Nga Bledi Lumani
Majlinda Bregu e ka nisur politikën si pjesë e një fasade ndryshimi dhe ka arritur pas 12 vitesh të bëjë ndryshimin real brenda PD-së, duke mos u lëkundur për idetë e veta. Në dy raste ajo ka qenë në vemendjen maksimale të PD, kur hyri aty e ftuar nga Berisha, së bashku me Lulzim Bashën, dhe disa të tjerë të rinj, të cilët duhet t’i bënin makiazhin një partie që po degradonte në udhëheqje, por që ishte ende vitale në bazë.
Dhe tani që bëri profeten e palëkundur të marrëveshjes që u nënshkrua sot, duke këmbëngulur pa asnjë kompleks një muaj më parë, që paketa europiane ishte shpëtimi për krizën.
Para se t’i bashkohej Komitetit të Orientimit të Politikave, Majlinda Bregu jepte mesim në auditoret e Fakultetit të Shkencave Sociale. E gjitha çfarë vlente për politikë prej saj, ishte intuita dhe prakticiteti, falë edhe eksperiencës 10-vjeçare si gazetare në Televizionin Publik Shqiptar.
PD arriti të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, por ende Bregu nuk kishte lënë ndonjë gjurmë në këtë fitore, pasi klasifikohej në grupin e “të ardhurve” në parti, së bashku me Lulzim Bashën.
Ishin zgjedhjet lokale të vitit 2007, ku Majlinda Bregu, për shkak edhe të pamjes dhe familjaritetit me kamerën, u caktua zëdhënëse e fushatës në rang kombëtar.
Përveç kësaj, Bregu ishte edhe pjesë e fushatës për betejën më të fortë, atë të Bashkisë së Tiranës, ku Sokol Olldashi kandidonte përballë Edi Ramës.
Edhe pse Olldashi humbi thellë përballë Ramës, që fitoi mandatin e tretë si kryetar bashkie, për Bregun këto zgjedhje u konsideruan të suksesshme. Ajo arriti të përballojë fushatën e gjatë 3-mujore dhe rrjedhimisht, sfidën e saj të parë në politikë.
Pasi lë përshtypjen e parë të mirë, Sali Berisha e emëron në prill 2007, ministre të Integrimit Europian, në vend të Arenca Trashanit. Me një profil më modern se paraardhësja, me një paraqitje të kuruar, elokuencën në të folur, Bregu tërheq shumë shpejt vëmendjen e medias dhe të publikut.
Edhe pse në një terren të panjohur më parë, ajo arrin të koordinojë suksesshëm procesin e liberalizimit të vizave që udhëhiqej nga Ministria e Jashtme dhe të finalizojë procesin e plotësimit të Pyetësorit të Komisionit Europian. Pyetësori ishte projekti i parë “made in Bregu”, sa i përket koordinimit dhe menaxhimit të procesit.
Në vijim, suksesi i saj do të ishte edhe statusi i vendit kandidat, që vetëm rastësia bëri të merrej pak muaj pasi qeveria Rama kishte ardhur në pushtet.
Si një nga njerëzit më të besuar të Berishës, veç postit të ministres së Integrimit dhe zëdhënëses së qeverisë, në vitin 2010 Majlinda Bregu kthehet në një nga njerëzit më të sulmuar nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama.
Për 3 muaj me radhë, çdo ditë, me një durim që binte në sy, Bregu përmendej nga kundërshtarët politikë, si e përfshirë në të ashtuquajturën “çështja Prudentino”, por pa asnjë akuzë konkrete.
Me të njëjtën përmbajtje, por në forma të ndryshme, asaj i kërkonin llogari pse kunati i saj rezultonte të ishte ortak me një të kërkuar nga drejtësia italiane.
Edhe pse e sulmuar kudo pa akuzë, në Komisionin e Integrimit ku thërritej për të raportuar si ministre, në dalje publike, kryeministri apo parti, Bregu vazhdonte të kishte mbështetjen e Berishës, rrjedhimisht, në dukje, edhe të kolegëve të saj brenda partisë, përveç Jozefina Topallit, e cila nuk kishte ngurruar të shprehte në atë kohë edhe publikisht, mospëlqimin ndaj Bregut.
Fushata e Bashës në vitin 2011 për Bashkinë e Tiranës, ishte e vetmja fushatë ku Bregun nuk e përfshinë thuajse në asnjë element mediatik dhe teknik. Kjo ishte barriera e parë që Basha vuri përballë vrullit të Bregut për t’u ngjitur me shpejtësi ne politikë, për arsye se, siç flitej nën zë në strukturat e PD-së dhe media, sipas sondazheve, Majlinda Bregu klasifikohej më lart se Basha si kandidatura e duhur për Bashkinë e Tiranës.
Ndërkaq, në Ministrinë e Integimit, megjithë prurjet e reja të dy zv.ministreve Jorida Tabaku dhe Grida Duma, Bregu vazhdonte të qëndronte e paeklipsuar deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, që e gjejnë sërish zëdhënëse dhe koordinatore të fushatës kombëtare, njësoj si në vitin 2009.
Megjithëse e mësuar tashmë me zgjedhjet dhe fushatat, ministrja e Integrimit është fiksuar në kamera e përlotur, kur Sali Berisha pranoi humbjen në zgjedhje dhe dha dorëheqjen nga kryetar i PD-së.
Duke përshkuar kurbën normale të një karriere politike, deri në këtë moment, Majlinda Bregu nuk ka qenë, të paktën publikisht, pjesë e luftës brenda llojit në Partinë Demokratike, ku të gjithë silleshin siç urdhëronte ose nënkuptonte kryetari i saj, me pushtet të padiskutueshëm, i vetmi që vendoste veton sa i përket nisjes ose jo të sulmit ndaj dikujt: “ngrirja e Ngjelës” është një shembull tipik i respektimit pa kushte të vullnetit të tij.
Mbështetja që Bregu i dha pa rezerva mikut dhe kolegut të saj Sokol Oldashi në garën për kryetar të PD-së, edhe pse ishte Lulzim Basha ai që Berisha kishte paracaktuar “pasardhës”, ishte momenti i parë, të paktën publikisht, i thyerjes në marrëdhëniet e saj me Sali Berishën.
Tanimë, ajo u vendos në listën e personave “non grata” për kryetarin e ri Lulzim Basha dhe atë në hije Sali Berisha.
Marrëdhënia e saj me Bashën ka ulje-ngritjet e veta, por duhet thënë se tashmë kryetar i PD-së, Basha, i dha asaj pozicione, por jo detyra.
Edhe pse zakonisht kryetarja e Komisionit të Integrimit, është pika e kontaktit për Brukselin, Basha e zëvendësoi de facto me Genc Pollon, Aldo Bumçin dhe hera-herës Laura Vorpsin.
E njëjta gjë ndodhi edhe në takime me ndërkombëtarët, ku Bregu filloi të ishte e pranishme gjithnjë e më rrallë.
Gjithësesi, gjatë kohës në opozitë, ajo ka vijuar të formësojë dhe më pas të çimentojë qëndrimet e saj pro-europiane, siç është shprehur vetë, ngaqë Europa ishte bërë fati i saj politik.
Falë këtyre qëndrimeve dhe koherencës së tyre mes kohës që ishte ministre e Integrimit dhe periudhës si opozitare, mbajti marrëdhënie të mira me Brukselin dhe veçanërisht një lidhje të fortë me PPE-në.
Duhet theksuar se perëndimorët janë të interesuar të kenë palë në bisedime në vendet që synojnë të anëtërsohen, njerëz të moderuar, pro-europianë, praktikë dhe me vizion, veçori që duket se Bregut nuk i mungojnë.
Ata nuk kanë ngurruar ta shprehin konsideratën për ish-ministren e Integrimit publikisht, aq sa, për inerci a për të qenë në të njëjtën linjë me ta, e bëri edhe kryeministri Rama në një nga takimet e Dialogut të Nivelit të Lartë në vitin 2015.
Fjalët e mira të Ramës i vunë vulën shpalljes së Bregut “armike”, “e shitur tek kundërshtarët”, “tradhtare”.
Brenda hapësirave që të mundëson të qënit “disidente”, Bregu vijoi të ishte faktor i rëndësishëm në zgjidhjen e krizave politike në Shqipëri: ndërmjetësimi i saj për votimin unanim të reformës në drejtësi korrikun e kaluar, la gjurmë.
Por sa herë që deklaronte publikisht se reforma në drejtësi duhej të votohej për t’i hapur rrugë negociatave me BE-në, kjo shoqërohej me fyerje, sharrje, linçim nga “të porositurit” e PD-së në rrjetet sociale.
U përshkrua skenari se në këmbim të kësaj fushate pro reformës në drejtësi, ajo do të propozohej nga mazhoranca si emri konsensual për postin e presidentit të vendit.
Nuk munguan zërat se Bregu do të ishte emri i propozuar për postin e kryenegociatorit në momentin e hapjes së negociatave, edhe për shkak të eksperiencës 7-vjeçare si ministre e Integrimit.
Më pas, e njëjta situatë u përsërit me zgjedhjet në Dibër, ku PD provoi humbjen më të thellë historike në këtë qark.
Bregu tha në mbledhjen e grupit parlamentar se kryetari i PD-së, Basha, duhet të kërkojë arsyet e vërteta të humbjes dhe të ristrukturojë degët e partisë në Tiranë dhe rrethe. Sërish u sulmua fuqishëm nga partia e saj.
Bregu vijoi sistematikisht sulmet ndaj kryetarit të PD-së, gjatë gjithë periudhës së bojkotit të Kuvendit dhe ngritjes së çadrës në Bulevard.
Ajo e para, e më pas, Topalli dhe Selami, deklaruan se ishin kategorikisht kundër mospjesëmarrjes në zgjedhje të Partisë Demokratike, pasi ky vendim mund ta nxjerrte partinë përfundimisht jashtë hartës elektorale të vendit.
Ky ishte momenti kur mbi Majlinda Bregun u voll vrer publikisht në portale, forume, blogje, gazeta, komente, qëndrime etj.
Megjithatë, Bregu e pashqetësuar, ndërmjetësoi sërish me Brukselin dhe mundësoi ardhjen e negociatorëve McAlister dhe Fleckenstein në Tiranë, për të zgjidhur krizën politike.
Kjo tregoi se ndërkombëtarët e vlerësojnë, e shikojnë si një personazh politik mbi palët, ndoshta një Macron shqiptar që kandidoi si i pavarur duke lënë mënjanë fushatën populiste dhe duke u përqëndruar tek reformimi nën frymën pro-europiane.
Në një kohë kur zyrtarisht PD i kishte shpallur luftë europianëve e amerikanëve, Bregu u kthye në një rrufepritëse e këtyre sulmeve për ndërkombëtarët, një njeri me të cilin mund të flitet dhe që i ka idetë e qarta: Çdo dakordësi politike në këmbim të plotësimit të kushteve për t’i hapur rrugën procesit të integrimit të vendit në BE. Dhe është nga rastet e pakta që nuk e dekurajuan sulmet. U shpif ndaj saj, duke e “kompromentuar” sikur do bëhej “presidente”, “kryenegociatore” etj, por në fakt ajo ngjan më shumë si rivale reale e Lulzim Bashës.
Beteja e fundit e saj ishte në të vërtetë marrëveshja që Lulzim Basha arriti me Edi Ramën.
Ajo ishte profetja që e mbrojti atë deri në fund, duke ja falur suksesin Lulzim Bashës dhe duke e nxjerrë atë nga çadra.