• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, June 17, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Mbi supet e tyre! Homazh për mësuesit e mi Alfred Uçi dhe Zija Xholi

by E S
03/06/2025 22:22
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Fatos Tarifa

Unë kam lindur në një kohë kur Shqipëria nuk kishte një universitet dhe ishte i vetmi vend në Europë pa një tillë, ndërsa kur u krijua Akademia e Shkencave, isha 18 vjeç, një nxënës maturant.

Një vit më vonë nisa studimet në degën e filozofisë në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës. Atë vit, dekan i atij fakulteti ishte Prof. Luan Omari, ndër të paktët profesorë të mëdhenj të asaj kohe që e kemi ende mes nesh dhe prej të cilit, si student, mësova Teorinë e Shtetit.

Të tjerët— një plejadë e ndritur pedagogësh e studjuesish, shumë prej të cilëve vunë gurët e themelit në sipërmarrjen e madhe kombëtare akademike të këtij vendi, duke u bërë etërit e arsimit të lartë dhe të shkencës shqiptare—nga themelimi i Universitetit të Tiranës më 1957 dhe i Akademisë së shkecave 15 vite më vonë—nuk janë më. Por ne, nxënësit dhe, më pas, kolegët e tyre të rinj, i kujtojmë sot me shumë respekt dhe nderim.

U kemi një borxh intelektual shumë të madh. Ata ishin të parët shkencëtarë të vërtetë të popullit shqiptar, ata që shkencën e shndërruan nga anekdotë dhe ëndërr, në profesion e në institucion dhe me këtë u vunë bazat e zhvillimit modern të shoqësirë shqiptare. Fatkeqësisht—dhe për turpin tonë—pas viteve 1990 për ta është folur e flitet shumë pak; disa edhe janë harruar.

***

Çdonjëri prej intelektualëve të shquar shqiptarë të periudhës pas Luftës së Dytërore, natyrisht, kishte individualitetin e vet, por askush prej tyre nuk ishte një dukuri e rastit në realitetin shqiptar të asaj kohe. Teoria e “hapësirës së vëmendjes intelektuale”, e formuluar nga sociologu i njohur amerikan Randall Collins, shpjegon se krijimtaria intelektuale dhe zhvillimi intelektual i një shoqërie stimulohen shumë, veç të tjerash, edhe nga kontaktet personale të intelektualëve të shquar të kohës, që janë formuar nën ndikimin e së njëjtës shkollë mendimi, ose vijnë nga shkolla të ndryshme.

Shkëmbimet mes tyre dhe atmosfera intelektuale që ata krijojnë në shoqërinë e tyre motivojnë zhvillimin e mendimit dhe progresin intelektual të shoqërisë dhe vetë ata bëhen—individualisht dhe bashkërisht, si kolegë ose miq—të njohur për “publikun e lexuar” të vendit të tyre, nëse përdor një shprehje të Kantit.

Collins argumenton se intelektualë të tillë zhvillohen së bashku. Hegel, Schelling dhe Hölderin, sipas tij, janë ndër shembujt që ilustrojnë argumentin e tij. Kur ata ishin të rinj, shokë mes tyre dhe, në periudhën e hershme të karrierës së tyre u njohën me Fichte-n, që ishte edhe ai në fillimet e karrierës së vet, dhe u bënë së bashku figurat më të famshme të lëvizjes së Idealizmit e të Romantizmit Gjerman, një lëvizje e një komuniteti të ngushtë intelektualësh. Marrëdhëniet e filozofit Jean-Paul Sartre me miqtë e tij Simone de Beauvoir, Albert Camus, Merleau-Ponty, Raymond Aron dhe Jacques Lacan, të cilët, si grup, me diskutimet e tyre energjike, u bënë baza e ekzistencializmit dhe e lëvizjeve intelektuale të mëvonshme në Francë, janë një tjetër shembull.

Kreativiteti intelektual, veçanërisht në kohët moderne—por edhe më parë, nëse mbajmë parasysh filozofët e lashtë grekë, poetët dhe filozofët romakë, Morin, Erazmin dhe bashkëkohësit e tyre, iluministët skocezë, enciklopedistët francezë, filozofët klasikë gjermanë apo ekzistencialistët francezë pas Luftës së Dytë Botërore—rrallë ka ndodhur të jetë produkt i përpjekjeve të një individi të vetëm; ai është, përgjithësisht, produkt i përbashkët i energjisë intelektuale dhe emocionale të individëve që janë në kontakt me njëri-tjetrin dhe—kolektivisht e intensivisht—të orientuar ndaj krijimtarisë në një fushë të caktuar të dijes, ose në një projekt të madh intelektual për kohën e tyre.

***

E kam pasur gjithnjë të vështirë të shkruaj për mësuesit e mi më të mirë. Jo për mungesë të fjalëve, por sepse borxhi që u kam atyre nuk mund të shlyhet me fjalë. Edhe pse fjalët për ta kurrë nuk më kanë munguar, ato kanë e qenë e janë gjithnjë të pamjaftueshme e të papërsosura për të shprehur ndjesitë e mia dhe emocionet që përjetoj sa herë i kujtoj dhe flas për ta.

Sot dua të flas për dy prej tyre, që jo vetëm ishin të parët filozofë shqiptarë, ata që e mbollën pemën e diturisë filozofike në këtë vend, por edhe dy ndër më të shquarit në këtë fushë. Dhe më lejoni të flas për ta me një zë disi ndryshe nga një rutinë pro forma.

Përfytyroni për një çast! Një 19 vjeçar, i sapo dalë nga bankat e një shkolle të mesme këtu në Tiranë, ulet për herë të parë në një auditor universitar dhe profesori nga i cili ai merr leksionin e parë në filozofi nuk është askush tjetër, por, vetë ai, Alfred Uçi. Një gjimnazist, sigurisht, nuk mund ta dinte se cili ishte në atë kohë Alfred Uçi, as se cilët ishin Zija Xholi, Luan Omari, Arben Puto, Ismet Elezi, Hamit Beqja apo Bujar Hoxha. Por sa fatlumë ishim brezi ynë që patëm pedagogë si ata dhe mësuam prej tyre. Një grup më i shkëlqyer profesorësh se këta—dhe të ngjashmit e tyre në fakultetet e tjerë të Universitetit të Tiranës—vështirë se mund të ketë dhënë ndonjëherë mësim në atë universitet.

I gjatë, hijerëndë, por edhe shumë njerëzor, me një zë kumbonjës dhe me një ligjëratë të shtruar, që e ndiqje plot kërshëri, Alfred Uçi ishte për mua—dhe unë besoj për shumë të tjerë si unë në atë kohë—filozofi par excellence—erudit, racional dhe i thellë. Fjala e tij kishte peshë dhe shpjegimet e tij për konceptet abstraktë të filozofisë patën qysh në fillim të studimeve—e vazhdimisht më pas—një ndikim të ndjeshëm në formimin tim teorik.

Të njëjtin ndikim kanë patur edhe leksionet e Estetikës, një disiplinë filozofike që Uçi e njihte dhe e shpjegonte më mirë se kushdo tjetër në këtë vend dhe që, Tefik Çaushi, një tjetër burrë i mençur dhe një estet i klasit të parë, i cili zhvillonte me ne seminaret e asaj disipline, e bëri ndër më tërheqëset për mua.

Në vitin e dytë të studimeve, dekan i atij fakulteti u bë Prof. Zija Xholi. Me Prof. Xholin mora një prej lëndëve kryesore, historinë e filozofisë paramarksiste dhe një tjetër mbi mendimin filozofik të Rilindjes sonë Kombëtare. Ndërsa Uçi kishte lënë tek unë (ndoshta për shkak të thellësisë së mendimit dhe portretit të tij), përshtypjen që më vonë do krijonin tek unë disa prej filozofëve më të shquar të shekullit të 19-të, si Hegeli, Schopenhaueri, Niçe apo Kierkegaard (të cilët ishin marrë edhe me çështje të artit e të estetikës), Xholi ishte në atë kohë, siç e ruaj të gjallë në kujtesën time edhe sot që flas për të, Kanti ynë.

Ky asociim nuk ka qenë një trill i rastit. Në atë kohë, Uçi ishte për mua shëmbëlltyra e një filozofi hijerëndë katedre, ndërsa Xholi profesori që më mësoi historinë 2,500-vjeçare të filozofisë botërore—nga Konfuci, Vedat indiane, filozofët e lashtë grekë e ata romakë, deri te Kanti, Fichte dhe Hegeli—dhe që më motivoi të shkruaja e të botoja, kur kur isha vetëm 30, një prej librave të mi të parë, Filozofë materialistë të lashtësisë. Nga Prof. Xholi më kanë mbetur në mendje, nga sa e sa të tjera, edhe këto fjalë, me ta cilat ai na thoshte: “Çdo njëri nga ju ka sot më shumë njohuri nga sa kishte Aristoteli në kohën e vet, por asnjëri prej jush nuk është më i mençur se ai”.

Leksionet e Prof. Xholit mbi historinë e filozofisë përmbanin njohuri krejt të reja për ne, të shoqëruara shpesh me anekdota nga jeta e filozofëve të shquar: Empedokli i dha fund jetës duke u hedhur në llavën e vullkanit Etna; Kanti jetoi tërë jetën në qytetin e tij të lindjes, në Könisberg, pa dalë kurrë prej tij, dhe ishte kaq i përpiktë sa, çdo ditë, kur dilte nga shtëpia, fiks në 8 të mëngjesit, njerëzit që prisnin para portës së tij ta shihnin, rregullonin orët e tyre.

Anekdotat e këtij lloji i bënin leksionet e Prof. Xholit mjaft tërheqëse, ndërsa qartësia me të cilën ai shpjegonte për ne edhe konceptet filozofikë më abstraktë të sistemit logjik të Hegelit, apo ato të filozofisë objektive e të doktrinës morale të Kantit, kanë ndikuar ndjeshëm—dhe pse në atë kohë ne mund të mos e kemi kuptuar këtë—në formimin teorik dhe në kultivimin e një mendimi racional kritik te shumë nga ne.

Nëse ka ndodhur që në lëndë të caktuara të mungoja, siç ka ndodhur e ndodh me këdo, nuk ndodhi kurrë që unë të humbisja qoftë edhe një orë të vetme leksioni në lëndët që jepnin Prof. Uçi dhe Prof. Xholi. E tillë ishte “magjepsja” ime, si student, pas leksioneve të tyre dhe, në të njëjtën masë, respekti im për ta.

***

Kishte edhe një arsye tjetër, sigurisht. Brezi im, ndër të parët që u diplomuam për filozofi dhe shkencë politike në këtë vend, studiuam, në pjesën më të madhe të kohës, pa tekste mësimorë. Interneti, me mundësitë e panumërta që ofron sot ai për një informacion të pamasë e të shpejtë në çdo fushë—përmes sistemeve software të kërkimit, Wikipedias, qindra bibliotekave digjitale, Internet Archive dhe, së fundmi, përmes modeleve ChatGPT të ndërveprimit dialogues, që studentët tanë (dhe nxënësit e shkollave të mesme) i përdorin sot masivisht—për ne, studentët e viteve 1970 dhe ata të dy dekadave më vonë, nuk mund të ishin as ëndrra, njëlloj sikurse studentët dhe nxënësit e sotëm as mundet të përfytyrojnë dot se çdo ofrojnë për ta teknologjitë digjitale dhe Inteligjenca Artificiale jo dhjetë, por pesë ose tre vite më vonë.

Nga ana tjetër, në libraritë e Tiranës as që mendohej se mund të gjeje ndonjë prej veprave të filozofëve perëndimorë—nga Platoni e Aristoteli, tek ata bashkëkohohë. Edhe nëse vepra të tilla gjendeshin në Bibliotekën e Universitetit dhe në Bibliotekën Kombëtare, ato ishin të rezervuara e mund të lexoheshin vetëm me një autorizim të veçantë, si edhe çdo teks që bënte fjalë për ata filozofë dhe për idetë e tyre. Në kushte të tilla, leksionet e profesorëve tanë ishin i vetmi burim informacioni dhe njohurish nga mund të mësonim.

***

Por, më lejoni të them diçka shumë të rëndësishme, që deri më sot kemi neglizhuar ta vemë në dukje. Brezi im u lind, u rrit dhe u formula në kushtet e një shoqërie të mbyllur, të izoluar e të censuruar. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e profesorëve tanë—Uçi, Xholi, Omari, Puto, Beqja, Hoxha, Çaushi, si dhe shumë të tjerë—ishin njerëz mendjehapur. Unë kurrë nuk vura re tek ata qendrime dogmatike, edhe pse jetonim, punonim e studionim në një shoqëri të dominuar nga dogma, në një shoqëri gati të pamundur për mësimin dhe zhvillimin e filozofisë e të shkencës sociale.

Dhe jo vetëm ishin mendjehapur, por hapën edhe mendjet tona të reja, pa synuar kurrë të rrënjosnin në to ideologjinë sunduese të kohës. Nëse kjo ideologji bëri vend në mendjet e një pjese të studentëve të tyre në ato vite, disa prej të cilëve më vonë u bënë pedagogë, kjo—nga halli ose nga malli—ishte një zgjedhje e vetë këtyre të fundit, jo synimi i profesorëve tanë të ditur e mendjehapur.

Këtë atribut—një mendje të hapur e kritike, që i bën vend skepticizmit metodologjik dhe relativizmit—ata e kultivuan në ndërgjegjjen tonë shkencore. Ishte prej tyre që unë mësova, nëse huazoj fjalët e filozofit të shquar të shkencës, Philipp Frank, se beteja e vërtetë për progresin e dijes është zhvilluar dhe drejtuar pikërisht nga doktrina e së vërtetës relative.

Njohuritë e marra nga profesorët e mi në atë kohë—veçanërisht nga Xholi, Uçi dhe Omari—kanë qenë shumë të dobishme dhe më kanë ndihmuar në të gjitha përpjekjet e mia intelektuale të mëvonshme, veçanërisht në studimet e mia doktorale në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill (SHBA).

***

Por, ndoshta më shumë se sa leksionet e tyre në auditor, ato që kanë lënë tek unë—dhe unë besoj te shumë të tjerë si unë—mbresat më të thella, kanë qenë ana e tyre e njerëzore, shembulli i sjelljes së tyre të përkryer qytetare, përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme që u kanë dhënë studiuesve më të rinj, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve. Ky respekt dhe admirimi i mi për punën dhe kontributet e tyre akademike në arsimin e lartë dhe në shkencat shoqërore shqiptare kanë mbetur të njëjtët edhe sot, pas gjysmë shekulli nga koha kur unë isha studenti i tyre. Ata ishin të gjithë, njëlloj e në të njëjtën masë—ashtu si dhe të ngjashmit e tyre në fusha të tjera, Buda, Çabej, Domi, Xhuvani, Demiraj, Paparisto, Kuneshka, Bekteshi, Pilika, Kriqi, Mara, Gaçe, Elezi, Ceka, Anamali—xhentëllmenë të vërtetë, të atij lloji që sot, në këtë vend, e gjejmë shumë rrallë.

***

Mund të ketë sot—dhe unë e di që ka—njerëz të vegjël, little men, siç do i quante ata Wilhelm Reich, të cilët përpiqen t’ua ulin, ose t’ua mohojnë vlerat atij brezi të shquar akademikësh që themeluan arsimin e lartë dhe shkencën shqiptare.

Unë dua që ata të më dëgjojnë. Dhe u them: Bëni edhe ju sot për këtë vend, për arsimin e lartë, për shkencën shqiptare dhe për brezin e ri të studiuesve shqiptarë ato që kanë bërë këta njerëz të shquar në kohën e tyre! Ky është kriteri më i mirë për t’i vlerësuar—dhe kuti më i saktë për t’i matur—meritat e tyre, gjithçka që ata bënë dhe arritën në kohën e tyre, si dhe ato që s’mundën të bënin dot për shkak të kufizimeve dhe pengesave të shumta politike, ekonomike dhe epistemologjike të kohës kur jetuan e krijuan.

Është gjithnjë më e arsyeshme dhe më e drejtë që një njeri të vlerësojmë sipas standardeve të kohës së tij, dhe jo të një kohe tjetër. Platonin, Epikurin, Spinozën, Dekartin dhe Berklin, ashtu si Volterin, Rusoin, Kantin apo Hegelin, nuk i çmojmë sot nga këndvështrimet dhe arritjet shumë më të avancuara të shkencës e të filozofisë së sotme, por nga kontributet që ata dhanë në kohën e tyre, për atë kohë e më vonë.

Njerëzit që kujtojmë dhe nderojmë sot, ne, anëtarët e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, i vlerësojmë për ato çka ata bënë në kohën e tyre, për atë kohë dhe nga këndvështrimi i asaj kohe. Por ne i vlerësjmë ata sot edhe nga kendveshtrimi i kohës së sotme, pasi prej tyre kemi mësuar të bëhemi këta që jemi, si pedagogë, si kërkues në fushat tona të shkencës dhe si qytetarë.

Nëse huazoj fjalët e autorit të njohur të shekullit të 12-të, John of Salisbury, do të thoja se, sot, ne shohim më shumë gjëra nga sa shihnin mësuesit tanë—dhe gjëra që janë më larg syrit tonë—jo sepse shikimi ynë është superior, ose sepse jemi më të gjatë se ata, por sepse ata na ngritën lart dhe me madhështinë e staturës së tyre na lartësuan edhe ne.

Njerëz për të cilët flasim sot u bënë supet mbi të cilat qëndruan e vazhdojnë të qëndrojnë shumë nga shkencëtarët dhe studiuesit shqiptarë që erdhën më pas. Ata ishin mësuesit tanë, ndërsa ne ishim—dhe mbetemi, edhe në këtë moshë—nxënësit e tyre, ndërkohë që, nën shembullin, me pasionin dhe me ethosin shkencor që morëm prej tyre, jemi përpjekur që nga ajo kohë të arsimojmë e të edukojmë dy breza studentësh në universitetet tona.

Ne i kujtojmë ata me shumë respekt e mirënjohje dhe i vlerësojmë kontributet e tyre—veçanërisht sot, në këtë kohë krize të thellë arsimore e kulturore, në këtë kohë zhbërjeje të madhe intelektuale në vendin tone, njëlloj sikur ishin gjallë. Shumë nga ne e ndiejmë mungesën e pranisë fizike të tyre, por s’na mungojnë mendimi, këshillat dhe vepra e tyre, as kujtimet tona për ta. Këto mbeten me ne. Janë dhurata që na lanë të gjithëve ne që mësuam prej tyre.

Në fakt, jo vetëm i kujtojmë dhe i çmojmë, por edhe kemi mall për ta. Është njerëzore! Është jo vetëm një mall njerëzor, por edhe një mall intelektual. Sepse, bashkë me atë klasë të shkëlqyer intelektualësh shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë që janë ndarë nga jeta, thuajse u zhbë edhe ajo atmosferë dhe ajo sipërmarrje intelektuale akademike—kolektive dhe refleksive—që stimulohej nga kontaktet personale e miqësore që ata kishin, ruajtën dhe zhvilluan me njëri-tjetrin. Dhe po kështu u fragmentarizua dhe u dëmtua edhe ajo trashëgimi intelektuale që, siç thotë Collins, ndikon “vertikalisht” në formimin brezave të rinj të intelektualëve e të studiuesve.

Është në vetë ADN-në e dijes shkencore që, me kalimin e kohës, ajo diferencohet, parcelizohet, jo për ta bërë më të vështirë kërkimin shkencor, por për t’iu qasur në një mënyrë sa më holistike të vërtetave shkencore. Tek ne ka ndodhur dhe ndodh jo kjo dukuri bashkëkohore, por një fragmentarizim, një “ballkanizim” dhe tjetërsim i mjedisit intelektual, që e dobësojnë dhe e pengojnë progresin intelektual të shoqërisë.

Periudha kur jetuan dhe krijuan ajo klasë e shquar intelektualësh shqiptarë, pavarësisht tipit të sistemit shoqëror, kishte një Zeitgeist—një “frymë të kohës”, term që zakonisht lidhet me Hegelin, çka edhe bën të mundur të flasim për një histori intelektuale të asaj kohe. Peridhës së sotme i mungon një “frymë” e tillë, e cila do të ndihmonte për të kuptuar ndryshimin e rrethanave shoqërore, ekonomike e politike të shoqërisë shqiptare në dekadat e fundit dhe, ndoshta, pikërisht për këtë arsye, në fushën e mendimit dhe në praktikën shoqërore vemë re të rikthehen disa prej ortodoksive e vjetra.

***

Në një plan më personal, dëshiroj të vë në dukje se, ndërsa me Prof. Uçin u bëmë më vonë miq dhe miqësia me të u zhvillua veçanërisht në vitet 1980, kur ai drejtonte Institutin e Kulturës Popullore (më vonë, për shumë vite me radhë, familjet tona banonin në të njëjtën, ishim fqinjë me njëri-tjetrin—dhe për njëri tjetrin), marrëdhënia ime me Prof. Xholin ishte krejt tjetër.

Fill pas diplomimit tim në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike, Prof. Xholi, i cili vazhdonte të ishte dekan i tij, më punësoi në sektorin shkencor të filozofisë, dhe për shumë vite, u bë mentori im. Fillimisht më besoi të jepja një pjesë të leksioneve të historisë së filozofisë paramaksiste (një këpucë mjaft e gjerë për këmbën time në atë kohë), ndërsa më vonë udhëhoqi kërkimet e mia për mbrojtjen e disertacionit në atë fakultet.

Këto shënuan fillimin e një bashkëpunimi e të një miqësie krejt të veçantë me atë njeri, të cilin e kujtoj përherë me shumë respekt dhe nderim. Miqësia ime me Prof. Uçin dhe Prof. Xholin, si dhe me Prof. Omarin dhe të ndjerët Bujar Hoxha, Hamit Beqja e Tefik Çaushi, është ruajtur qysh nga ajo kohë me familjet e tyre, të cilat, me këtë rast, i përshëndes përzemërsisht—dhe përunjësisht. /Botuar në DITA/

Next Post
Ministri Hasani në Athinë, homologu grek zbulon prejardhjen e tij: Flet gjuhën tonë, ka origjinë greke

Ministri Hasani në Athinë, homologu grek zbulon prejardhjen e tij: Flet gjuhën tonë, ka origjinë greke

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Trump kritikon G7-ën: Përjashtimi i Rusisë, një gabim i madh! Putin do ndihmonte në paqen mes Izraelit dhe Iranit

Trump kritikon G7-ën: Përjashtimi i Rusisë, një gabim i madh! Putin do ndihmonte në paqen mes Izraelit dhe Iranit

June 16, 2025
Arrestohet vrasësi i senatores në SHBA, 57-vjeçari mbante armë me vete dhe në makinë

Arrestohet vrasësi i senatores në SHBA, 57-vjeçari mbante armë me vete dhe në makinë

June 16, 2025
“Me çaj në dorë, iranianët ‘shijojnë’ raketat si fishekzjarrë”, dëshmia e hoxhës nga Irani: Situatë tragji-komike

“Me çaj në dorë, iranianët ‘shijojnë’ raketat si fishekzjarrë”, dëshmia e hoxhës nga Irani: Situatë tragji-komike

June 16, 2025
“Fajin e kanë shqiptarët”, rekord aktakuzash nga Serbia për krime nga kosovarët

“Fajin e kanë shqiptarët”, rekord aktakuzash nga Serbia për krime nga kosovarët

June 16, 2025
Jo vetëm në Iran, Izraeli vijon sulmet edhe në Gaza! Mbi 40 të vdekur pas të shtënave gjatë shpërndarjes së ndihmave

Jo vetëm në Iran, Izraeli vijon sulmet edhe në Gaza! Mbi 40 të vdekur pas të shtënave gjatë shpërndarjes së ndihmave

June 16, 2025
Irani nis një valë të re sulmesh, thirrje izraelitëve: Largohuni nëse doni të jetoni

Irani nis një valë të re sulmesh, thirrje izraelitëve: Largohuni nëse doni të jetoni

June 16, 2025
Nga lekët e ashensorit te pagesat mujore/ Mazniku shpjegon rregullat e reja: Administratori do pajiset me numër Nipt-i

Nga lekët e ashensorit te pagesat mujore/ Mazniku shpjegon rregullat e reja: Administratori do pajiset me numër Nipt-i

June 16, 2025
Banorja iraniane e tmerruar pas sulmeve të Izraelit: Kam frikë nga gjithçka! Më janë kthyer ankthet e fëmijërisë

Banorja iraniane e tmerruar pas sulmeve të Izraelit: Kam frikë nga gjithçka! Më janë kthyer ankthet e fëmijërisë

June 16, 2025
Serbia dhe Bosnja votuan kundër deklaratës së Samitit të Evropës Juglindore në Tiranë, Begaj: Janë në të drejtën e tyre…

Serbia dhe Bosnja votuan kundër deklaratës së Samitit të Evropës Juglindore në Tiranë, Begaj: Janë në të drejtën e tyre…

June 16, 2025
Kreu i SPAK takim me zv/presidenten e policisë gjermane: Diskutuam për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike

Kreu i SPAK takim me zv/presidenten e policisë gjermane: Diskutuam për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike

June 16, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com