Ish-kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë, Pandeli Majko, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, ka theksuar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë është një eksperiment, që prodhon një sovranitet më të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.
“Me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk po krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë, mirëpo e vërteta është se Asociacioni është një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit”, theksoi Majko.
Sipas tij, Serbia po kërkon ta ruajë influencën e vendimmarrjes në Kosovë, duke kërkuar që përveç shtetit serb të garantojë një “hapësirë” të interesave të veta në një hapësirë që është më e madhe sesa territori ku ushtron sovranitet.
Majko, që ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, përkatësisht gjatë viteve 1998-99, ka folur edhe për ushtrinë e shtetit më të ri në Evropë, duke thënë se ky shtet do t’i formalizojë forcat e veta të armatosura.









