Në Shkup sot do të zhvillohet raundi i radhës i negociatave midis kryetarëve të katër partive kryesore për zgjidhjen e krizës, bën të ditur agjencia maqedonase e lajmeve INA.
Në kuadër të këtyre negociatave që do të zhvillohen në rezidencën e ambasadorit të BE-së në Shkup, Aivo Orav, do të jenë edhe Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn si dhe treshja e eurodeputetëve Richart Hoëitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl.
Mediat kanë raportuar se ardhja e eurokomisionerit Hahn do të synojë gjetjen e një zgjidhje urgjente për tejkalimin e krizës politike.
Maja Koçijançiç, zëdhënëse e zyrës së eurokomisionerit Hahn deklaroi se do të kërkohet zgjidhje urgjente e krizës dhe se palët duhet të bëjnë përpjekjet për të arritur këtë për të hapur rrugën e procesit të eurointegrimeve dhe dialogut.
Opozita maqedonase rikonfirmoi se mbetet në kërkesat e saj për dorëheqje të Gruevskit, kryeprokurorit Zvrlevskit, drejtorit të RTVM-së dhe të gjithë zyrtarëve të prekur nga përgjimet, ndërsa si zgjidhje e përkohëshme është qeveria kalimtare.
VMRO-DPMNE e Nikola Gruevski deri tani ka hedhur poshtë zërat për dorëheqje dhe se do të vazhdojë të kërkojë formula të tjera për zgjidhjen e krizës.
Nga ana tjetër, partitë shqiptare siç paralajmëruan kanë një axhendë me kërkesa që në fokus do të jenë çështje që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve. ATA









