• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, July 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Marrëveshja e Re” e Elisa Spiropalit, mes vetëkorrigjimit dhe barrës të së shkuarës

by Altin Ketro
17/07/2026 18:15
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Altin Ketro

Hapja e debatit për një “Marrëveshje të Re” brenda Partisë Socialiste nga zonja Spiropali, është një zhvillim që meriton vëmendje, sidomos në një moment kur kjo forcë politike po përballet me nevojën për të rishikuar mënyrën si qeveris dhe komunikon me qytetarët. Në një mjedis politik ku shpesh dominon konformizmi, ajo thekson problemin e distancës që është krijuar mes mazhorancës dhe një pjese të opinionit publik, parë kjo edhe në optikën e protestave në bulevard. Me këtë mocion, zonja Spiropali synon ta vendosë veten në qendër të debatit për reformimin e PS dhe ta paraqesë atë si një moment ndryshimi. Ajo jo vetëm që pranon ekzistencën e pakënaqësisë qytetare në rrugë, por tregon gatishmërinë që t’i kërkojë mazhorancës më shumë përulësi, më pak arrogancë dhe një reflektim të thellë për të ardhmen. Parimet e rreshtuara në dokument, që nga shtimi i garës së brendshme, dëgjimi i zërave kritikë, e deri te nevoja për një kulturë të re politike, janë të bukura dhe teorikisht të pakundërshtueshme.

Mirëpo, pikërisht sepse kjo nismë vjen si një ftesë për dialog të hapur, ajo duhet analizuar jo vetëm përmes ideve që propozon, por edhe përmes përputhjes së tyre me realitetin politik ku lindën. Kur kjo platformë krahasohet me mënyrën si ka funksionuar mazhoranca gjatë kësaj dekade, dalin në pah disa kundërthënie të rëndësishme. Mocioni synon të adresojë me fjalë pikërisht ato fenomene që sistemi politik i ka ushqyer përgjatë viteve dhe nga të cilat vetë protagonistja e tij ka qenë një nga përfitueset më të mëdha politike.

Problemi i parë që del në pah lidhet me mënyrën se si ky mocion e trajton përgjegjësinë politike dhe të ashtuquajturin “vetëpastrim”. Mocioni rreshtohet pas vijës zyrtare të distancimit të menjëhershëm të partisë nga kushdo që përballet me akuzat e SPAK-ut. Si pragmatizëm politik i ditës, kjo qasje mund të funksionojë për konsum publik. Por si standard moral, ajo krijon një thyerje të madhe logjike brenda të njëjtës familje politike.

Ky standard harron historinë jo aq të largët. Nëse kthehemi në vitet 2013-2015, kohë kur autorja e këtij mocioni drejtonte Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ndaj saj u hodhën akuza jashtëzakonisht të rënda politike dhe publike për abuzime. Në fakt, ajo ishte e para zyrtare e lartë e PS që u shndërrua në një tabelë qitjeje nga opozita. Në atë kohë, Shqipëria nuk e kishte një strukturë si SPAK dhe sistemi i drejtësisë i asaj periudhe nuk kishte të njëjtin nivel vullneti e pavarësie që synohet sot përmes reformës në drejtësi për të hetuar zyrtarët e lartë. Rrjedhimisht, ato akuza nuk u provuan kurrë dhe mbetën në nivelin e retorikës. Partia Socialiste e asaj kohe zgjodhi ta mbrojë dhe ta promovojë zonjën Spiropali, duke u bazuar te solidariteti politik dhe prezumimi i pafajësisë.

Po nëse në vitet 2013-2015 do të ekzistonte SPAK-u i sotëm, a do të kishte të njëjtin fat politik autorja e mocionit? A do të mjaftonte thjesht nisja e një hetimi për ta distancuar apo “vetëpastruar” atë nga radhët e partisë? Ndarja e historisë politike në “para dhe pas SPAK-ut” krijon një pabarazi të madhe parimore. Nuk mund të ketë dy standarde morale brenda së njëjtës parti. Një për të shkuarën, kur akuzat politike relativizoheshin, dhe një tjetër për të tashmen, kur një hetim mjafton për të kërkuar distancim përpara se të shprehet gjykata me formë të prerë. Vetëpastrimi nuk mund të jetë një proces me përzgjedhje kohore në varësi të rrethanave komode të individit. Rasti i Lulzim Bashës, i cili mori një rol më të theksuar si denoncues i korrupsionit pasi mbylli me procedurë përballjet e tij me drejtësinë e vjetër, është një shembull i këtij paradoksi politik.

Kjo kontraditë merr përmasa thuajse ironike pikërisht te pika ku mocioni propozon “ndarjen e qartë të Partisë nga Shteti” dhe kërkon që administrata t’i shërbejë ligjit e jo “cikleve politike apo individëve me pushtet”. Ky pohim tingëllon si një thirrje e drejtë, por harron se “drejtorokracia” dhe ndërthurja e shtetit me partinë nuk u lindën sot. Ky model u konsolidua përgjatë tre dekadave pikërisht sepse ciklet tona politike i shndërruan zyrat e rëndësishme shtetërore në inkubatorë karriere për individë me pushtet, të cilët u katapultuan nga drejtorë direkt në listat e deputetëve dhe në kabinete ministrore. Kur elita që u ngrit dhe përfitoi maksimalisht nga ky “ashensor i privilegjuar” administrativ kërkon sot një ndarje më të qartë mes partisë dhe shtetit, kjo është një ambicie legjitime. Megjithatë, pa një reflektim të qartë mbi mënyrën se si ky model u ndërtua dhe u përdor edhe nga vetë ajo elitë, mesazhi rrezikon të perceptohet si një përpjekje për t’u shkëputur nga e shkuara pa e përballur atë.

I njëjti qëndrim vërehet edhe te thirrja e mocionit për të krijuar “më shumë hapësirë për brezin e ri” dhe që të rinjtë të mos jenë thjesht pjesëmarrës në fushata, por edhe në vendimmarrje. Megjithatë, Partia Socialiste e ka zbatuar tashmë në shkallë të gjerë këtë politikë përtëritjeje, duke rinovuar rreth 40% të grupit të saj parlamentar përgjatë kësaj legjislature dhe duke sjellë në politikë e në institucionet qendrore një numër të madh të rinjsh. Për më tepër, ishin pikërisht këta të rinj që, në fillim të angazhimit të tyre, mbajtën barrën e një stigmatizimi të fortë publik, me argumentin se “nuk kishin përvojë”. Problemi sot nuk është thjesht mungesa e hapësirave apo e vullnetit për të përfshirë të rinjtë në vendimmarrje, por vlerësimi i kontributit të atyre që tashmë janë bërë pjesë e saj. Kjo nuk do të thotë se nuk ka ende vend për përmirësim, por e bën të diskutueshme pretendimin se mungesa e hapësirës për të rinjtë mbetet sfida kryesore.

Mocioni gjithashtu godet sistemin aktual zgjedhor rajonal të trashëguar pjesërisht nga viti 2008 dhe kërkon kalimin në një Sistem Proporcional Kombëtar me lista të hapura, duke pretenduar se ky model rikthen përfaqësimin. Nga pikëpamja e përfaqësimit territorial, ky propozim ngre një shqetësim serioz. Sepse sistemi aktual rajonal, pavarësisht mangësive të tij, garanton që çdo qark të ketë kuotën e vet të sigurt të përfaqësimit në Parlament, duke bërë që edhe zonat më të vogla apo veriore të kenë zërin e tyre. Kalimi në një sistem proporcional kombëtar rrezikon ta kthejë Parlamentin në një klub ekskluziv të metropolit Tiranë-Durrës. Në një garë kombëtare, kandidatët e qarqeve më të vogla apo të Veriut do ta kishin dukshëm më të vështirë të konkurronin me peshën demografike të Shqipërisë së Mesme, duke krijuar rrezikun që rajone të tëra të mbeteshin me një përfaqësim më të dobët territorial. Fakti që zonja Spiropali e ka ndërtuar karrierën e saj politike pikërisht nën rregullat e sistemit aktual nuk e bën të pavlefshëm propozimin, por e bën të domosdoshëm një argumentim më të plotë se përse modeli i ri do të ishte realisht më përfaqësues.

Mocioni i deputetes Spiropali mbart një dozë të lartë idealizmi, por ai dështon të zgjidhë paradokset e brendshme. Përpara se të kërkohet një “kontratë e re besimi” me qytetarët, ekziston detyrimi për të bërë një marrëveshje të sinqertë me të vërtetat e historisë. Vetëkorrigjimi nuk nis vetëm me ndryshimin e rregullave apo me reagimin ndaj hetimeve, por me zbatimin e të njëjtës peshore etike për postet që janë mbajtur dje dhe ato që mbahen sot. Këtu qëndron edhe problemi kryesor i kësaj nisme. Jo te idetë që propozon, por te hendeku mes këtyre ideve dhe historisë politike të atyre që i artikulojnë.

Kjo nuk do të thotë se mocioni nuk ngre edhe çështje që meritojnë adresim. Disa prej propozimeve për përmirësimin e funksionimit të Partisë Socialiste, forcimin e standardeve të qeverisjes apo rritjen e cilësisë së administrimit publik janë të vlefshme dhe mund të shërbejnë si bazë për reflektim. Në këtë analizë u ndala vetëm te ato pika që m’u dukën më kontradiktore në raport me historinë politike të mazhorancës dhe me rolin e vetë autores së mocionit.

Next Post
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

Spiralja e panevojshme ku po zhytet Agron Shehaj me “deklaratat” e pasurisë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Projekti i plotë/ Mazniku tregon rrugën që do ndiqet me reformën territoriale në 61 bashkitë e vendit

Mazniku e konfirmon: Shqipëria do të ketë më pak bashki në zgjedhjet e 2027-ës

July 17, 2026
Finalja e Botërorit në Nju Jork, 10 gjërat që duhet të dini para sfidës Spanjë-Argjentinë

Finalja e Botërorit në Nju Jork, 10 gjërat që duhet të dini para sfidës Spanjë-Argjentinë

July 17, 2026
Manja i kujton transparencën Shehajt: Ndize kamerën edhe për veten, provo ligjshmërinë e vilës

Manja i kujton transparencën Shehajt: Ndize kamerën edhe për veten, provo ligjshmërinë e vilës

July 17, 2026
Vodhi 100 000 lekë në një biznes në Durrës, arrestohet 37-vjeçari

Vodhi 100 000 lekë në një biznes në Durrës, arrestohet 37-vjeçari

July 17, 2026
Ngadalësohet rritja e turizmit në qershor, Gonxhja: Ekonomia paguan situatën nga protestat

Ngadalësohet rritja e turizmit në qershor, Gonxhja: Ekonomia paguan situatën nga protestat

July 17, 2026
Deklarata e Paunoviqit për spastrim etnik të Kosovës, eurodeputeti gjerman: Pres që ajo të shkarkohet nga detyra

Deklarata e Paunoviqit për spastrim etnik të Kosovës, eurodeputeti gjerman: Pres që ajo të shkarkohet nga detyra

July 17, 2026
Shqipëria në rrugën drejt BE-së, Marta Kos: Për herë të parë ka nisur realisht mbylljen e kapitujve

Shqipëria në rrugën drejt BE-së, Marta Kos: Për herë të parë ka nisur realisht mbylljen e kapitujve

July 17, 2026
Transparencë e shërbimeve publike, lançohet platforma kombëtare për raportim të problematikave

Transparencë e shërbimeve publike, lançohet platforma kombëtare për raportim të problematikave

July 17, 2026
Tërmeti me magnitudë 7.4 në Meksikë, momenti kur ndërtesat ‘shkunden’ nga vendi, banorët në panik (VIDEO)

Tërmeti me magnitudë 7.4 në Meksikë, momenti kur ndërtesat ‘shkunden’ nga vendi, banorët në panik (VIDEO)

July 17, 2026
Dita e 48-ë e protestës përpara Kryeministrisë, zbehet dukshëm pjesëmarrja (VIDEO)

Dita e 48-ë e protestës përpara Kryeministrisë, zbehet dukshëm pjesëmarrja (VIDEO)

July 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In