Edhe pse ka patur shumë debate dhe polemika nëse nisma për të shtyrë ligjin i cili mbyll shumicën e kazinove dhe basteve sportive është nisëm e një grupi të izoluar brenda deputetëve të mazhorancës apo vetë qeverisë, duket se parlamenti do të shtyjë hyrjen në fuqi të tij.
Monitor ka arritur të sigurojë një kopje të letrës që Ministria e Financave i ka nisur Komisionit të Ekonomisë si përgjigje për kërkesën e 6 deputetëve për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit edhe me dy vite. Në parim, financat janë dakord me deputetët. Ministria po ashtu legjitimon kërkesën e tyre se nuk janë publikuar ende aktet normative që të bëjnë të zbatueshëm ligjin. Ditën e hënë në orën 16.00 është vendosur që të zhvillohet mbledhja e komisionit përgjegjës, atij të ekonomisë, ku i ftuar do të jetë ministri i Financave Arben Ahmetaj. Rendi i ditës ka pikërisht ligjin e lojrave të fatit. Burimet pranë Monitor thonë se shtyrja e ligjit tashmë është një çështje e vendosur dhe nuk pritet të ketë debate të shumta.
Diskutimet e forta do të jenë për një tjetër kërkesë. Mes rreshtave të kërkesës së tyre, 5 deputetët Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha dhe Ylli Shehu, kërkojnë që ligji për lojrat e fatit të hyjë në fuqi pas dy vitesh. Ata kërkojnë shfuqizimin e pikës 1 të nenit 71 të ligjit dhe ndryshimit të pikës 2 dhe 3 të këtij neni me fjalët deri në 31 dhjetor 2018. Nëse sheh se çfarë përmbajnë aktet jurdike të ligjit që lidhen me këto nene, do të kuptohej fare qartë që deputetët kërkojnë që dy kontratat që Ministria e Financave ka lidhur me Regency Casino dhe Lotarinë Kombëtare, të mos jenë pjesë e përjashtimit të këtij ligji. Ata kërkojnë shtyrjen me dy vite të tjera të tij, dhe në momentin që do të hyjë në fuqi, të gjithë subjektet e ligjit të zhvendosen në resorte brenda zonave turistike. Ministria e Financave nuk është dakord me këtë kërkesë, ajo pranon që ligji për lojrat e fatit të shtyhet, por të mos preket pjesa që ka lidhje me Regency Casino dhe Llotarinë Kombëtare. Regency Casino i përfundon kontrata në vitin 2020, ndërsa Llotarisë Kombëtare në 2023.
Ndryshe nga këta 5 deputetë, ai që është në një linjë më të afërt me atë të qeverisë, është kërkesa e Tahir Muhedinit të PDIU-së. Ai kërkon shtyrjen me tre vite 1 më shumë se deputetët e tjerë, vetëm për pjesën e kazinove dhe basteve sportive, pa prekur marrëveshjet me dy objektet që janë përjashtuar. “Në nenin 71, në pikat 2 dhe 3, fjalët “31 dhjetor 2016” të zëvendësohen me fjalët “31 dhjetor 2019”, thotë në kërkesën e tij Muhedini.
Ky ka qënë një nga projektligjet më të lobuara dhe që disa herë rresht është lënë pa u votuar. Pas votimit kërkesa të shumta janë depozituar për të bërë të pamundur zbatimin e tij. Ligji duhet të kishte hyrë në fuqi në 31 janar të këtij viti, por është shtyrë. Në letrën dërguar komisionit të ekonomisë, ministria e financave, e cila akuzohet nga deputetët se nuk ka bërë gati udhëzimet dhe vendimet e ligjit për ta bërë të zbatueshëm, shprehet se shuma prej 125 milion dollarësh që do t’i mungojë buxhetit nga taksat që derdh kjo kategori biznesesh është një peshë e madhe për arkën e shtetit. Ndërsa opozita deri tani nuk është shprehur për këtë çështje.
Pavarësisht se hyrja në fuqi e ligjit nuk ka ndodhur, përballë një aksioni të madh që nisi qeveria e sapoardhur e kabinetit Rama, ai duket se nuk do të hyjë në fuqi ndonjeherë. Aktet nënligjore kishin afatin e fundit për tu përfunduar në muajin mars. Askush nuk mban përgjegjësi sot se përse ky afat u shkel. Pa aktet nënligjore ligji është i pazbatueshëm për pjesën e ndërtimit të kazinove në resorte, pasi nuk është e përcaktuar infrastuktura e tyre, dhe po ashtu nuk bëhet ndarja si duhet e pikave të basteve në largësi ajrore 100 metra nga njëra – tjetra, objektet fetare, bankat dhe shkollat. Në 4 pika bastesh sportive që janë në të njëjtën zonë, nuk përcaktohet se cila prej tyre do të ketë përparësi që të qëndrojë.
Ligji i ri për disiplinimin e kësaj kategorie të lojrave të fatit, jo vetëm që nuk hyri në fuqi, por nuk u zbatua as fryma e tij. Aty përcaktohej qartë që deri në implementimin përfundimtar Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit nuk duhet të liçensonte asnjë kazino apo pikë basti të re. Por vitet e fundit numri i tyre është shtuar, duke punuar kundër logjikës së ligjit të ri që synonte të mbyllte përfundimisht kazinotë dhe më shumë se gjysmën e pikave të llotos.
Aktet nënligjore nuk hynë në fuqi as për të bërë të zbaueshëm interesin e buxhetit të shtetit në rritjen e përqindjes së xhiros që mban te lojrat e fatit në formën e taksave. Madje një vit më parë parlamenti shqiptar përjashtoi mbajtjen e tatim fitimit në burim për fitimin nga bastet, me argumentin se barra ishte mbi biznesin, pasi ai që luante kumar kërkonte t’i merrte të gjitha paratë pa u taksuar. Në një vend ku parlamenti taton me vendimet e tij punën, kursimet, pronën, çmimet e nderit për personazhe të shquara, përjashton bastexhiun!
Tema/d.i.