Estonia do të mbyllë për të paktën gjashtë muaj të gjitha pikat e kalimit rrugor në kufirin me Rusinë, duke nisur nga 1 dhjetori.
Vendimi është marrë për arsye sigurie, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë rritur. Ministri i Brendshëm estonez, Igor Taro, deklaroi se shërbimet ruse të sigurisë po ushtrojnë presion ndaj qytetarëve estonezë që kalojnë kufirin dhe po përpiqen t’i rekrutojnë ata.
Vendimi vjen gjithashtu pas akuzave të Estonisë ndaj shërbimeve ruse për organizimin e një sulmi me zjarrvënie ndaj një kompanie estoneze të mbrojtjes. Moska i ka mohuar këto akuza.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi se Moska do të përgjigjet me masa politike dhe diplomatike, duke e cilësuar vendimin si një përpjekje për të ngritur një “Perde të re të Hekurt”.
Mbyllja prek vetëm qarkullimin rrugor, ndërsa transporti hekurudhor i mallrave do të vijojë, nën kontrolle të rrepta doganore.
“Gjatë gjithë vitit 2026, Estonia ka ndërmarrë hapa konfrontues dhe anti-rusë, duke kufizuar në mënyrë sistematike funksionimin e pikave të kalimit kufitar përgjatë kufirit ruso-estonez, përmes shkurtimit të orareve të tyre të punës. Planet e autoriteteve estoneze për mbylljen e plotë të pikave të mbetura funksionale janë plotësisht në përputhje me këtë agjendë rusofobe. Këto veprime në thelb përbëjnë përpjekje për të ngritur një Perde të re të Hekurt, nën pretekstin e rremë të një kërcënimi nga Lindja. Është e qartë se, përmes këtyre veprimeve, autoritetet estoneze synojnë gjithashtu të zgjidhin problemet e tyre të brendshme, duke shpërqendruar qytetarët nga vështirësitë e mëdha socio-ekonomike, të cilat janë pasojë e politikave të tyre dritëshkurtra dhe të papërgjegjshme, përmes deklaratave dhe qëndrimeve të vazhdueshme anti-ruse. Nëse Talini do të vijojë me këto plane, vendi ynë do të ndërmarrë kundërmasat e nevojshme politike dhe diplomatike për të mbrojtur interesat e tij kombëtare. Dhe, siç e dini, ne nuk i harrojmë as bashkëkombësit tanë”, ishte reagimi i Rusisë.










