Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një takim me 12 Drejtoritë Vendore të Policisë.
Në fjalën e tij, Lleshaj tha se prioritetet kryesore për vitin 2020 do të jenë lufta kundër krimit të organizuar dhe siguria rrugore.
Lleshaj theksoi se fokusi i veçantë do te jete ne luftën kundër krimit të organizuar dhe sigurinë rrugore, nderkohe qe deklaroi se shpejt do të jetë gati dhe miratohet paketa e njohur si “KÇK”.
“ Krimi i organizuar është prioriteti numër 1. Personat, që janë dënuar për veprimtari në fushën e krimit rë organizuar, të krimeve të rënda, të korrupsionit etj., pra janë disa nene të Kodit Penal, në qoftë se janë dënuar për këto vepra, brenda apo jashtë shtetit, që janë hetuar apo janë proceduar për këto vepra, nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, Policia ka detyrën t’i shkojë dhe t’i trokasë në derë, t’i thotë: – ti ke bërë 10 vjet (burg) për trafik droge? Po. Ke dhe këtë hotelin këtu. Tani, hoteli sekuestrohet, i vihet shiriti dhe ti shkon në gjykatë dhe provoje që është i yti.
Prioriteti numër 2, siguria rrugore! Siguria rrugore na vret më shumë njerëz se sa krimi i organizuar. Jo më shumë, por 5 herë më shumë. Çfarë do të bëjmë? Do të ndryshojmë Kodin Rrugor, do të ashpërsojmë masat, do të ashpërsojmë kontrollet, do të modernizojmë kontrollet, do të luftojmë fort për integritetin e punonjësve. Pra do të punojmë në të gjitha drejtimet, do të punojmë shumë për edukimin e qytetarëve nëpërmjet medias, përmes shkollës, përmes aktiviteteve të tjera“, shkroi Lleshaj në Facebook.
Për të realizuar këto dy prioritete, do të ngrihen njësi të posaçme për krimin ekonomik, inteligjencën, krimin kompjuterik dhe kapjen e të kërkuarve.
Ai shtoi se për t’u përballur suksesshëm me zhvillime e fenomene të reja të krimit, do të ngrihet 4 Njësi të posaçme në Policinë e Shtetit, me ekspertët më të mirë.
“Do të bëjmë ndryshime të rëndësishme krahasuar me vitin e kaluar. Do bëjmë ndryshime në strukturë, e para. Do të krijojmë Njësi të specializuara për të luftuar ato fenomene kriminale, të cilat kërkojnë specializim. Do të krijojmë Njësi të reja, të cilat do të jenë:
– “Njësia E”, që është Krimi Ekonomik. Njësi e fortë, e specializuar, me ekspertë, e trajnuar, e pajisur, e cila do të trajtojë krimin ekonomik në kuptimin e krimit të organizuar, krimit të sofistikuar.
– Njësia tjetër do të jetë “Njësia I”, informacioni, inteligjenca. Këtu kërkohet dhe do të bëhet ndryshim thelbësor. Rrjetet e informacionit duhet të kthehen në rrjete profesionale.
– E treta, është “Njësia C”, e Krimit Kompjuterik. Edhe për krimin kompjuterik nuk besojmë që mund të krijojmë ekspertizë në nivel drejtorish vendore, është e pamundur dhe e panevojshme. Dhe do të përqendrojmë energjitë për të krijuar një strukturë të specializuar të krimit kompjuterik.
– Është krijuar në fakt struktura “Njësia K”, që ka të bëjë me kapjen e personave në kërkim. Gjithë kjo njësi është prapë një strukturë e specializuar, e cila është një strukturë gjahtarësh që do të ketë detyrë kapjen e personave të listës prioritare”, theksoi zoti Lleshaj.
Ministri kërkoi nga gjithë strukturat policore angazhim të fortë për luftën kundër trafiqeve dhe kontroll të rreptë të territorit. Masat për luftën kundër kanabisit do të nisin që në ditët e para të Janarit, e po ashtu edhe përgatitjet për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Ai nënvizoi si një tjetër prioritet kryesor të Ministrisë së Brendshme në tërësi, e Policisë gjithashtu, ofrimin e shërbimeve online për qytetarët. Që prej 1 janarit MB ofron 48 shërbime të tilla, që do të pasohen nga një tjetër paketë shërbimesh në Qershor 2020.
g.kosovari