Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në nisje të seancës plenare në Kuvend ka deklaruar se në Rendin e Ditës së Kuvendit duhet të ketë vetëm një çështje, futja në Rend Ditë shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres Belinda Balluku, çka i hap rrugë arrestimit të saj.
“Kuvendi i Shqipërisë në agjendën e tij duhet të ketë vetëm një pikë që keni 2 muaj qe e mbani zvarrë, duke e kthyer këtë institucion në shkelet të ligjit. Duhet të mbahet seanca për heqjen e imunitet për Belinda Ballukun. E shtytë mbledhjen pasi të fliste Kushtetuesja. Na thatë që do presim vendimin e Kushtetueses” – tha Bardhi.
Ndërkohë Taulant Balla u shpreh se vendimi i GJK duhet parë me kujdes. Sipas tij pavarësisht votimit 4 me 4, në thelb Kushtetuesja mendon 8 me 0 se nuk mund të ndërhyhet në kompetencat e Kryeministrit.
“Kush je ti që na thua është antikushtetues ndryshimi i ligjit? Ne as ta marrim dorën ty fare për nismat tona” – i tha Balla Bardhit.
***
Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë sot seancën e tij të radhës plenare, ku ndër temat kryesore është interpelanca me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Kjo interpelancë është kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri dhe ka në fokus projektin e Parkut Virtual Teknologjik “Durana”, ku kërkojnë informacion mbi përfitimet dhe impaktin e tij në zhvillimin e sektorëve të teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe shqyrtimi i projektligjit “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon rregullimin dhe përmirësimin e shërbimeve diplomatike të vendit. Po ashtu, do të diskutohet një projektligj për ndryshime në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, me qëllim forcimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Një tjetër projektligj që do të shqyrtohet është ai për ndryshime në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, që ka për objektiv optimizimin e sistemit të akcizave, si dhe një shtesë në ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë”, për të mbështetur zhvillimin e institucioneve arsimore dhe kërkimin shkencor.
Gjithashtu, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për një shtesë në ligjin “Për tatimin e vlerës së shtuar”, si dhe projektligjin “Për statusin e minatorit”, që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të minatorëve. Po ashtu, një projektligj tjetër i rëndësishëm është ai për “domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë”, i cili synon forcimin e kontrollit dhe sigurisë ushqimore.
Në agjendën e seancës është gjithashtu projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, që synon përmirësimin e administratës shtetërore dhe ofrimin e shërbimeve publike më efikase. Po ashtu, do të shqyrtohen disa projektvendime për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Seanca do të mbyllet me shqyrtimin e projektvendimit “Për miratimin e planit vjetor 2026 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022–2026”, që do të përcaktojë drejtimet dhe prioritetet për zhvillimin e statistikave kombëtare në vitin 2026.











