Pyetja themelore nuk është vetëm nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës, por nëse elitat e saj politike do ta kuptojnë se e ardhmja evropiane ndërtohet mbi dialog gjithëpërfshirës, kompromis demokratik, bashkëjetesë dhe përgjegjësi historike ndaj qytetarëve të saj. Historia nuk do t’i kujtojë ata që vendosën “vija të kuqe” ndaj së ardhmes, por ata që patën guximin politik të ndërtojnë ura mbi krizat dhe ndarjet.
Nga Prof. dr. Skender Asani
Përkushtimi ndaj eurointegrimit ka qenë një nga prioritetet më të larta politike dhe qytetare të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që nga themelimi i shtetit në vitet ’90. Për dekada me radhë, qytetarët kanë investuar besimin, durimin dhe optimizmin e tyre në bindjen se projekti evropian do të garantojë stabilitet, demokraci funksionale, barazi ndëretnike dhe avancim institucional. Kjo rrugë tregon se pothuaj çdo hap drejt strukturave euroatlantike është shoqëruar me pengesa të reja, herë të nxitura nga faktorë të jashtëm me agjenda gjeopolitike dhe herë të gjeneruara nga dinamikat e brendshme politike që kanë frenuar reformat dhe konsensusin shtetëror.
Procesi i integrimit evropian është shndërruar në një përpjekje të zgjatur, të karakterizuar nga vonesa, pasiguri dhe kriza të përsëritura, ku idealet qytetare shpesh bien ndesh me kalkulimet afatshkurtra politike. Aktualisht, ky proces ndodhet në një pikë kthese, e cila do të ndikojë jo vetëm drejtimin strategjik të shtetit, por edhe identitetin e tij demokratik, karakterin multietnik dhe besueshmërinë e projektit evropian në rajon.
Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, të reflektuara në deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetërorë lidhur me refuzimin e ndryshimeve kushtetuese dhe përcaktimin e “vijave të kuqe”, sinjalizojnë fillimin e një faze të re tensionesh institucionale dhe diplomatike, me pasoja të mundshme afatgjata për stabilitetin e brendshëm dhe orientimin strategjik euroatlantik të vendit. Deklarata e ministrit të Jashtëm Timço Mucunski, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, se shteti “nuk është i gatshëm për ndryshime kushtetuese”, nuk duhet parë vetëm si qëndrim politik i zakonshëm apo si pjesë e një debati të brendshëm procedural. Përkundrazi, ajo sinjalizon një ndryshim të qartë në diskursin zyrtar, i cili po largohet gradualisht nga paradigma integruese dhe po hyn në një fazë të retorikës më konfrontuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Kjo ndodh në prag të debatit të rëndësishëm që pritet të zhvillohet në mesin e qershorit në Parlamentin Evropian, ku eurodeputeti Thomas Waitz do të paraqesë raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Ky debat vlerësohet si një nga më të ndjeshmit dhe më të diskutueshmit në vitet e fundit, sipas analizave diplomatike dhe politike. Fokusi i tij do të përfshijë jo vetëm bllokimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese, por edhe shqetësimet mbi funksionimin demokratik, respektimin e standardeve evropiane dhe ruajtjen e karakterit multietnik të kornizës kushtetuese. Vendimi i ardhshëm i Parlamentit Evropian mund të marrë një ton paralajmërues dhe kritik politik, duke sinjalizuar se procesi i eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut ndodhet në një fazë vendimtare, potencialisht në një nga etapat përmbyllëse të izolimit të zgjatur institucional dhe diplomatik.
Një aspekt shqetësues i situatës aktuale është perceptimi në rritje në qarqet ndërkombëtare se esenca e Marrëveshjes së Ohrit po zbehet gradualisht, si pasojë e politikave të centralizimit institucional, relativizimit të të drejtave kolektive dhe rritjes së tensioneve ndëretnike. Marrëveshja e Ohrit, e konsideruar historikisht si themel i stabilitetit dhe bashkëjetesës në vend, duket se po humb peshën e saj politike, ndërsa çështje si përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi institucional dhe balanca ndëretnike po trajtohen gjithnjë e më shumë si tema të zakonshme politike, e jo si parime të pandryshueshme të rendit kushtetues. Kjo krijon paqëndrueshmëri politike dhe psikologjike, veçanërisht tek shqiptarët që e shohin Marrëveshjen e Ohrit si garanci për ekzistencën e tyre politike dhe institucionale.
Nga këndvështrimi i analizës së komunikimit politik, retorika aktuale qeveritare përfaqëson një model tipik të ndërtimit të narrativës së “rrethimit politik”, ku përgjegjësia për krizën zhvendoset jashtë dhe aktorët ndërkombëtarë paraqiten si pengesë për sovranitetin dhe identitetin kombëtar. Ky model përdoret zakonisht nga qeveritë që përballen me krizë legjitimiteti ose vonesa reformash, duke synuar mobilizimin e opinionit të brendshëm përmes diskursit emocional dhe nacionalist. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, kjo qasje mbart rrezik serioz politik, pasi mund të thellojë polarizimin ndëretnik, të rrisë tensionet me partnerët euroatlantikë dhe të minojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Komuniteti ndërkombëtar duhet ta trajtojë këtë moment politik me seriozitet të shtuar, duke mos e reduktuar situatën vetëm në çështje teknike të ndryshimeve kushtetuese apo mosmarrëveshjeve bilaterale. Kriza aktuale ka marrë karakter strukturor dhe ndikon drejtpërdrejt në drejtimin strategjik të shtetit. Çdo vonesë në angazhimin diplomatik dhe politik mund të ketë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin rajonal, veçanërisht duke pasur parasysh ndjeshmërinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor.
Mungesa e një angazhimi të qartë dhe transparent ndërkombëtar për të garantuar standardet demokratike, për të mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit dhe për të ruajtur procesin e integrimit evropian rrit rrezikun që Maqedonia e Veriut të hyjë në një cikël të ri krize politike dhe institucionale, me pasoja afatgjata për të gjithë rajonin.
Kjo analizë synon të shërbejë si një paralajmërim politik dhe diplomatik për opinionin vendor dhe ndërkombëtar, duke theksuar se debati i qershorit në Parlamentin Evropian nuk duhet parë si një formalitet parlamentar, por si një moment vendimtar për të ardhmen demokratike, multietnike dhe evropiane të Maqedonisë së Veriut. Nëse proceset aktuale vazhdojnë me të njëjtën dinamikë polarizimi politik dhe retorikë përjashtuese, rreziku i izolimit politik dhe krizës së brendshme bëhet gjithnjë e më real, me pasoja që tejkalojnë diskursin politik dhe prekin stabilitetin institucional dhe kohezionin shoqëror të shtetit.
Diskursi mbi krizën aktuale politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut ka tejkaluar debatet procedurale mbi ndryshimet kushtetuese dhe tashmë prek çështjen thelbësore të orientimit historik të shtetit dhe aftësisë së tij për të ruajtur identitetin demokratik, multietnik dhe evropian. Eskalimi i diskursit politik, relativizimi gradual i standardeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe krijimi i një atmosfere konfrontuese me partnerët ndërkombëtarë rrezikojnë jo vetëm procesin e integrimit evropian, por edhe besimin qytetar dhe kohezionin institucional.
Prandaj, momenti aktual kërkon maturi qeveritare, vizion strategjik dhe rikthim të kulturës së dialogut politik si kusht thelbësor për shmangien e izolimit dhe ruajtjen e orientimit evropian të vendit.
Pyetja themelore nuk është vetëm nëse Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës, por nëse elitat e saj politike do ta kuptojnë se e ardhmja evropiane ndërtohet mbi dialog gjithëpërfshirës, kompromis demokratik, bashkëjetesë dhe përgjegjësi historike ndaj qytetarëve të saj.
Historia nuk do t’i kujtojë ata që vendosën “vija të kuqe” ndaj së ardhmes, por ata që patën guximin politik të ndërtojnë ura mbi krizat dhe ndarjet.
Shkup, 11 maj 2026











