Nga Gjergji Hamiti
Sot, ishte një ditë e veçantë për qytetin e Tiranës, pasi u konstituua Këshilli i ri Bashkiak i qytetit dhe u betua Kryetari i ri Bashkisë (kushdo qoftë ai, ky është vendimi i sovranit të Tiranës). Më kuriozoi ceremonia dhe po e ndiqja me kërshëri LIVE nëpëmjet mediave gjithmonë në kërkim të lajmit të parë. Ndonëse, edhe nga fakti se këto ditë, nënkryetari në largim i Bashkisë së Tiranës, z. Bozdo, në disa dalje mediatike, deklaroi me pompozitet se ndryshe nga paraardhësit e ish-Kryetarit të tij, ai do ta priste vetë Kryetarin e ri të Bashkisë, ku do t’i përcillte të gjithë dokumentacionin e punës së Bashkisë përgatitur nga stafi aktual. Sipas nënkryetarit Bozdo, asnjë drejtori/e nuk i ishte aprovuar leja vjetore pasi të gjithë duhet të ishin në dispozicion të informimit të Kryetarit të ri të Bashkisë. Duke shtuar në ligjaratën e tij, se nëse gjithmonë ky i fundit (kryetari i ri) do të kishte dëshirën dhe mirësinë t’i dëgjonte.
Në pamje të parë më la një shije pozitive, duke shpresuar se po tentohej të vendoseshin sinjale të reja nëpërmjet një standardi i ri komunikimi politik. Por duke ndjekur zhvillimet me vemendje, në disa televizione të ndryshme, në ditë të ndryshme, intervista me të njëjtin përmbajtje mesazhi, përfundimi ishte lehtësisht i kuptueshëm. Mes dikujt, që përpiqet thjesht të prodhojë PR me qëllim kurimin e imazhit për kredite politike dhe dikujt që tenton të prodhojë një kulturë të re komunikimi për interesa publike, Z. Bozdo zgjodhi kuratorin.
Nënkryetari në ikje, ekspozojë se kishte vetëm një objektiv. Synimin e të bërit një makiazh të fundit për PR-in e Kryetarit të tij politik. Largimin e tij u përpoq ta shiste, si një kapitull të ri komunikimi qytetarie, a thua se ky ishte kulmi i gjithë suksesit të të djathtëve në Bashkinë e Tiranës. Por atë e tradhëtuan gjestikulacionet, toni i zërit, mimika, mënyra e të shprehurit e me rradhë deri te argumentat e përdorura. Në atë intervistë mbizotërojë ironia, sarkazma, mllefi, kujdesi i tepruar për të ekspozuar bilance suksesi të një punë fiktive dhe njëkohësisht pafshehur dot as subkoshiencën e tij të keqardhur për ndarjen nga detyra. E si për t’i bërë indirekt elozhe punës “ekselente” të Bashkisë së Tiranës në këto katër vite, “çuditërishtë” ndërprer në mes nga vota e sovranit në 21 qershor, u shpreh se Kryetari i ri i Bashkisë është me fat se ka buxhetin e mjaftueshëm për të paguar pagat e punonjësve të Bashkisë. A thua, se sukses sot është t’i paguash rrogat punonjësve çdo fillim muaji.
Ndonëse, Partia e këtij ish-nënkryetari, përpiqet të përcjellë sinjale reformimi, moderimi e qasje të ndryshme nga politika e vjetër e udhëheqësit të dikurshëm, ajo nuk mundi të përcillte as modelin më të thjesht të të bërit një rotacion qytetar nga kryetari i vjetër tek i riu. Ajo që kudo në botë shihet si një standard normal rotacioni politik, në vendin tonë kjo do të përbënte thjesht një lajm “scoop-i” mediatik. E vërteta e madhe dhe e trishtë është se, Partia Demokratike, ka ndryshuar vetëm qimen, jo zakonin. Kjo duket qartë, edhe kur përfaqësuesve të opozitës i “soset” gjithmonë durimi për t’a çuar deri në fund një mbledhje ceremoniale. I’u sosë durimi në seancën e parë plenare të legjislaturës së XIII-të të shtatorit 2013, ju sosë durimi edhe sot gjatë mbledhjes së parë të mandatimit të Këshillit të ri Bashkiak, e pikërishtë gjatë betimit të Kryetarit të ri.
Sot, këshilltarët e së djathës nuk duhet të qëndronin aty thjesht në respekt të një betimi ceremonial të kryetarit të ri, por më shumë si një detyrim ndaj respektit legjitim të mandatimit të tij dhe vetë atyre prej sovranit. Ndonëse, prania e ministrit Çuçi në sallë (thjesht prezentë) ishte thjesht justifikimi, ligji i jep të drejtën çdo qytetari për të qenë i pranishëm në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Rrjedhoja e kësaj qasjeje të drejton tek logjika se, këshilltarët e të djathtës duhet të ishin të irrituar edhe nga prania pozitive e klerikëve në sallë.
Trajtimi si i “paligjshëm” i pranisë së Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, në këtë mbledhje konstituimi të Këshillit, ishte veç një justifikim për Këshilltarët e djathtë, me qëllim baltosjen e ceremonialit të marrjes së mandatit të kundërshtarit të tyre politikë, ardhur aty nga vota e sovranit. Fatkeqësishtë, PD-ja ende nuk ka ndryshuar përmbajtjen e filozofisë së saj politike, ndoshta vetëm pak makiazhin e saj.
Sot, ajo tregojë sërish se nuk ka ndërmënd të kontribuojë në bërjen përgjegjëse të qeverisjes në vendimmarrjet e saj. Aspak ndërmend, të kontribuojë me ide dhe zgjidhje alternative në funksion të zgjidhjes së problemeve që kanë sot qytetarët. Aspak ndërmend, të përcjellë një kulturë të re komunikimi politik, kur bëhet fjalë për interesat e publikut. Aspak ndërmend, të evitojë rënien e saj të lirë në inercinë e bojkotit si alternative e vetme. Përkundrazi, ajo vazhdon të tregojë se mbetet produkt i një filozofie tranzicioni të sëmurë, siç është bojkoti irracional, që justifikon dështimin e aspiratës për gjithëpërfshirje dhe bashkëpërgjegjësisë.
Fatkeqësisht, kultura politike që sot vazhdon të shfaqet nga këta shërbëtorë të shërbimit publik, qofshin të rinj e të reja, burra apo gra, i madh e i vogël, tregon se për këtë Parti është vështirë shkëputja nga sindroma e një tranzicioni rraskapitës mbi dy dekada. Në këtë aspekt, rëndësia e formimit të një opinioni të shëndetshëm opozitar, ashtu si kundër po aq i rëndësishëm përcjellja e tij nëpërmjet instrumentave të komunikimit, ka ngecur në fazën e tij evolutive si peng i një kulture të mbrapshtë, relike e një politike të vjetër që mesa duket ende sundon këtë Parti.