Nga Xhevdet Shehu
Lufta e Spanjës dhe vullnetarët shqiptarë
Në kalendarin e datave përkujtimore ka hyrë edhe 23 gushti, datë që është caktuar si Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare. Zyrtarisht thuhet se është dita ndërkombëtare përkujtimore e viktimave të ideologjive totalitare, specifikisht regjimeve komuniste si stalinizmi, nazizmi dhe fashizmi.
Ne shqiptarët kemi shumë arsye ta përkujtojmë këtë ditë. Sepse i kemi provuar dhe përjetuar këto ideologji totalitare. Por duhet të jemi aq të qartë të sa të gjykojmë pas kaq shumë vitesh me gjakftohtësi për periudhat që po flasim që të jemi të besueshëm. Ne shqiptarët u pushtuam nga fashistët dhe nazistët për pesë vjet me radhë dhe për nga numri i popullsisë patëm shumë viktima gjatë qëndresës që i bëmë pushtimeve. Pastaj erdhi regjimi komunist.
Por gjithçka filloi duke u shfaqur botërisht në vitin e largët 1936…
Këtë vit shënohet 85 vjetori i fillimit të Luftës Civile të Spanjës. Është nder për shqiptarët të kujtohet kjo luftë, pasi në historinë tonë moderne ajo është shëmbëlltyra më e mirë e shpirtit internacionalist të shqiptarëve. Pa asnjë lloj mobilizimi zyrtar, përkundrazi në ilegalitet të plotë nga qeveria e Ahmet Zogut, rreth 70 të rinj u nisën vullnetarisht nga të gjitha hapësirat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova dhe Çamëria drejt Spanjës që po mbytej në gjak. Është një nga luftërat civile më të përgjakshme që ka njohur historia dhe akti i të rinjve shqiptarë është nga më të bukurit dhe më heroikët e Shqipërisë moderne.
Lufta civile spanjolle ishte një luftë civile që shpërtheu në Spanjë ndërmjet rebelëve (të njohur si Nacionales) dhe Republikës Spanjolle me të ashtuquajturit Republicanos (qeveria dhe përkrahësit e saj). Lufta u zhvillua midis muajit korrik të 1936 dhe prill 1939 dhe përfundoi me humbjen e çështjes republikane, e ndjekur më pas nga diktatura e Francisko Frankos (Francisco Franco).
Ndër të parët që e pësoi nga fashistët ishte poeti i shkëlqyer Federiko Garcia Lorka. U vra në Granada më 19 gusht 1936. Ishte 38 vjeç. A duhet ta nderojmë Lorkën?
Lufta antifashiste e Spanjës është e njohur i një luftë internacionale në të cilën luftonin forcat e mbretit të mbështetura nga fuqitë fashiste dhe forcat proletare popullore të mbështetura nga fuqitë vullnetare të lëvizjeve socialiste e komuniste në Evropën e asaj kohe dhe më gjerë. Kjo luftë nga shumë të rinj në botë e edhe të rinjtë shqiptarë shihej si luftë çlirimtare e popujve. Për këtë shkak në këtë luftë në radhët e brigadave internacionale antifashiste janë radhitur më se 35 000 vullnetarë nga 53 shtete të botës.
Në Fjalorin enciklopedik shqiptar (botimi i Akademisë së Shkencave i vitit 1985) thuhej përmbledhtas:
“Vullnetarë shqiptarë që shkuan në ndihmë të popullit spanjoll dhe të forcave republikane që luftonin kundër fashizmit. Mundën të kapërcejnë me vështirësi të madhe pengesat e qeverisë zogiste dhe të përballojnë rreziqet e udhëtimit ilegal. Në Spanjë u rreshtuan në radhët e brigadave ndërkombëtare e kryesisht në radhët e Brigadës XI) ndërkombëtare “Garibaldi”, që përbëhej në pjesën më të madhe nga vullnetarë italianë. Disa prej tyre si Asim Vokshi (shih), Ramiz Varvarica u ngarkuan me përgjegjësi ushtarake dhe politike. Vullnetarët shqiptarë u përleshën me fashistët në beteja të ashpra e me rëndësi në frontin e Madridit, të Barcelonës, të Aragonës e gjetkë; shumë prej tyre, midis të cilëve Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Musa Fratari, Zef Hoti, Thimio Gogozoto, Teni Konomi dhanë jetën për të mbrojtur lirinë e pavarësinë e popullit spanjoll. Në zjarrin e luftës në Madrid ata botuan organin e tyre Vullnetari i lirisë, i cili u shpërnda ilegalisht në Shqipëri.
Lufta e vullnetarëve shqiptarë është shfaqje e solidaritetit revolucionar me lëvizjen antifashiste ndërkombëtare dhe një ndihmesë për çështjen e lirisë së popujve dhe të mbrojtjes së tyre nga agresioni fashist.”
Ky përcaktim ishte i mangët për shumë arsye në atë kohë. Nuk përmendej në të emri i Mehmet Shehut, luftëtarit që arriti (kur ishte 24 vjeç) të bëhej komandant batalioni në brigadën “Garibaldi”. Mospërmendja e tij kishte të bënte me fakti se katër vjet para se të botohej ky fjalor, ish-kryeministri Mehmet Shehu ishte eliminuar (me vetëvrasje, sipas versionit zyrtar) dhe ishte shpallur armik i partisë dhe i popullit. Mehmet Shehu ishte kështu një nga viktimat e sistemit për të cilin luftoi dhe punoi, duke qenë një nga figurat qendrore të tij. Prej vitit 1981 ish-luftëtarët internacionalistë të Spanjës shiheshin me dyshim edhe për faktin se ata kishin qenë prej gjysmë shekulli ndër shokët dhe miqtë më të ngushte të Mehmet Shehut.
Të rinjtë shqiptarë në luftën e Spanjës (1936) u radhitën si ushtarakë në radhët e Brigadave Internacionale. Është pohuar se ishin 70 vullnetarë shqiptarë në atë luftë mes tyre dhe një vajzë e re, Justina Shkupi. Justina ishte shoqe e ngushtë Gonxhe Bojaxhiut, (Nënë Terezës), e cila kur vizitoi për herë të parë Shqipërinë pas marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, u kërkoi autoriteteve të kohës të shkonte te varri i shoqes së saj. Por nuk e plotësoi dot këtë dëshirë. Askush nuk e mbante mend se ku ishte varri i saj.
Është e habitshme se si nuk dihet edhe sot e kësaj dite lista e plotë me emrat e vullnetarëve shqiptarë të asaj lufte.
Lista e mëposhtme nuk është e plotë dhe pjesëmarrësit janë radhitur sipas alfabetit:
Asim Vokshi, komandant i batalionit “Garibaldi”, Daut Muço(Podgorani), Dhimitër Kosta, Emrush Myftari, Faik Dardha, Hulusi Spahiu, Ibrahim Kurani, Iljaz Pashaj, Justina Shkupi, Kostë Kolombo, Mane Nishova, Mehmet Shehu, Musa Kame (Fratari), Petro Marko, Qamil Sherifi, Ramiz Varvarica, Sabri Lumani kryeredaktor i revistës Vullnetari i Lirisë Spanjë, 1937, Skënder Luarasi, Stefan Duni, Stivens Thanasi, Teni Konomi, Thimio Gogozoto, Urfi Agolli, Veli Deda, Xhafer Miraka, Xhelal Abaz Bajrami (Çami), Xhemal Kada, Zef Hoti, Zef Prela, Zihni Muço, etj.
Si shpërtheu Lufta Civile në Spanjë?
Në prill të 1931 pas krizës së madhe ekonomike, forcat e majta fituan zgjedhjet, shpallën Spanjën republikë dhe dëbuan mbretin Alfons XVII.
Më 1936 aleanca e quajtur Fronti Popullor, e përbërë nga socialistët, republikanët dhe komunistët, fituan zgjedhjet sërish, por këtyre iu vu përballë grupi i djathtë i quajtur “Falanga Spanjolle” me në krye gjeneralin Franko.
Franko u nis nga Afrika Veriore me një numër të madh ushtarësh për të përmbysur qeverinë majtiste të Spanjës dhe kështu filloi një konflikt ku u përfshinë më shumë se 50 vende të botës, nga të cilat u nisën në Spanjë, vullnetarë. Ajo luftë u fitua nga forcat monarkiste për arsyen e thjeshtë se ato u mbështetën fuqimisht nga Hitleri dhe Musolini, të cilën e përdorën Spanjën si një test për qëllimet e tyre dhe për pushtimet që do të bënin më pas duke mbytur një botë të tërë në gjak. “Lufta e Spanjës ishte parathënia e Luftës së Dytë Botërore”, shkruante Mehmet Shehu. Një nga vendet e para që do të pushtohej nga fashistët italianë do të ishte Shqipëria më 7 prill 1939. Pastaj do të vinin me radhë pushtimet e tjera në Europë nga Hitleri dhe Musolini.
Lufta civile e Spanjës u zhvillua midis muajit korrik të 1936 dhe prill 1939 dhe përfundoi me humbjen e çështjes republikane, e ndjekur më pas nga diktatura e Francisko Frankos (Francisco Franco).
Të rënët
- Asim Vokshi, nga Gjakova, vjeç 28.
- Dhimitër Kosta, ose Kostë Dhimitri, nga Leskoviku, vjeç 40. Punëtor i emigruar në Spanjë nga fundi i 1936-ës. Ka bërë pjesë në radhët e reparteve të Brigadave Internacionale me gradën nënoficer. U plagos rëndë në frondin e Madridit. U zhduk ndër kampet e përqendrimit të Gjermanisë, gjatë luftës botërore.
- Musa Fratari, nga Përmeti, vjeç 27.
- Ramiz Varvarica, nga Peshkopia, vjeç 38.
- Teni Konomi, nga Korça, vjeç 26.
- Thimo Gogozoto, nga fshatrat e Pargës në Çamëri, vjeç 24.
- Urfi Agolli, nga Dibra, vjeç 23.
- Xhemal Kada, nga Peja, vjeç 26.
- Zef Hoti, nga Malësia e Shkodrës, vjeç 30.
Lufta e Spanjës në një libër
Parathënien e librit “Lufta e Spanjës (1936-1939)” botim i vitit 1959, e ka shkruar Mehmet Shehu, i cili kishte 5 vjet që ishte Kryeministër i Shqipërisë. Libri është i organizuar me shënime historike dhe kujtime nga vullnetarët shqiptarë në atë luftë. Ndër të tjera në parathënie Mehmet Sehu shkruan:
“Lufta e Spanjës qe një luftë e përgjakshme. Spanja luftoi e bllokuar dhe e rrethuar, e tradhtuar dhe e çarmatosur, luftoi gjer në fund. Lufta i kushtoi popullit spanjoll rreth 2 milionë të vrarë…
Vullnetarët që shkuan në Spanjë për të luftuar kundër fashizmit u quajtën nga populli spanjoll: “Vullnetarë të Lirisë”. Ky është një titull kuptimplotë. Ata ishin vullnetarë për të mbrojtur lirinë e popullit spanjoll dhe lirinë e popujve të vetë. Ata nuk kërkuan asnjë konditë për të luftuar në radhët e Ushtërisë popullore të Spanjës, nuk u shtytën nga asnjë interes personal për të vajtur vullnetarë në luftën e Spanjës. Ata ishin me bindje të ndryshme politike, vinin nga të gjitha kombet dhe racat. Ishte ideali i tyre i përbashkët që i shtyti ata të shkonin vullnetarë në zjarrin e luftës, ishte ndjenja e dashurisë dhe e lirisë për popujt e vetë, ndjenja e mbrojtjes së interesave të popujve të vetë nga agresioni dhe errësira fashiste, sepse ishin të bindur se pas Spanjës Hitleri dhe Musolini do t’u vërsuleshin edhe vendeve të tyre…
Lufta e Spanjës ishte parathënia e luftës së dytë botërore.”
Në atë libër janë përfshirë edhe kujtimet e disa prej vullnetarëve shqiptarë si Mane Nishova, Skënder Luarasi, Petro Marko, Justina Shkupi, Iljaz Pashaj e të tjerë.
Janë tablo tronditëse që përshkruhen dhe tregojnë se deri ku shkoi krimi i fashistëve.
Ana e panjohur e Mehmet Shehut
Poeti dhe publicisti
Pas përmbysjes së regjimit komunist të tërheq vëmendjen fakti se figura e Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, ka qenë në mënyrë të pakrahasueshme vazhdimisht e pranishme në shtypin shqiptar. Fundi tragjik i ish-kryeministrit është njëra nga arsyet. Vrau veten (sipas versionit zyrtar) apo e vranë? Kjo është pyetja që vazhdon të bëhet dhe që ngjall diskutime të lloj-llojshme. Por duhet thënë se personaliteti i Mehmet Shehut ka qenë dhe vazhdon të mbetet tërheqës edhe në një sërë aspektesh të tjera, ku padyshim më interesantet janë ato të pjesëmarrjes së tij në Luftën e Spanjës dhe si një nga udhëheqësit më të shquar të Luftës Antifashiste.
Por Mehmet Shehu ka dhe një dimension të njëmendët: Talentin në fushën e letrave, ku spikasin poezia dhe publicistika, për të cilat është folur më pak.
Mehmet Shehu i ka shfaqur prirjet letrare në rininë e hershme të tij, ende pa i mbushur të 20 vjetët.
Këtu do të ndalem vetëm në këtë aspekt më pak të njohur të personalitetit të Mehmet Shehut. Në këtë shkrim do të përpiqem të sjell disa argumente në favor të këtij mendimi, pa u marrë me periudhën më të diskutueshme të tij si burrë shteti, pra si kryeministër i Shqipërisë dhe si krahu i djathtë i diktatorit Enver Hoxha për një kohë tepër të gjatë.
Sot ne kemi në duar vetëm pak krijime të tij të mirëfillta letrare dhe publicistike, ku do të përmend poemën “Adelante kamaradas!”( Përpara shokë!), më saktë një fragment të kësaj poeme, rreth një të pestën e saj, që i kushtohet luftës së brigadave internacionale në Spanjë në vitet 1936-1939; kemi “Himnin e Brigadës së Parë Sulmuese”, kemi “Disa kujtime nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese” dhe “Lufta për çlirimin e Tiranës”, këto dy të fundit të shkruara më 1944 e të botuara më 1945, si edhe disa skica që lehtësisht mund t’i konsiderosh reportazhe, proza poetike apo edhe tregime të jetuara.
Unë mendoj se një analizë e plotë dhe e hollësishme për përmasat e figurës së Mehmet Shehut duhej të fillonte pikërisht nga kjo përmasë më pak e njohur e tij. Duke lexuar me vëmendje këto krijime që fatmirësisht i kanë shpëtuar asgjësimit, vërehen tiparet e ardhshme që u manifestuan thekshëm tek Mehmet Shehu. Letrari dhe publicisti, në këtë rast, janë pararendës të luftëtarit antifashist, komandantit ushtarak dhe burrit të mëvonshëm të shtetit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX.
1.
Në një libër të Herrison Sollzbërit (Harrison Salisbury), njërit prej gazetarëve më të mëdhenj të Amerikës të shekullit XX, të titulluar A Time of Change – (Një kohë ndryshimesh), të botuar në Nju Jork më 1988, flitet për një takim të këtij gazetari me Mehmet Shehun në Tiranë në gusht të vitit 1957. Në këtë libër gazetari i shquar i Neë York Times-it ka përfshirë një sërë reportazhesh, mbresash dhe shënimesh udhëtimi nga një sërë vendesh të ish-Lindjes komuniste ku është takuar me udhëheqësit më të lartë të tyre. Shënimeve për Shqipërinë u ka vënë (sipas meje) titullin më të goditur: “Behind the Iron Curtain” (Pas perdes së hekurt).
Mehmet Shehu kishte tre vjet që ishte kryeministër i Shqipërisë dhe është i vetmi dhe i fundmi udhëheqës komunist shqiptar që i jep intervistë gazetës më të madhe amerikane.
Nuk po ndalem në hollësitë e atij takimi, (nga i cili gazetari nënvizon aksentin e shkëlqyer amerikan të Mehmet Shehut (excellent American accent), por te një fakt që na intereson për temën në fjalë dhe që na e servir vetë gazetari. Pasi e interviston kryeministrin e Shqipërisë, Salisbury kthehet në Amerikë dhe një nga gjërat e para që bën në Nju Jork është gërmimi në arkivat e shkollës teknike amerikane të Tiranës. Aty ai zbulon se Mehmet Shehu, veç të tjerash, ishte dhe poet e prozator i talentuar. Gazetari amerikan nënvizon faktin se në fillim të viteve ’30, Mehmet Shehu, si nxënës i kësaj shkolle, ka qenë një ndër kontribuesit kryesorë dhe një nga autorët më të shpeshtë të revistës Laboremus, botim i shkollës amerikane. Madje, Salisbury nga një poemë e gjatë në anglisht të ish-studentit Mehmet Shehu citon vargjet konkluzion të saj:
Që zoti vetëm të na shohë –
S’e kemi ne në fe:
Me sjelljen dhe ç’punojmë
Fatin konturojmë ne.
Edhe në këto pak vargje të thjeshtë, ndonëse në embrion, shfaqet talenti dhe principialiteti i autorit të tyre, i njeriut që nuk e pret fatin dhe shpëtimin nga Zoti, por në radhë të parë nga vetja. Dhe atëherë kur shkruante kështu, Mehmet Shehu nuk ishte veçse 17-18 vjeç. Pra, që në adoleshencë ai e ka patur të qartë se, është pikërisht sjellja e njeriut, formimi dhe formësimi i tij që përcaktojnë fatin e njeriut. Kemi të bëjmë në këtë mënyrë, me një dëshmi sa të talentit të tij të hershëm letrar, aq dhe të pjekurisë dhe formimit të individualitetit të tij si njeri dhe ndërgjegje shoqërore.
Po në këtë libër, Salisbury i referohet edhe një skice apo hartimi të Mehmet Shehut të titulluar “Pushimet e mia të verës” ku dëshmohet sërish talenti i hershëm i tij në fushën e shkrimtarisë.
(Mbase ju kujtohet edhe një fakt tjetër. Në ish-muzeun e Ministrisë së Punëve të Brendshme të para viteve 1980 ka qenë ekspozuar faksimilja e një letre të Musa Jukës, ish-ministrit të brendshëm të Ahmet Zogut në fillim të viteve ’30, i cili kërkonte t’i dorëzohej fletorja me vjershat e studentit nga Mallakastra në shkollën amerikane, Mehmet Shehut).
2.
Të flasësh për krijimtarinë e një autori do të thotë të ndalesh së pari në stilin e tij, në individualitetin e tij krijues, ç’e bën atë të dallueshëm nga të tjerët. Stili i një autori në fund të fundit nuk është gjë tjetër veçse vetë njeriu, është thelbi i ekzistencës së tij. Dhe stili, si vetë njeriu, është i patjetërsueshëm. Ndonëse në rastin e Mehmet Shehut kemi të bëjmë me një autor të veçantë (sui generis), talenti i të cilit si krijues u eklipsua gati deri në mosekzistencë nga disa përmasa të tjera të figurës së tij si luftëtar dhe burrë shteti, gjithsesi nuk ngurrojmë të pohojmë se kemi të bëjmë me një poet dhe krijues të talentuar, me një autor që meriton vëmendje.
Ne flasim për stilin letrar dhe publicistik të Mehmet Shehut, por duhet të pranojmë se ky stil është i njëjtë edhe në aspektet e tjera të veprimtarisë jetësore të këtij krijuesi. Një stil luftarak, patetik, i drejtpërdrejtë, i hapur, pa ojna, pa përvuajtje e psherëtima sentimentaliste.
Është stili i një trimi.
Në një komunikatë drejtuar popullit të Mallakastrës në prill të vitit 1943, Mehmet Shehu shkruante: “Lirinë e kemi humbur: duhet ta fitojmë. Atdheun e kemi të robëruar: duhet ta çlirojmë. Flamurin e kemi të ulur nga fashizmi: duhet ta lartësojmë”.
E tillë ishte mënyra e komunikimit të tij me lexuesit dhe me bashkëbiseduesit: poetike dhe kushtrimtare. Kushtrimtare dhe luftarake.
3.
Më i plotë portreti letrar i Mehmet Shehut vërehet tek poema “Adelante kamaradas!”, ndaj dhe ajo meriton më tepër vëmendje.
Sikurse thamë, kjo poemë i kushtohet luftës së Spanjës (1936-1939). Ajo është një poemë epike, me 1500 vargje. Është poemë e tipit narrativ, me elementë të poemës sintezë, e vetmja në letërsinë shqipe për atë luftë heroike, ndërsa në prozë kemi romanin “Hasta la vista” të Petro Markos. Të dy këto krijime madhore dhe të frymëzuara mund t’i shkruanin me kaq ndjenjë vetëm pjesëmarrësit idealistë dhe heronj të asaj lufte.
Poema “Adelante kamaradas!” ka 300 strofa me vargje 16-rrokësh, dhe është shkruar në frymën dhe natyrën e krijimeve të kohës. Poema fillon me këto vargje:
Atë natë shënëndreu – kur në borë e në tufan,
Përmbi gërxhet e thepisur, nëpër shtigje me kallkan,
Vargu ynë i vullnetarve gjarpëronte këmbë-e-duar
Pirenejve për në Spanjë, – kurrë s’kam për ta harruar
gjer në varr!…
Shtatëdhjetë vullnetarë drejt kufirit ecim varg,
Detra, male kapërcyem, kemi ardhur që nga larg.
Unë vij nga Shqipërija – që përtej Adriatikut;
Gjithë bashkë po marshojmë lartë malit, drejt rrezikut –
drejt në zjarr.
Është një përshkrim sa tronditës aq dhe plot muzikalitet, është parashtrim i një situate luftarake që e shoqëron lexuesin gjatë gjithë poemës me pamjet e tmerrshme të luftës së Spanjës, një lufte që i ngjet një vullkani të përbindshëm si në ferrin dantesk. Autori te përshkrimi “Ebro – Kuota 196”, një nga episodet më heroike të Luftës së Spanjës, shpesh përmend fjalën xhehnem, për ta dhënë më të plotë dhe më të besueshme gjendjen e asaj lufte të jashtëzakonshme. Aty liria e kishte thikën në fyt, aty vdekja bën kërdinë dhe fashistët turren si bisha duke thirrur “Rroftë vdekja” mbi popullin spanjoll dhe vullnetarët e lirisë…
E, megjithatë, drejt këtij ferri të lemerishëm shkonin vullnetarë nga e gjithë bota, nga pesëdhjetetre popuj, midis të cilëve edhe dhjetra djem e vajza nga Shqipëria, edhe autori i kësaj poeme, Mehmet Shehu. Kongres popujsh u bë Spanja, thotë në mënyrë metaforike autori i poemës. Në këtë luftë vullnetarët e lirisë shënuan një faqe nderi dhe lavdie për atdheun e kombin e tyre, por edhe një nga kapitujt më të bukur të jetës së tyre, pavarësisht nga kontestimet që bëhen edhe sot e kësaj dite për atë luftë. Në atë kohë, me pjesëmarrjen e tyre, luftëtarët shqiptarë e shkruan këtë faqe nderi dhe lavdie, shembëlltyrë e shkëlqyer e idealizmit, vëllazërimit dhe humanizmit, ndërkohë që plot moshatarë të tyre dëfrenin hoteleve e kazinove të Europës…
Poema “Adelante kamaradas!”, s’mund të ishte ndryshe, veçse epike. Qoftë dhe duke lexuar këtë poemë, krijohet menjëherë përfytyrimi se ç’ishte në të vërtetë lufta e Spanjës, falë përshkrimeve të gjalla dhe të hollësishme që ka dhënë autori me mjeshtëri.
Për shembull:
-Rrotull kodrës sipër vreshtës, në mëngjes porsa u feks,
Luftë e rreptë në llogore, befas, trup më trup u mpleks;
Garibaldinët qëndrojnë – s’tunden trimat e vërtetë,
Por “los moros” e falangat – mizëri sulen përpjetë – djajtë e zes!
Po për luftën e Spanjës kemi një përshkrim tjetër rrëqethës, këtë radhë në prozë nga Mehmet Shehu. Ky përshkrim titullohet Ebro – “Kuota 196” dhe është përfshirë në kapitullin “Kujtime” të librit “Lufta e Spanjës” (Tiranë, 1959). Në të vërtetë, është një reportazh i mirëfilltë, një kronikë e shkëlqyer lufte. Ky reportazh nuk është më shumë se katër faqe në atë libër. Është e vetmja dëshmi në formë impresionesh të drejtpërdrejta që Mehmet Shehu na ka lënë për atë luftë. Edhe këtu bie menjëherë në sy stili i tij lakonik prej një gazetari të formuar, por edhe të një ushtaraku të njëmendët, me emocionet e drejtpërdrejta të luftës. Një gazetar a kronikan profesionist nuk besoj se do të na jepte më të gjallë tablonë e luftës në Ebro, një nga episodet më kulmore, më rrëqethëse e njëherësh më tragjike të epopesë spanjolle.
Mehmet Shehu e fillon kështu reportazhin e tij:
“18 gusht 1938. Batalioni ynë (Batalioni i IV-të i Brigadës XII Internacionale), ka 16 ditë në vijë të parë. Ka bërë 45 sulme e kundërsulme brenda 6 ditëve të fundit. 30 % t’efektivit janë vrarë dhe plagosur”.
Lexuesi futet menjëherë në temë. Në tre rreshta jepet një informacion thuajse i plotë për kohën dhe vendin, se kush lufton dhe ç’ka ndodhur, duke e parapërgatitur lexuesin se më pas do të lexojë gjëra edhe më të tmerrshme. Dhe vërtetë, duke lexuar rreshtat e këtij përshkrimi të shkurtër të duket se ndjen erën e barutit të të shpojë hundët, nga të gjitha anët të duket se gjëmojnë bomba dhe mitraloza, dëgjohen klithma dhe thirrje, uturima avionësh sipër kokës, ndërsa kufomat e të vrarëve shtrihen në pellgje gjaku gjithandej. Është një pamje apokaliptike.
Ja një copëz nga ky përshkrim:
“Duke kërcyer përpara me grupe të vegjël, nënë breshërin e predhave të çdo kalibri, mbrrijmë me dy mitroloza të rëndë dhe me mitrolozin e lehtë në majë të kodrës, me shpejtësi nëpër mes t’atij konfuzioni zëmë vënd nëpër gropat e predhave t’artilerisë armike. Mitrolozi tjetër bashkë me gjithë mitralierin dhe dy municionerë është bërë çik’ e thërrime nga një predhë artilerie. Afër të gëdhiri ndalon qitja e artilerisë armike dhe përpara nesh duken marokenët më mjekër dhe milicët me këmishë të zeza që po na afrohen. Ata s’pandehin kurrë se neve jemi aty. I lemë sa afrohen mirë dhe pastaj mjafton vetëm nga një gjerdan fishekësh për çdo mitroloz dhe sulmi i 20 ushtarëve me bomba dore me nga një të sokollitur “Adelante Camaradas!” (përpara shokë) për t’i vënë përpara si lopët”.
Nuk ka nevojë për komente. As për fantazi, as për figura letrare të stisura e supozime. Realiteti i luftës është shumë herë më i egër dhe më i shfrenuar se çdo fantazi dhe imagjinatë shkrimtari. Autorit që e përshkruan i mjaftojnë pamjet dhe situatat që ka përjetuar, ndërsa kultura e mjaftueshme letrare dhe talenti që ka nuk e lë t’i shpëtojë asnjë detaj. Në fund të fundit, lexuesi këtë kërkon prej tij, përshkrimin e tablosë ashtu si ka ndodhur dhe ai e vizaton atë me ngjyrat më të ndezura, me kontrastet më të thella, pamëshirshëm.
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Të njëjtën gjë bën Mehmet Shehu në kujtimet nga jeta e Brigadës së Parë.
“Jemi në Kapinovë të Beratit. Suferina dhe dëbora e 20 shkurtit të marrin frymën dhe rrugët mezi çahen nga dëbora e shumtë…”, shkruan ai.
Ndërsa më tutje:
“Të gjithë jemi të lodhur e të këputur. Nga rruga e gjatë dhe e vështirë, nga pagjumësia, nga të pangrënët, nga lufta. Kemi 32 orë që po udhëtojmë pa pushim, në shi e në dëborë, në luftë e në mundime. Rrethimin e Skroskës e çamë. Por na mbeten edhe shumë rrethime të tjera për të çarë…”.
Fatmirësisht, midis nesh kemi ende mjaft bashkëluftëtarë të Mehmet Shehut, që e kanë patur atë komandant dhe që pohojnë përpikmërinë e këtyre përshkrimeve. Përpikmëria dhe saktësia pra, përbëjnë një tipar tjetër dallues të stilit të Mehmet Shehut, qoftë si krijues, qoftë si ushtarak, qoftë si burrë shteti. Një stil tipik i njerëzve të mëdhenj të aksionit dhe veprimeve të guximshme, deri në kufijtë e të papërfytyrueshmes.
I njëjti stil mbizotëron edhe në letrat e tij, në komunikatat e traktet, në urdhrat e ditës dhe në fjalimet e tij.
Në sulm, në sulm, Brigad’ e Parë.
Përpara shokë me nxitim.
Për liri në zjarr, në zjarr,
Të gjithë bashk’ me guxim.
Është ky refreni i Himnit të Brigadës së Parë Sulmuese. Por, që në një formë a në një tjetër është refreni i shpallur ose i nënkuptuar në të gjitha krijimet e tij.
4.
Por, le të kthehemi sërish te poema “Adelante Kamaradas!”.
Për ndërtimin e poemës ai mban parasysh poezinë klasike por edhe poezinë popullore, më saktë këngët labe me tetërrokshin e famshëm. (Kujtoni për një çast Naimin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin…) Autori ka bërë thjesht një modifikim duke shkrirë dy vargje në një, për t’i dhënë më shumë hapësirë mendimit, për ta bërë më epik e më madhështor krijimin e tij. Dhe ia ka arritur qëllimit. Vetë poema ka pjesë që lehtësisht mund të këndohen sipas natyrës së këngëve labe. Si e tillë, poema është konkrete dhe korrekte në strukturën e saj, me vargje të matura, me rimë të puthur a-a, b-b, ndërsa çdo strofë ka edhe një minivarg të pestë, katër-rrokësh, i cili sa është vazhdim i vargut të katërt, duke përforcuar idenë e vargut të katërt apo të krejt strofës, aq edhe është varg më vete. Vargu i pestë i strofës së parë rimon me vargun e pestë të strofës së dytë, ai i strofës së tretë me atë të katërtës e kështu me radhë. Ky varg i pestë që i jep aq reliev dhe përthyerje poemës në strukturën e saj solide, është finalja e çdo strofe, një finale e rreptë, që i ngjet sa një kreshte mali, aq dhe një tehu thike; sa një gjëmimi rrufeje aq dhe një krisme pushke.
Jemi në një atmosferë lufte dhe autori përdor të gjitha mjetet për të na i dhënë sa më të gjallë atë atmosferë, ashtu sikundër e ka përjetuar… Edhe ky është një element stilistikor i autorit dhe veçori e kësaj poeme të cilin autori e përdor me qëllim që t’i japë më tepër forcë dhe ritëm poezisë.
Le të citojmë këtu momentin emocional të hyrjes në Spanjë të autorit bashkë me luftëtarët e tjerë shqiptarë:
Spanjë, Spanjë! Të përunjem… Sonte puth me dashuri
Pragun tënd, siç putha dorën e sim’ëje kur tek ti
Më përcolli i përlotur, e si dheun e Shqipërisë,
Ku kam lerë, ku pashë dritën e ku nëna më dha sisë –
nënë e gjorë.
Këtu te pragu betohem se jetën e bëj kurban
Për të mbrojtur tyja, Spanjë, për liri e për vatan…
Dhe nga plumbi n’u friksofsha – mos i vafsha nënës gjallë:
Po u vrava, kërkom’ plagën jo në shpinë po në ballë –
në krahnor!
(Kur hynte në Spanjë për të luftuar në mbrojtje të Republikës Spanjolle Mehmet Shehu ishte 24 vjeç. Vargjet e strofës së fundit, përveç një idealizmi dhe devocioni të jashtëzakonshëm, ngjajnë edhe si një profeci për fatin e autorit të tyre, pasi tashmë e dimë edhe rrjedhën e mëtejshme të jetës së tij deri në natën tragjike të 17-18 dhjetorit 1981…)
Më tej vijnë situata me përshkrime të gjalla nga lufta e Spanjës që të përfshijnë në një vorbull situatash marrramendëse, ku të duket se nga të gjitha anët gjëmon artileria dhe breshëritë e mitralozëve, ndërsa era e athët e barutit të shpon hundët deri në asfiksi. Për shembull, ja si e përshkruan ai në poezi, atë që cituam pak më sipër nga “Ebro – Kuota 196”. Duket se është nata para atij sulmi të tmerrshëm:
-Natë vere, buzë Ebros – kudo… heshtje… qetësi…
Shushurijnë gjethet, uji – thua n’Ebro s’ka njeri.
S’të besohet që ksaj gryke po përgjojnë andej-këndej
Mijra njerës t’egërsuar, e në çast mund të shpërthejë –
në çdo shtek –
Një rrëmujë – zjarr mbi ujë, nga ku vdekja, si rrufe,
Të vërsulet e uritur, të përpij’ pa vënë re
Pleq, të rinj e ç’gjen përpara! S’të duket se je në luftë:
Të rrëmben kjo heshtja e natës e të zbut, të bën të urtë – si sheleg.
5.
Poema nuk e përmban emrin e autorit, por nuk është e vështirë ta kuptosh këtë, pikërisht nga ato elementë stilistikorë për të cilat folëm më lart. Është gjuha që e dallon, është toni i komunikimit me lexuesin, është mënyra e përshkrimit të situatave, ngjyrimet e fjalëve, fryma luftarake që e përshkon nga fillimi në fund.
Për shembull, le të përmendim disa nga fjalët dhe shprehjet e përdorura në këtë poemë, tipike për fjalorin e Mehmet Shehut, me ngjyrime të theksuara mallakastriote si: përrënj, shkëmbënj, rrëzik, shtjerrat, “Shpinën mos ia kthe armikut, gjoksin mos ia fshih rrezikut”, zjarr, shtriga vdekje, ripet bujku, nëno xhani, etj.
Ndërsa në një moment, pikërisht atë natë gushti 1938, atje larg buzë Ebros, pas dhjetra sulmesh e kundërsulmesh, në pritje të fillimit të një beteje të re, edhe më të ashpër, autorit i kujtohet vendlindja dhe shkruan:
-Të breth mendja… andej larg – gjer përtej në Shqipëri,
Ku ke lerë, ku je rritur, nëna e dashur të dha gji:
Të kujtohen ato male, gërxhe, gryka e lugina,
Ku shqiponja ka folenë dhe burimin suferina –
në jenar –
-Të kujtohen ato pyje, qafa, buza e përrënj,
Brinja, pllaja, shtigje, maja, bokërrima e shkëmbënj.
Shelgjet, rrepet – buzë lumit, lisat, thanat në korije,
Ku kullosin bagëtija e mërzejnë n’ato hije –
në behar.
Ky vend që autori përshkruan me këto ngjyra të ndezura, të mrekullueshme e marramendëse, na kujton menjëherë Mallakastrën, vendlindjen e Mehmet Shehut. Pavarësisht se autori nuk e përmend, ndoshta për efekte përgjithësuese. Është një përshkrim naimjan, i papërsëritshëm, më i bukuri që është bërë në poezi për Mallakastrën. Pavarësisht se në fund të poemës autori firmos fare thjesht: VULLNETARI. Por, ky Vullnetar nuk ishte dosido…
Pavarësisht se, verbalisht, thuajse të gjithë e dinin prej kohësh emrin e autorit të poemës “Adelante Kamaradas!”, Petro Marko, në librin “Intervistë me Vetveten” të botuar vitet e fundit, e konfirmon faktin që autori i kësaj poeme është Mehmet Shehu. Vetë autori ka dashur që emri i tij të mos shënohej në krye apo fund të poezisë. Sipas një dëshmie të besueshme të treguar nga Petro Marko, del se ky, pra, Petro Marko i ka sugjeruar Mehmet Shehut në fund të viteve ’50 që t’i botojë krijimet e tij me emrin e tij. Siç kanë bërë psh. edhe plot burra shtetesh të tjerë. Madje Petro Marko i ka thënë se vjersha boton edhe shoku Mao Ce Dun. “Unë nuk jam shoku Mao”, e ka mbyllur atë bisedë Mehmet Shehu për të mos e hapur më.
Poema “Adelante Kamaradas!” për t’i dhënë vlerën që i takon, sikurse çdo krijim, duhet vendosur dhe duhet analizuar e gjykuar në kohën kur është shkruar. Vetëm kështu ajo do të vlerësohet si duhet dhe do të zerë vendin që i takon në letrat shqipe, larg superlativave dhe subjektivizmave.
Poema i përket fundit të viteve 1930, kur bisha naziste ishte në egërsim e sipër, ndërsa komunizmi ende dukej si një ëndërr e bukur e njerëzimit. E shkruar në një kohë zhvillimesh dramatike mbarëbotërore, kur ideologjia komuniste ruante një shkëlqim marramendës dhe shihej si shpresa e vetme e shpëtimit të botës, nuk mund të fajësojmë autorin e poemës dhe bashkëluftëtarët e tij të Luftës së Spanjës pse shkuan aq larg dhe sakrifikuan aq shumë… Në vitet e Luftës së Spanjës autori i poemës ishte vetëm 24-25 vjeç… Pikërisht fryma e internacionalizmit proletar (që është boshti i ideologjisë komuniste), një bindje e thellë tek ideologjia komuniste, si dhe një adhurim i shpallur ndaj Bashkimit Sovjetik komunist si udhëheqës i këtij kampi në formim e sipër, por edhe si kontribues me vullnetarë dhe ndihma të tjera në Luftën e Spanjës, ndihen dhe shprehen hapur në poemë.
A e dëmtojnë këto fakte poemën në fjalë? Natyrisht që po, po ta shohim nga optika e më shumë se shtatëdhjetë vjetëve pasi ka ndodhur epopeja spanjolle.
Mirëpo, nga ana tjetër, poema do të tingëllonte false dhe e pabesueshshme në se do t’i mungonin këta elementë dhe ato ideale shumë të besueshme për kohën, në emër të të cilave vullnetarë nga e gjithë bota shkuan me atë kurajo të admirueshme drejt Spanjës të ndezur zjarrë e flakë…
Sidoqoftë le të kthehmi te thelbi i këtij shkrimi. Te talenti, tiparet dhe veçantitë e Mehmet Shehut si krijues.
Vetëm për një krijim poetik të tij Mehmet Shehu nuk e ka fshehu autorësinë. Dhe ky krijim është Himni i Brigadës së Parë Sulmuese. Kjo mendoj se ka ngjarë për shkak se ky Himn ishte ndër këngët më të famshme partizane dhe të gjithë e njihnin autorin e saj qysh në zjarrin e luftës. Nga ana tjetër, nuk kemi dëshmi se ai shkroi poezi kur u ngjit në majat më të larta të pushtetit shtetëror dhe politik. Por, mund të hamendësohet se Mehmet Shehu e ka fshehur autorësinë e poezive të tij, pasi nuk i shkonte për shtat koncepti i kohës që i përcaktonte shkrimtarët dhe poetët si ndihmës të partisë. Ndërsa Mehmet Shehu nuk mund të ishte në të njejtën kohë edhe udhëheqës, edhe ndihmës…
Sidoqoftë, kjo është vetëm një hamendje. Por, ndoshta mund të jetë edhe arsyeja se Mehmet Shehu, ndonëse u shfaq si një talent në letërsi, nuk e kultivoi më tej këtë talent, për shkak të angazhimeve të tij në fusha të tjera, po kurrsesi jo për mosrespekt ndaj letërsisë dhe njerëzve të letrave. Fakte të shumta konfirmojnë pikërisht të kundërtën, konfirmojnë atë që Mehmet Shehu lexonte jashtëzakonisht shumë, i ka dashur dhe i ka ndihmuar shkrimtarët dhe artistët, i kuptonte ndjenjat e tyre, e çmonte si rrallëkush artin që bënin…
Ja, edhe ky qëndrim ndaj krijimtarisë letrare të tij është pjesë e stilit të Mehmet Shehut. /GazetaDita/