Luftëtari-Tirana, ndeshje e vlefshme për javën e 31-të të Kategorisë Superiore, nuk ka dhuruar fitues. Ashtu siç ka ndodhur katër ditë më parë në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, zikaltrit dhe bardheblutë i kanë mbyllur 90 minutat në barazim, që këtë herë ka qenë me gola: 1-1.
Miqtë kanë arritur të zhbllokojnë takimin pas vetëm 10 minutash lojë pas një penalltie të Hasanit, e cila është shoqëruar me protesta të shumta nga ana e vendasve. Goli i dytë dhe i fundit i takimit ka ardhur në fillimin e pjesës së dytë dhe ka qenë i mrekullueshëm.
Autori ka qenë Donald Rapo, i cili ka mposhtur portierin Abibi në minutën e 49-të me një goditje/krosim nga distanca dhe ka fiksuar shifrat në 1-1. Një rezultat ky që i bën më shumë punë Luftëtarit në luftën për mbijetesë. Gjirokastritët, në fakt, mbajnë vendin e shtatë në renditje me 39 pikë, dy më shumë se Tirana e vendit të tetë dhe pesë më shumë se Kastrioti i vendit të nëntë.
Luftëtari-Triana 1-1
Shënues: Rapo 49’/Hasani 10′ (pen.)
Luftëtari: Bakaj, Demo, Koconis, Hoxha, Xhekson, Aleksi, Açka (Neziri 37′), Rapo (Hanti 85′), Ymeraj (Çelaj 70′), Fili, Dunga. Tr.: Ahmataj.
Tirana: Abibi, Doka, Turtulli, Goxha, Hoxhallari, Mawejje, Cobbinah, Hasani, Oduamadi, Sentamu, Halili (Muçi 64′). Tr.: Mema.
Gjyqtar: Kridens Meta
Karton i verdhë: Demo