Kampionia e Suedisë, Malmo, po përgatitet për ndeshjen e parë që do ta zhvillojë në shtëpi në këtë edicion të Ligën e Kampionëve. Suedezët të mërkurën do të përballen me skuadrën spanjolle, Real Madrd. Mediumet në Suedi të martën kanë zbuluar planin e Malmos për të ndalur Real Madridin. Sipas tyre, drejtuesit e Malmos në krye me trajnerin Age Hareide kanë vendosur që për ndeshjen me Realin ta ngushtojnë fushën e lojës për nga një metër në të dy krahët dhe kështu të reduktojnë forcën sulmuese të madrilenëve nga krahët, shkruan “Koha Ditore”. Sipas tyre, kjo shihet si një mënyrë e mirë për të ndalur edhe portugezin Cristiano Ronaldo, i cili di të tregohet shumë i rrezikshëm në depërtimet nga krahu.
“Trajneri i Malmos, Age Hareide, e ka parasysh se ekipi i tij do të përballet me një skuadër të stërmbushur me yje dhe për këtë arsye ka kërkuar nga mirëmbajtësit të ngushtojnë fushën në mënyrë që t’u shkaktohet telashe futbollistëve të Realit, në veçanti Cristiano Ronaldos”, ka thënë një burim brenda ekipit suedez. “Ai beson se vetëm në këtë mënyrë mund të mposhtet Reali, pasi nuk do të ketë hapësira të mjaftueshme në krah”.
Ronaldo, 30-vjeçar, kundër Malmos do ta kërkojë golin e 500 në karrierë, por suedezët dëshirojnë me çdo kusht t’ia mohojnë një gjë të tillë. Portugezi para dy javëve, shënoi “hat-trick” në fitoren e Realit kundër Shakhtar Donetskut (4:0). Malmo në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve pësoi humbje në udhëtim ndaj PSG-së, 2:0.
Stadiumi i ekipit suedez, i cili ka kapacitet prej 24 mijë ulëseve do të jetë i stërmbushur, meqë të gjitha biletat për duelin me Realin tashmë janë shitur. Vetë trajneri suedez, Hareide, shpreson që ndaj Realit të marrë një rezultat pozitiv.









