gjithëve atëhere, nuk thotë dot të vërtetën tani dhe kompleksohet përditë e më shumë nga kërkesa që të tregojë çfarë ka raportuar për “Shtëpinë e Verdhë” apo kampin e Cakonit në Kukës, kur ka shoqëruar Pablo Baraybar, antropologun që ka bërë ekspertizën e vendeve të krimit.
Kultura e mos shpjegimit të tij, është e diktuar nga kultura e gënjeshtrave që ai shpik për veten e vet, kur i duhet, dhe pafuqia për t’u mbrojtur, kur përballet më çështje të tilla.
Tani të gjithë shpresojnë se do kapin apo zbulojnë një Lulzim Basha që ka trilluar fakte për krimet e UÇK-së në Shqipëri, por më shumë shanse ka të gjeni një Lulzim Basha që na ka gënjyer edhe për punët e tij.
Më shumë se sa një tradhtar, duke gërmuar do të gjeni një gënjeshtar. Dhe unë mendoj se ai është më i dëmshëm si gënjeshtar, se sa si “tradhtar”.
Se nëse ka bërë ndonjë krim në këtë histori, edhe atë e ka bërë si gënjeshtar.
As mish, as peshk! Cudi, Baze nuk dalloher si konformist!