Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë një histori takimesh të çuditshme.
Ishte takimi i tyre i parë në Gjermani, kur Trump ia konfiskoi shënimet përkthyesit të tij për të fshehur çdo provë se çfarë kishte ndodhur në dhomë. Rasti në Vietnam kur Trump e mori për të vërtetë deklaratën e Putinit se Moska nuk ishte përfshirë në zgjedhjet e vitit 2016. Dhe samiti i tyre në Helsinki, kur Trump vuri në dyshim analizën e shërbimeve të tij të inteligjencës, duke iu referuar mohimit të fortë të Putin-it.
Tani, ndërsa të dy liderët po përgatiten për takimin e tyre të parë ballë për ballë që prej kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, politikanët dhe analistët po përgatiten për një takim jo konvencional, ku Trump do të shfaqet më pak i kufizuar se në mandatin e tij të parë.
Shumëkush frikësohet se, nëse takimet e mëparshme janë ndonjë tregues, do të jetë Putin-i, (operativi i vjetër i KGB-së i kthyer në autocrat) ai që do të ketë përparësi, jo e kundërta.
“Nuk ka asnjë mënyrë që të kalosh nga zero progres në një samit që i jep fund luftës për më pak se një javë,” tha Samuel Charap, shkencëtar politik në Rand Corporation.
“Por Trump ka këtë besim të pandalshëm në karizmën e tij dhe aftësinë për të bindur homologët e vet për atë që ai e konsideron logjike dhe të drejtë.”
Ish-presidenti francez François Hollande, i cili në vitin 2015 bashkë-udhëhoqi negociatat e paqes me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Putinin për Ukrainën, ka një paralajmërim për presidentin amerikan: “Teknika e Putinit është gënjeshtra profesionale.”
“Do të ishte mirë për Trump-in të tregonte se ka njohuri të detajuara për situatën në terren,” i tha Hollande gazetës Financial Times.
Kur Trump dhe Putin u takuan për herë të parë, në korrik të vitit 2017, Trump ishte i rënduar nga hetimet për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhje dhe kishte një mosbesim të ndërsjellë mes tij dhe këshilltarëve të vet të politikës së jashtme.
Të dy presidentët u takuan në margjinat e samitit të G20-ës në Hamburg, të shoqëruar nga ministri i Jashtëm rus dhe sekretari amerikan i Shtetit, si dhe dy përkthyes. Më vonë, Trump mori shënimet e përkthyesit dhe i kërkoi atij të mos i tregonte askujt për përmbajtjen e takimit.
Në darkën e asaj nate, Trump iu afrua Putin-it për një bisedë dytësore, ku ishte i pranishëm vetëm përkthyesi i Putin-it dhe asnjë zyrtar amerikan.
Në takimin e tyre të ardhshëm në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Vietnam në nëntor të po atij viti, Trump përsëriti pretendimin e Putin-it se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.
Të dy u takuan sërish në Helsinki, në korrik të vitit 2018, vetëm me përkthyesit përkatës. Kur u pyet në një konferencë shtypi nëse i besonte më shumë agjencive të tij të inteligjencës apo presidentit rus, Trump tha se i besonte të dyve, por shtoi: “Presidenti Putin thotë se nuk është Rusia. Nuk shoh ndonjë arsye pse do të ishte.”
Ata u takuan sërish, joformalisht, në margjinat e samitit të G20-ës në Buenos Aires më vonë atë vit, ku Trump përsëri nuk mori me vete asnjë përkthyes apo person që të mbante shënime.
Samiti i kësaj jave përfaqëson mundësinë më të fundit që Trump të riformulojë marrëdhënien e tij me Putinin dhe të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj presidentit rus. Por pak e presin këtë.
“Putini do të përpiqet ta bindë Trumpin se (pozicioni rus) është më i mirë nga sa është në të vërtetë. Ndërkohë që për Trump-in është shumë më e rëndësishme ta bëjë këtë marrëveshje dhe ta paraqesë si një fitore të re në ruajtjen e paqes,” tha Kirill Rogov, sociolog dhe studiues në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë. “Kjo nuk sjell asgjë, por Trump shmang nevojën për të ndërmarrë veprime vendimtare.”
Hollande, i cili kaloi 17 orë në kryeqytetin e Bjellorusisë në shkurt të vitit 2015 për të nënshkruar të ashtuquajturën marrëveshje Minsk 2 për armëpushim në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, tha se Putini ndoshta do të luajë për kohë.
“Ai nuk ka nxitim,” tha ish-presidenti francez. “E di që do të jetë ende në pushtet pas një muaji, dy vjetësh, ndoshta deri në fund të jetës së tij. Trump e ka me nxitim sepse ka premtuar të zgjidhë të gjitha konfliktet botërore dhe do rezultate.”
Edhe zgjatja e tepërt e diskutimeve ishte një model, kujton Hollande. “Putin do të nisë takimin duke treguar gjithë historinë nga fillimi. Mund të zgjasë një orë, më shumë, nëse nuk e ndërpret. Metoda ruse e negociatave është që të zgjasin shumë por të mos ndodhë ndonjë gjë me rëndësi,” tha ai.
“Por në fund, ai gjithmonë ofronte një hapjje, një ndërmjetësim, një takim tjetër, një grup pune, në mënyrë që pala tjetër të mund të thoshte: shikoni, Putin ka lëvizur pak.”
Shpallja e gënjeshtrave të pastra ishte gjithashtu një nga truket e liderit rus, tha Hollande. Për shembull, Putin këmbëngulte se nuk kishte asnjë kontakt me separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore, megjithëse i financonte dhe i mbështeste ushtarakisht. “Ishte një gënjeshtër aq e madhe sa ishte mbresëlënëse,” tha Hollande.
Një diplomat gjerman i përfshirë në negociatat e Minskut e përshkroi Putinin si “një nga negociatorët më të zotë”. “Ai i di të gjitha temat, arsyetimet ligjore në detaje, por gjithmonë manipulon faktet. Duhet t’i njohësh faktet po aq mirë sa ai.”
Por faktet nuk janë pika e fortë e Trumpit, tha ai. Në fillim të vitit 2017, Merkel organizoi një telefonatë me presidentin amerikan për t’i shpjeguar se si Putin refuzonte të zbatonte marrëveshjen e Minskut. Trump thjesht e falënderoi dhe mbylli telefonin. Më vonë këshilltarët amerikanë i thanë ekipit të Merkel-it se Trump ishte zemëruar sepse ajo e kishte “qortuar”. “Jo vetëm që nuk i do faktet, por gjithashtu ka paragjykimet e veta, dhe Putin e di këtë,” tha diplomati.
Në kujtimet e saj, Merkel shkruan se ajo dhe Trump “flisnin në dy nivele të ndryshme: Trump-i në emocionalen; unë në faktualen.”
Putin ka një “keqbesim shumë të strukturuar, shumë të kujdesshëm”, tha një ish-këshilltar francez në ekipin negociator të Hollandes. Kur lideri rus refuzoi të pranonte çdo monitorim të jashtëm të kufirit Ukrainë-Rusi, ai “pretendoi se nuk ishte shkelur”, tha këshilltari. “Por sigurisht që kjo ishte sepse rusët e kalonin kurdo që donin.”
Për takimin në Alaskë, këshilltari tha: “Rusët nuk do të bëjnë ndonjë marrëveshje. Putin vetëm ka nevojë që Trump të ndalojë mbështetjen për Ukrainën, gjë që është natyrisht prirje e Trump-it.”
Sociologu Rogov tha se Putin mund të jetë më i interesuar për negociata tani se më parë, pasi ofensiva ruse verore në Ukrainë nuk ishte po aq e suksesshme sa vitin e kaluar. Perspektiva që Trump mund të trembë Indinë nga blerjet e naftës me kërcënimin e tarifave i ka ndërlikuar punët edhe më shumë.
Duke e krahasuar me administratën e tij të parë, kur Trump ishte i kufizuar nga një Kongres i ashpër dhe nga zyrtarë që donin të vendosnin kufij në marrëdhënie me Putin-in, tani presidenti amerikan tani përballet me më pak kontrolle mbi pushtetin e tij. Ligjvënësit republikanë janë të frikësuar dhe aparati i politikës së jashtme është lënë mënjanë.
“Ai është i pakufizuar”, tha një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti.
Trump dhe Steve Witkoff, i dërguari i tij special, e kanë drejtuar operacionin si dy “anët e tavolinës”, tha Andrew Weiss, nënkryetar në Carnegie Endowment for International Peace.
“Tani kemi Trump-in pa pengesa ose kundërpesha në administratën e vet të ulur me Putinin, i cili ka qenë në atë pozicion për rreth një dekadë pa pasur kolegë në afërsi të tij të menjëhershme”, tha Weiss.











