Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, do të prezantojë më 4 nëntor Paketën e Zgjerimit 2026, dokumentin vjetor të Komisionit Evropian që vlerëson ecurinë e vendeve kandidate dhe kandidate potenciale në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të Parlamentit Evropian, paketa do të përfshijë raportet e Komisionit Evropian për dhjetë vende që synojnë anëtarësimin në BE.
Në këto raporte do të analizohet progresi i secilit shtet në zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, si në fushën e shtetit të së drejtës, administratës publike, ekonomisë dhe çështjeve të tjera kyçe të procesit të integrimit.
Pas publikimit të raporteve, raportuesit e përhershëm të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) do të hartojnë projektrezoluta të veçanta për secilin vend.
Këto dokumente do të pasqyrojnë vlerësimet, qëndrimet dhe rekomandimet e Parlamentit Evropian për hapat e mëtejshëm që duhet të ndjekin vendet kandidate në procesin e integrimit evropian.
Një ditë më pas, më 5 nëntor, në Parlamentin Evropian do të zhvillohet një debat i posaçëm mbi instrumentet financiare dhe programet mbështetëse për Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Ukrainën.
Anëtarët e Komisionit për Punët e Jashtme dhe Komisionit për Buxhetet do të organizojnë dialogun e pestë për Instrumentin e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, dialogun e tretë për Republikën e Moldavisë dhe dialogun e gjashtë për Ukrainën.
Gjatë këtyre diskutimeve pritet të shqyrtohet progresi i zbatimit të reformave, përdorimi i fondeve të Bashkimit Evropian dhe ndikimi i mbështetjes financiare në përshpejtimin e procesit të integrimit.
Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, do të informojë eurodeputetët mbi gjendjen aktuale të zbatimit të agjendave të reformave në vendet përfituese dhe mbi shpërndarjen e fondeve të BE-së në kuadër të programeve të mbështetjes për zgjerimin.









