Kompanitë evropiane pritet të shtojnë investimet në Kinë, kryesisht në sektorët e sigurimeve, kujdesit shëndetësor dhe automjeteve, pasi ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe Bashkimi Evropian ranë dakord për një marrëveshje investimesh muajin e kaluar, thonë avokatët dhe bankierët.
Marrëveshja, negocioatat për të cilën zgjatën gati shtatë vjet dhe që përmban angazhimin për një liberalizim më të madh të tregut kinez, ka të ngjarë të kërkojë një vit tjetër për të hyrë në fuqi. Nuk është e qartë nëse marrëveshja jep më shumë hapësirë për bashkime e blerje kompanish.
Sidoqoftë, bankierët besojnë se fluksi i marrëveshjeve për investime në Kinë, që për dekada ka qenë i vogël krahasuar me madhësinë e ekonomisë dhe potencialin e tregut të Kinës, për shkak të pengesave për hyrjen e kapitalit të huaj, do të rritet me kalimin e kohës.
Marrëveshja, e rënë dakord më 30 dhjetor, u mundëson firmave evropiane të operojnë në Kinë në sektorin e makinave elektrike, të shërbimeve të telekomit cloud dhe në disa veprimtari të lidhura me transportin ajror dhe detar.
Ato gjithashtu do të lejohen të zotërojnë plotësisht njësi në sektorin e automobilave, shumë shërbime financiare, spitale private, reklama, pasuri të paluajtshme dhe shërbime mjedisore, të tilla si ujërat e zeza.
“Këto janë zonat kryesore të rritjes me një sasi të madhe investimesh dhe kompanitë e BE-së janë shumë të etura për t’u përfshirë në to,” tha Alan Wang, partner në firmën ligjore “Freshfields Bruckhaus Deringer”.
Mëkëmbja ekonomike e Kinës, në dallim me shumicën e ekonomive kryesore të ndikuara nga masat për të kontrolluar pandeminë e COVID-19, do ta bëjë tregun e saj, veçanërisht sektorët e kujdesit shëndetësor dhe farmaceutikës, më tërheqës për investitorët e BE-së, theksoi Wang.











