Pas më shumë se katër orësh diskutime është mbyllur takimi i Kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive, sot në Kuç të Vlorës (12 gusht).
Gjatë mbledhjes, kryetarët e bashkive kanë paraqitur problematikat dhe sfidat me të cilat përballen njësitë vendore, ndërsa mësohet se është diskutuar edhe mbi mënyrën e organizimit territorial dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

PS ka propozuar një reformë territoriale ku shkrihen 15 bashki të vogla, të cilat kundërshtojnë projektin. Mbledhja nisi pak pas orës 14:00.
Reforma territoriale, ecuria e saj ndër vite dhe nevoja për një administrim më efikas të bashkive ishin ndër çështjet kryesore të trajtuara gjatë takimit.
Kryetarët e bashkive që parashikohet të mos jenë pjesë e hartës së re kanë paraqitur opinionet dhe qëndrimet e tyre, duke argumentuar arsyet se përse bashkitë që drejtojnë duhet të vijojnë të ekzistojnë. Në takim janë diskutuar gjithashtu edhe argumentet pro bashkimeve të propozuara.
Reforma do të vijojë përpara, përmes konsultimeve të nevojshme me bashkitë, komunitetet dhe të gjithë aktorët e përfshirë, me synimin për të ndërtuar një organizim vendor më funksional, më efikas dhe më pranë qytetarëve.

Sipas burimeve, diskutime ka pasur me të gjithë kryetarët e bashkive të pranishëm.
Raportohet se në takim morën pjesë rreth 20 kryetarë bashkish, mes tyre ata që përfaqësojnë Durrësin, Shkodrën, Elbasanin, Korçën, Beratin, Vlorën, Gjirokastrën, Klosin, Rrogozhinën, Dimalin dhe bashki të tjera të vogla, të cilat kanë kundërshtuar planet për shkrirjen e tyre.











