Masakra e 4 Janarit 2022 në Don Bosko në Tiranë dyshohet se u krye nga Kevin Zeneli (Suçi) me porosi të Kasandër Nogës, por u ngatërrua objektivi dhe u vra 1 i pafajshëm e u plagosën 4 të tjerë. Kështu ka dëshmuar para hetuesve të Policisë së Durrësit, Indrit Beqiraj, i arrestuar dhe që ka rrëfyer disa krime.
Ai ishte paguar nga Kasandër Noga dhe porosinë ia kishte dhënë Kevin Zeneli për të vrarë Geron Hasanbelliun. Por sipas tij, detyrën nuk mundi ta përmbushte dhe më 4 Janar 2022 ishte vetë Kevin Zeneli që qëlloi me armë në një lokal në Don Bosko duke shkaktuar masakër. Objektivi ishte ngatërruar. Viktima dhe i plagosuri nuk kishin lidhje me ngjarje.
Por 3 javë pas vrasjes së gabuar në Don Bosko, Kevin Zeneli kthehet në Shqipëri pasi mendohet se ishte larguar drejt Gjermanisë. Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka publikuar dëshminë e Indrit Beqiraj për tentativën e dytë.
Vëllezërit Beqiraj dhe Kevin Zeneli tentuan sërish të kryenin vrasjen e nipave të Geron Hasanbelliut. Ata kishin marrë informacion se nipat e Geronit qëndronin në një tabakino në zonën e Astirit.
Prej disa ditësh kryen vëzhgime por edhe kësaj radhe detyra nuk u përmbush. Indrit Beqiraj ka thënë në dëshminë e tij se nuk i besonte më Kevinit.
DËSHMIA INDRIT BEQIRAJ: Në këtë kohë kishte ardhur Kevin nga jashtë dhe u takuam në Durrës, dhe u bisedua përsëri për të vrarë nipat e Geronit tek Astiri. Gjatë kësaj kohe i ruajtëm për dy tre ditë ata nipat ku kemi ardhur me makina me qira së bashku me vëllanë të marra po tek Arlindi, ku ia kam mbajtur dy muaj një makinë Ford Focus të vitit 2010, me targa AB 341 DY, makinë që e mora më datë 27.01.2022, duke i dhënë 100 euro në dorë, dhe pjesën tjetër nuk ia kam shlyer më.
Pra më datë 27.01.2022 kam ardhur në Tiranë dhe ndiqnim nipat tek tabakino dhe Kevini kishte marrë përsipër detyrën të na informonte për lëvizjet e nipave. Disa herë Kevini tha që ai është vetëm, por kur kam kaluar me makinë me vëllain kam parë që ato persona ishin katër-pesë dhe rrinin jashtë. Kjo tabakino është me emrin Fokus, ndodhet në Astir, Tiranë, përballë lokal Oslo. Gjatë këtyre ditëve njëherë kur ne ishim të vendosur tek fusha e aviacionit dhe prisnim sinjalin nga Kevi që të niseshim, kemi parë që tek zona e tabakinos kalojnë dy furgona të FNSH-së dhe kam pyetur Kevin duke i thënë që a ka ndonjë lëvizje “dajash” dhe ai më ka thënë jo.
Të gjendur përpara këtij mashtrimi dhe mosbesimi, i them Kevit që punën t’ia japë dikujt tjetër që ta bëjë. Më thotë mirë jepjani dhe ju do të merrni ndonjë lekë po të mbarojmë punë se u mbarum me robt. I thoja në vijimësi që ia kisha dhënë por në fakt nuk kisha folur me njeri, por e kisha po vetë dhe kisha bërë një plan që të shikoja lëvizjet e Kevit.
Duke e provokuar Kevin herë pas here e shikoja me sytë e mi që tabakino ishte plot me njerëz dhe i thoja që ata djemtë po thonë që tabakino ka shumë njerëz e nuk gjuajnë dot, e Kevini e mohonte këtë. Duke parë këtë situatë me dyshime të shumta, i shkëputa lidhjet me Kevin dhe nuk i përgjigjesha në telefon. Duke mos iu përgjigjur në telefon, Kevi ka ardhur në Durrës dhe më ka kërkuar tek disa të njohurit e mi, aty ka kërkuar dhe Kasandri të fliste me miqtë e mi Krenar Plaku, Armando Daka, nuk kanë pranuar të flasin me Kasandrin.
Më kanë thënë që tako Kevin, por e kam refuzuar pasi dyshoja se ishte personi i shitur tek Geroni. Sqaroj se në këtë periudhë Kevi më ka dhënë armë pistoletë të llojit XZ me silenciator. U largova nga të gjithë. /tvklan.al