Ky proces, pra largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë, është përcaktues për t’i hapur rrugë një procesi tjetër edhe më të rëndësishëm: Vetingut të politikanëve. Bëhet fjalë për ngritjen e institucioneve anti-korrupsion: Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit elitar.
Ngritja e institucioneve në fjalë, parashikuar në ligjin e SPAK, është e ndërlidhur me zbatimin e ligjit të Vetingut të drejtësisë. Konkretisht, pika 5 e nenit 6 të ligjit për SPAK-un parashikon ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për gjyqtar dhe nëpunës civil gjyqësor në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për prokuror dhe personel administrativ në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtor dhe hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit. Asnjë kandidat nuk mund të emërohet në tre strukturat në fjalë pa kaluar në filtrin e këtij komisioni.
Por, që ky komision të konstituohet, duhet që të jenë ngritur organet e Vetingut. Ligji parashikon që komisioni përbëhet nga anëtarë që kanë kaluar me sukses skanerin e trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e papërshtatshme me krimin dhe testin e aftësive profesionale. Me ngritjen e organeve të Vetingut, hapet rruga edhe për ngritjen e këtij komisioni, i cili do të dominojë kandidatët për në strukturat e reja anti-korrupsion, të cilat do të kenë në shënjestër pikërisht politikanët.
Afatet
Në ligjin për SPAK ka disa afate që diktojnë ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Ligji për SPAK, po nën presionin e fortë të SHBA-BE është miratuar dhe ka hyrë në fuqi në tetor të vitit 2016. Pika, 4 e nenit 57 të ligjit për SPAK parashikon që Byrosë Kombëtare të Hetimit i sigurohet një mjedis i përshtatshëm pune dhe pajiset brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ky afat është tejkaluar, por ka disa afate të tjera, që detyrojnë ligjvënësit të zbatojnë këtë ligj. Prokuroria e Posaçme, Byroja e Hetimit dhe Gjykatat Speciale duhet të ngrihen të paktën 300 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit në rastin koret, deri në muajit gusht. Kjo për arsyen se ligjit parashikon që të gjitha dosjet e korrupsionit dhe krimit, objekt të SPAK, duhet ta kalojnë në duart e Gjykatave Speciale dhe Prokurorisë së Posaçme. Konkretisht, pika 6 i nenit 57 të ligjit për SPAK parashikon që në mënyrë që të respektohet e drejta e të pandehurve për një gjykim të drejtë, çështjet që do të jenë në gjykim para gjykatave për krimet e rënda në ditën e 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten nën kompetencën e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëse ato nuk bëjnë pjesë në kompetencën parësore apo dytësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas këtij ligji. Këto çështje ndiqen penalisht nga Prokuroria e Posaçme. Në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kompetencat e parashikuara nga nenet 8 dhe 9, të këtij ligji, u kalojnë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme.
Zbarkimi i amerikanëve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do të asistojnë për ngritjen, funksionimin dhe monitorimin e veprimtarisë së institucioneve anti-korrupsion, sidomos të Byrosë së Kombëtare të Hetimit. Angazhimi i SHBA-BE është parashikuar në ligj. Konkretisht, pika 9 i ligjit për SPAK, parashikon që një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Zbatimi i Vetingut
Zbatimi i Vetingut në drejtësi i hap rrugë ngritjes së institucioneve anti-korrupsion: Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit elitar.
Ndërvarja
Kandidatët për organet e reja anti-korrupsion duhet të kalojnë në filtrin e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve. Por, anëtarët e këtij komisioni duhet të kalojnë Vetingun.
Veprat penale në kompetencë të Byrosë dhe Prokurorisë së Posaçme
- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
- Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.
- Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet.
- Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
- Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me burgim deri në tre vjet.
- Genocidi, dënohet jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Krime kundër njerëzimit, vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet etj., dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Krimet e luftës, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasja për gjakmarrje, dënohet jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasjet në rrethana të tjera cilësuese, dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasja e funksionarëve publikë, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit.
- Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare.
- Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim të përjetshëm.
- Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, dënohet deri në pesëmbëdhjetë vjet, kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm.
- Trafikimi i personave të rritur, dënohet nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
- Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
- Trafikimi i të miturve, dënohen nga dhjetë deri në njëzet vjet.
- Atentati, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Komploti, dënohet nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
- Kryengritja, nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet, udhëheqësit me burgim të përjetshëm.
- Vepra me qëllime terroriste, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Financimi i terrorizmit, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
- Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
- Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave terroriste, jo më pak se dhjetë vjet.
- Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, jo më pak se shtatë vjet.
- Thirrja publike për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, nga katër deri në dhjetë vjet.
- Prodhimi i armëve luftarake, nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
- Organizata terroriste, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
- Banda e armatosur, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
- Nxitja e urrejtjes ose grindjeve, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
- Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
- Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
- Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj, dënohet me deri në tre vjet.
- Trafikimi i armëve dhe i municionit, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
- Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
- Trafikimi i narkotikëve, dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
- Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, dënohet nga 10 deri në 20 vjet.
- Organizata kriminale, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
- Grupi i strukturuar kriminal, dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet. /shqiptarja.com
ma.me