• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, January 5, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Marrëveshja Rama-Basha dhe dështimi i zhurmshëm i pluralizmit shqiptar

by S M
23/05/2017 19:50
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Skënder Minxhozi/

Marrëveshja Rama-Basha ka krijuar pështjellim dhe zhurmë në të gjithë ambjentin politik e mediatik të Tiranës. Ajo i dha jo vetëm fund protestës tremujore të opozitës në Çadrën e bulevardit, por hodhi edhe gurët e parë të themelit të diçkaje që shumëkush po përpiqet ta shquajë pas mjegullës elektorale të 25 qershorit.

Qëndron këtu ndoshta, aspekti më kurioz e interesant i një akordi mes dy palësh ekstremisht armiqësore gjatë gjithë historisë tonë politike. Jo vetëm shbllokimi i Vetingut, por edhe reformat zgjedhore e kushtetuese të planifikuara pas shtatorit, kur të mblidhet Parlamenti i ri, përbëjnë një listë risish rreth të cilave kanë nisur hamendësimet ende pa nisur mirë fushata elektorale.

Çfarë raporti do të kenë mes tyre PS e PD pas zgjedhjeve? A do të vijojë marrëveshja edhe pas sqarimit të rebusit elektoral dhe ndarjes së tortës së pushtetit? A ka Rama dëshirë të bashkëqeverisë me Bashën dhe a ka ky i fundit vullnet dhe mundësi (por edhe tagër politik), që të bashkojë mandatet e tij për një rrugëtim më të gjatë sesa një fushatë elektorale? Çfarë mendon ish-kryeministri Berisha për këtë akord programor afatgjatë, për nevojën e të cilit pati folur vetë javë më parë, gjatë një interviste për Ilva Taren? Po partitë e vogla si mund ta pengojnë defaktorizimin që solli me vete marrëveshja e dy partive të mëdha dhe sa do të jenë lojtarë kyç edhe për katër vitet e ardhshme?

Këto kalkulime janë tashmë buka e përditshme e politikanëve, komentatorëve politikë dhe pak a shumë e të gjithë shqiptarëve të interesuar për teatrin politik. Dhe opinionet janë, siç pritej, të ndara. Një pjesë e opinionit publik sheh tek marrëveshja një shans të mirë për një bashkëqeverisje mes PS e PD, të paktën derisa vendi të ketë hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kurse pjesa tjetër, ajo më skeptikja, e sheh marrëveshjen si një Pazar të rradhës, që do të sabotojë me “opiumin” e vet gjithëpërfshirës, thelbin e vetë pluralizmit politik. I cili konsiston, sipas mbrojtësve të kësaj teze, tek përplasja e ideve dhe tek qeverisja e cila ka përballë një opozitë të fortë e të organizuar.

Pa u rreshtuar pro apo kundër diçkaje e cila ende nuk dihet nëse do të egzistojë ndonjëherë, e që nuk ka ende, për pasojë, as formë, as emër, as identitet, është rasti të bëjmë një analizë retrospektive të modelit politik që na ka sjellë deri në kufinjtë e 30 vjeçarit të parë, pas rënies së komunizmit.

Shqipëria ka, që prej vitit të largët 1991, një sistem politik pluralist. Që nga zgjedhjet e atij marsi, Kuvendi i Shqipërisë njeh dy palë të konturuara mirë në llogore ideologjish e interesash partiake: të majtën dhe të djathtën. Mes tyre kanë gjalluar kohë pas kohe një listë e lëvizshme partish të vogla, të cilat kanë qenë garnitura pluraliste e dy forcave të mëdha, PS e PD. Ajo që kemi parë të konsumohet këto dy dekada e gjysëm, në emër të pluralizmit politik dhe të sistemit shumëpartiak, ka qenë pak a shumë një karikaturë e të dyjave: edhe e pluralizmit politik, edhe e sistemit me shumë parti. Me kalimin e viteve kanë triumfuar rregullisht tensioni politik ekstrem, intetesat ekonomike klanore, korrupsioni dhe padija. Në emër të një ideali të lartë, siç është shoqëria e hapur e demokratike, kemi ndërtuar me duart tona një sistem të kalbur dhe totalisht inefiçient.

Në emër të të drejtës sistemike për të pasur dy palë, njërën në qeverisje e tjetrën në opozitë, çka ka gjeneruar një luftë politike me temperaturë të lartë dhe pa asnjë princip, ky vend ka parë një zinxhir të gjatë dramash e pse jo, edhe tragjedish në momente të caktuara. Të cilat e kanë marrë që të gjitha zanafillën tek parimi i kundërvënies së natyrshme mes palëve.

Ata që sot tremben për rrëshqitjen e Shqipërisë në një model që i ngjan të shkuarës njëpartiake, duhet të bëjnë fillimisht bilancin e të tashmes “shumëpartiake”. Ky sistem shumëpartish ka prodhuar me duart e tij drama ligjore, si ajo e pronave, ka shkatërruar ekonominë me privatizimet e frymëzuara nga idiotët elokuentë me diploma dhe gjuhë të huaja, ka shpërndarë armë në duart e një ane, për të luftuar anën tjetër, ka shkretuar ambjentin duke sheshuar pyje, fusha, rrethina qytetesh, bregun e detit dhe majën e malit, ka pjellë formula të tilla të përbindshme si piramidat, përfshirë edhe atë që erdhi pas rënies së tyre të zhurmshme në 97-98, ka tentuar të shesë copa territori shtetëror ditën për diell, ka vrarë njerëz në dyert e selisë së qeverisë, ka futur në parlament deputetë pa asnjë gram tru, por me pesë-gjashtë emra, ka krijuar një minotaur të shfytyruar ku nuk dallohet mirë ku fillon politika e ku mbaron kapja nga interesat e pista të biznesit – shkurt, ky sistem legal “me shumë parti”, ka qenë një platformë kombëtare e shfrimit të instikteve tona më të ulëta si popull dhe bankoprova se nuk dimë të ndërtojmë shtet normal.

Në 25 vjet ditëm të ngrejmë një industri skrapi (dmth rrangullash), por jo një bujqësi të zhvilluar, ditëm të trafikojmë armë, por jo të ndërtojmë qoftë edhe një fabrikë reçelrash, shkatërruam ç’kishte lënë pas komunizmi, por nuk ditëm t’i vendosim përballë asaj trashëgimie, modelet tona të shekullit të 21. Republika shqiptare e ngrefosjes prodhoi llafe me shumicë dhe punë me pakicë.

Në këtë truall të vjetër plot rrënoja tragjike dhe iluzione rozë të mbetura rrugës, të trembesh sepse palët e mëdha (kupto, shkaktaret e mëdha) të dramës 25 vjeçare, vendosin eventualisht të bashkëqeverisin për një copë rruge, është krejtësisht jologjike dhe e pajustifikuar. Nuk mund të anatemojmë diçka të re, që nuk e dimë ku do të na çojë, duke përdorur argumentat e “diçkasë” së vjetër, që na ka lidhur këmbët prej 25 vjetësh, duke na lënë në mes të askundit.

Shqipëria është sot e gjithë ditën një shoqëri e traumatizuar që ka nevojë për një akt të madh paqeje sociale. Tek ne, ashtu siç nuk ndodh askund përreth, sa herë që ka zgjedhje duket sikur do të shqyhet në dysh peisazhi politik, ekonomik e social i vendit, sikur do të plasë lufta e sikur do të shemben mure, shtëpi, rrugë e qytete të tëra.

Kjo situatë lufte permanente po lodh psikologjikisht breza të tërë shqiptarësh, të cilët lindin e rriten me emrat e liderëve politikë në gojë dhe me batutat e parlamentit të rradhës, që konsumohen gjatë gjithë javës nëpër lokale e zyra. Nuk dihet nëse një bashkëqeverisje pas 25 qershorit është rruga e vetme për të dalë nga ky tunel dhune verbale, politike, ekonomike e sociale. Ajo që dihet është se po jetojmë brenda mureve të një sistemi të dështuar nga rrënjët. Të një sistemi i cili po funksionon aq keq, saqë duket e pamundur të konkurojë sot me çfarëdo formule që do t’i vinim përballë. Përfshirë atë të një qeverie me dy koka: njëra e Edi Ramës, e tjetra e Bashë-Berishës.

Next Post
Konfirmohet trajneri i ri i Barcelonës

Konfirmohet trajneri i ri i Barcelonës

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Ndoshta nuk do të ecin kurrë”, këngëtarja rrëfen diagnozën e rrallë të vajzave binjake

“Ndoshta nuk do të ecin kurrë”, këngëtarja rrëfen diagnozën e rrallë të vajzave binjake

January 4, 2026
Rrëmbimi i Maduros nga SHBA, zyrtarët e lartë venezuelas: Qeveria qëndron e bashkuar!

Rrëmbimi i Maduros nga SHBA, zyrtarët e lartë venezuelas: Qeveria qëndron e bashkuar!

January 4, 2026
“Do të largohem, mirupafshim”/ Stine bën gati valixhet, Iliri përlotet, cili ishte plani i banorit

“Do të largohem, mirupafshim”/ Stine bën gati valixhet, Iliri përlotet, cili ishte plani i banorit

January 4, 2026
Kina kërkon lirimin e Maduros, Këshilli i Sigurimit i OKB do të mbajë mbledhje urgjente

Kina kërkon lirimin e Maduros, Këshilli i Sigurimit i OKB do të mbajë mbledhje urgjente

January 4, 2026
Asllani ndjek fitoren e Torinos nga stoli, Ismajli vendimtar me asist

Asllani ndjek fitoren e Torinos nga stoli, Ismajli vendimtar me asist

January 4, 2026
Librashitësi i fundit i Gazës: I dogjëm librat për t’u ngrohur, por kultura mbetet

Librashitësi i fundit i Gazës: I dogjëm librat për t’u ngrohur, por kultura mbetet

January 4, 2026
Dështimet e ‘trashëgimtarit’ të Chávez, fiksimi i Nicolás Maduro me tradhtinë

Dështimet e ‘trashëgimtarit’ të Chávez, fiksimi i Nicolás Maduro me tradhtinë

January 4, 2026
Kush është gjyqtari ‘i hekurt’ që do të vendosë fatin e Nicolas Maduros në New Jork

Kush është gjyqtari ‘i hekurt’ që do të vendosë fatin e Nicolas Maduros në New Jork

January 4, 2026
Përjashtimet në PD/ Hila: Alibeaj tregoi se si do të qeveriset fraksioni i Bashës!

Pse gëzon Tirana më shumë se Karakasi?

January 4, 2026
Rubio: SHBA-të, sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje me drogë në Karaibe

Paqartësi për të ardhmen e Venezuelës, Rubio: SHBA do të vendosë karantinë ushtarake

January 4, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In