Nga Poli Hoxha
Dorëheqja e Enkeljed Alibeajt nga postet e përkohshme drejtuese në PD, pa u konsultuar as me miqtë e tij më të ngushtë, duhet të shihet së pari si një elektro-shock mbi një trup, i cili është në limitet e fundit të zgjedhjes klinike: I vdekur, apo do të çohet në këmbë dhe do të vrapojë?!
Alibeaj e bëri fakt të kryer këtë goditje, tani duhet që të presim se si do të reagojë trupi.
Ai ishte ndoshta i vetmi brenda lidershipit udhëheqës të PD, që pa nga afër gjatë fushatës elektorale gjendjen e vërtetë të partisë në bazë dhe në çdo cep të Shqipërisë. Ashtu siç është realiteti, duket se ai ka konstatuar gjendjen trans, mes vdekjes dhe jetës, të kësaj force për afro 2 vite. Por edhe faktin se demokratët e ndershëm që nuk kanë interesa ekonomike dhe fatura nga e shkuara për të paguar, pavarësisht idhnimit mes tyre, ndryshe nga “kokat” janë bashkë.
Nëse Sali Berisha i kishte ushqyer ndjekësit e tij brenda PD me lugën bosh, se 15 maji “fitues” do të ishte limiti dhe starti drejt rikthimit në pushtet, edhe antiberishistët, të luhaturit, asnjanësit apo të trullosurit në PD, kanë pritur pikërisht 15 majin për të vendosur përfundimisht marrëdhënien e vërtetë morale dhe të besimit me këtë parti.
Gjithashtu nëse Sali Berisha po fshihet pas gishtit të “vjedhjes së fitores”, PD, duhet që të bëjë të kundërtën; të pranojë tkurrjen, lëngimin, dhe rrezikun e shkrirjes përfundimtare. Vetëm duke pranuar fillimisht humnerën që ke poshtë këmbëve, mund të mendosh për shtegun që të nxjerr gjallë e shëndosh përtej.
Një humnerë rindërtohet, rithemelohet, vetëm duke u thelluar sa më shumë. Sa më e thellë që të jetë ajo, aq më madhështore dhe impresionuese duket. Por në fund sërish humnerë mbetet dhe nëse ecën drejt saj, zhdukesh brenda honeve të thella.
Ndaj përpara se të gjendet shtegu që PD ta kapërcejë atë dhe të dalë për të vrapuar në fushë të hapur, duhet që të identifikojë shkakun se kush e hapi, kush e thelloi, pra kush e rindërtoi dhe e rithemeloi humnerën në PD e cila i ka bllokuar rrugën për të ecur përpara.
Të gjithë janë dakord që PD është në depresion të thellë si pasojë e një traume të rëndë, që tashmë duket se e ka të vjetër që në themelim. Atëherë kur pranoi dhe lejoi konvertimin e komunistëve dhe pragmatistëve në “demokrat” dhe i bëri udhëheqës. Kjo traumë e thellë gjendet në subkoshiencën e partisë dhe demokratëve, ndaj është kaq vrastare, e ligë dhe e vështirë për tu shëruar.
Çështja është se nuk ka më kohë dhe përpara se ajo ta vrasë këtë forcë, PD, duhet që ta deklarojë botërisht dhe ti vërë emër kësaj traume të rëndë që u shfaq fortë pasi ish-lideri i saj themelues dhe vetë PD, u vu në provë nga SHBA.
Një psikolog e quan të shëruar një pacient të zhytur në depresion vetëm pasi e “detyron” atë që të nxjerrë nga thellësitë e tij, traumën që ka. Ta rrëfejë, ta pranojë dhe ti vërë emrin. Vetëm kështu çlirohet dhe shërohet. Njësoj ndodh edhe në procesin e ekzorcizmit. I pushtuari nga djalli shpëton prej tij, vetëm kur guxon që ti shqiptojë emrin e vërtetë pushtuesit dhe shkaktuesit të vuajtjeve!
Në këtë kontekst, kanë nisur thirrjet nga të dyja palët për një bashkim direkt. Po dëgjoja kandidaten potente për të zënë vendin e Alibeajt në drejtimin e përkohshëm të PD, Jorida Tabaku, që i mëshonte reflektimit dhe bashkimit pas përçarjes në zgjedhjet e 14 majit. Në fakt të gjithë mendojnë kështu, madje edhe berishistët. Dakord; kjo është faktikisht e vetmja rrugë që PD mund të nisë ringritjen dhe shndërrimin në një alternativë fituese qeverisëse, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Por çështja është se Tabaku dhe shumë deputetë të tjerë nuk guxojnë të shqiptojnë traumën, shkakun që i ka çuar deri këtu.
Një bashkim mekanik që do rriste vetëm sasinë, (e cila nuk mjafton pasi pamë që nëse bashkon votat e të dy palëve të marrë në 14 maj sërish nuk e mundin dot Ramën), mund ti bënte më të mëdhenj se sa dolën në 15 maj, por nuk do ta shëronte dot traumën. Një trup të sëmurë sado i madh të jetë, nuk mund ta fusësh në garë për të fituar. Ndryshe po mashtron ata që të besojnë.
Të gjithë duhet që të pranojnë se shkaku i përçarjes ishte shpallja non grata e Sali Berishës dhe qëndrimi politik dhe moral ndaj saj. Se SHBA, Britania e Madhe dhe vendet e tjera të perëndimit, (këto ende jo zyrtarisht por e kanë reflektuar), nuk do të kenë marrëdhënie dhe do të izolojnë një PD me kryetar, me deputet apo edhe me anëtarë të shpallur non grata. Këto vende madje e quajnë rrezik këtë non grata, jo vetëm për demokracinë shqiptare por edhe për sigurinë gjeo-strategjike të vendeve të tyre.
Kujtohuni dhe kthjellohuni përpara se të “bashkoheni”: Pikërisht kjo ishte ndarja, humnera që themeloi Sali Berisha pasi Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentarë dhe pasi të gjithë këta që kërkojnë bashkim mekanik ligjëruan në kuvendin e 18 dhjetorit 2021, se PD ngelet “deri në vdekje” euro-atlantike dhe aleate strategjike e SHBA, siç edhe u themelua.
Pra i gjithë lidershipi i PD me në krye Tabakun, deputetët në të dy krahët, përpara se të flasin dhe të nisin bashkimin, duhet që të ndajnë mendjen dhe ta deklarojnë:
Janë me SHBA dhe Perëndimin për sa i përket qëndrimit ndaj Sali Berishës dhe berishizmit brenda PD, apo kundër?
Po projektojnë një PD të së ardhmes që nuk do njihet dhe do jetë e izoluar nga SHBA dhe aleatët e saj, apo do të ecë përpara dhe do të rikthehet në pushtet siç ka bërë sa herë që ka pasur amerikanët përkrah?
Kaq e thjeshtë është: Shembjen e murit të përçarjes për hir të Berishës që kanë mes vetit, nuk e ka asnjëra palë në dorë!
Atë mur e ngritën amerikanët dhe vetëm ata e mbajnë ose e shembin; kush zgjodhi që të qëndrojë përtej nga ana e Berishës është në të drejtën e tij, por nuk e ka fuqinë dhe mundësinë që të marrë në kurriz Berishën dhe ta kalojë nga Rithemelimi, matanë. As ata që janë brenda PD-së nuk e kanë këtë fuqi, çfarëdo që të bëjnë, nga i pari te fundit.
Vetveten po; munden ta çojnë te partia mëmë e lindur si proamerikane, ose te Berisha. Këto hapa janë të lirë që ti bëjnë të gjithë pa përjashtim, përveç pengjeve te Foltorja që edhe kur duan, nuk munden.
Po ashtu edhe ata si zonja Tabaku që siç thotë vetë po qëndrojnë aktualish mbi mur duke shkelur syrin herë këtej e herë andej për “bashkim”, duhet ta ndajnë mendjen dhe të deklarohen qartë dhe përfundimisht për konfliktin përçarës që ka në PD në lidhje më çështjen “Berisha- SHBA”. Dhe jo vetëm për atë, por për këdo që do të dizenjohet në vazhdim si i korruptuar dhe minues i demokracisë.
Kështu të gjithë, në të dy kampet, kanë vetëm 2 rrugë me detyrim përcaktim:
1-Të bashkojnë në Një, të dy pjesët, me gjithë Berishën dhe berishizmin brenda. Kjo do të thotë se PD do të jetë në të ardhmen armike, apo në rastin më të mirë inegzistentë, për SHBA dhe aleatët e tyre.
2-Të deklarohen pro amerikanë dhe properëndimorë; të nisin riorganizimin në të gjithë vendin, të ngrenë frymën për atë shumicë shqiptarësh të neveritur jo vetëm nga qeveria e korruptuar e Ramës dhe me SHBA në krah, (si atëherë kur mundën komunizmin 32 viteve më parë me SHBA në krah), të vijnë në pushtet dhe të bëjnë Shqipërinë që ëndërronin studentët e dhjetorit që e themeluan!
Këto janë rrugët dhe mos i mashtroni kot më demokratët, me bashkime malinje, që mbartin brenda vatrën e metastazave që ju kanë pushtuar.
As Berishës mos i bëni më thirrje që të largohet nga skena dhe lufta personale, të cilën po e bën në kurriz të PD. Ai është në të drejtën e tij që të luftojë me SHBA dhe të mbrojë veten dhe familjen nga drejtësia.
Por sa më shumë i zgjasni dorën, aq më shumë ju trajton si ligavecë dhe u sulmon me akuza pa fakte, siç edhe bëri sot në mesditë ku sërish goditi edhe SPAK-un “e amerikanëve”, sikur ja kishte ai fajin për katastrofën në zgjedhje “fituese”.
Lërini lojërat për mandatet tuaja në 2025, por nisni punën me demokratët në gjithë Shqipërinë të cilët kanë mbetur po aq idealistë dhe të varfër, (Ndryshe nga Berisha me shokë e shoqe), sa ata që ju themeluan 33 vite më parë me amerikanët në krah dhe kauzën: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Vetëm kështu mund të bëheni më shumë se deputetë, kryetarë e sekretarë: do hyni në histori si themelues të Shqipërisë perëndimore, post tranzicion.
Zgjidhni e merrni: Berishën, Metën dhe Ramën aty i keni, krah e thasë hapur!