Kuvendi minute pas minute
10:27 – Gjosha: Kam shumë pikëpyetje për procesin e zgjerimit
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha deklaroi sot në Parlament se procesi i integrimit u trajtua me shpërfillje, ndërsa shtoi se ka një mungesë vizioni dhe strategjie.
Sipas deputetes së LSI, ministrja e Integrimit është shumë e rëndësishme në këtë moment që ndodhet Shqipëria, në prag të hapjes së negociatave.
“Për 4 vitet e ardhshme më mbeten shumë pyetje dhe shqetësim se cdo të ndodhë me procesin e zgjerimit.
Shqipëria është në prag të çeljes së negociatave dhe kapacitetet njerëzore janë aseti më i rëndësishëm që do i duhet asaj.
Kemi ulur rëndësinë e procesit. Ngul këmbë se sot nuk kemi asnjë lloj vizioni, strategjie apo plani se si do të koordinohet procesi i integrimit në vijim” deklaroi Gjosha.
Pas shkrirjes së Ministrisë së Integrimit, ministrja e re në drejtim të Bushatit u emërtua Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
***
09:47 – Bushati replikon me Bashën: Çfarë më tha një i djathtë në Shkodër
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka marrë fjalën në seancën plenare ku është ndalur pikërisht në një prej shtyllave të programit qeveritar siç është diplomacia shqiptare dhe politika e jashtme. Gjatë fjalës së tij Bushati i ktheu përgjigje kreut të opozitës ndërsa foli edhe për programin qeveritar, i cili sot do të jetë në fokus të debateve.
“Sot më 23 shtator u duket sikur ishte mitingu përmbyllës i fushatës në 23 qershor. Kujtoj një shkodran që më argumentoj se do votonte PS këto zgjedhje.. Duket sikur ngatërron muzikën live me shiritin e megafonit . Është fatkeqësi. Nuk është çështje shirit por opozita drejtohet nga një person bosht i boshllëkut.
Më duket më i vetmuari se edhe nga ata njerëz nga PD që kanë vendosur tulla në procesin demokratik, zotëria vendosi ti përjashtojë nga jeta politike. Mesazhi i 25 qershorit ishte i qartë. Shqiptarët mbështetën e votë PS për ato që duam të bëjmë ne. Një prej kapitujve të programit tonë që ka të bëjë me sigurinë, mbrojtjen, ti nuk e di fare…
Është luks qe të kesh një opozitë parlamentare që të mos dijë çfarë është karta e Atlantikut…ju ftojë që të bëjmë një debat në kushtet të një vendi kandidat për në BE dhe jo hartimesh që bënit ju kur ishit te “Sami Frashëri”. Me fjalën rajon për këtë qeveri kuptohet hapësira imdediate që kufizohet me Greqinë, Italinë, Turqinë dhe Serbinë”.
***
Ora 09: 15
Kryetari i PD, Lulzim Basha, në fjalën e tij për programin e qeverisë të paraqitur nga kryeministri Edi Rama, ka nënvizuar se “Rama 2” vjen me një bilanc dështimesh të 4 viteve të qeverisjes së tij të mëparshme. Sipas tij, parlamenti aktual nuk shpreh vullnetin zgjedhësve. Basha nënvizoi se zgjedhjet 25 qershorit dënuam me vdekje marrëveshjen me Ramën, pasi zgjedhjet u blenë. Basha nënvizoi se e vetmja arritje e asaj marrëveshje është fakti se nuk u arrit emërimi i opozitës fasadë.
“Para 4 viteve Rama erdhi këtu si kryeministër me premtimin për 300 mijë vende pune dhe shëndetësi falas dhe s’bërë asgjë. Nëse zgjedhjet do të ishin të lira, ti nuk do ishe kryeministër. Eshtë ora e bilancit. ‘Rama 1’ është qeveria e parë që nuk ka sjellë asnjë arritje në rrugën e integrimit. Qeveria Berisha kishte bërë gjithshka. Eshtë qeveria e pareë që ka bërë hapa mbrapa. Disa qeveri janë duke rishikuar rikthimin e vizave”, deklaroi Basha.
Sipas tij, “Rama 1” nuk solli asnjë investitor të huaj. U mor vetëm me ekspozitat personale të kryeministrit.
“Ke marrë borxhe deri në 2.5 miliard dollarë borxhe pa llogaritur ato të fshehura. I ka borxh biznesit gati 300 milion euro. Nuk ka bërë asgjë në infrastrukturë. Nuk arriti të mbyllte as rrugët e mbetura. 600 milion euro shkuan për fasada e luks. Qeveritë e huaja i dhanë ultimatum kryeministrit që të largonte ministrin e brenshëm, si të lidhur me krimin. “Rama 1″ e futi vendin në listën e zezë të vendeve që trafikojnë dhe pastrojnë para. Rriti eksodin. 56% e shqiptarëve duan të ikin përgjithmonë nga Shqipëria. Marrëdhëniet me Italinë dhe Greqinë i ka cuar në nivelin e marrëdhënieve të komunizmit. Ai vuri në plan të parë marrdhëniet me Serbinë. Ai vuri në plan të parë aleancën me krimin, duke i vënë në kuvend e poste të larta drejtuese. Beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme është beteja më jetike”, deklaroi Basha.
Basha: Shkarko Ruçin dhe Xhafën
Kreu i PD deklaroi se nuk ka degë ulliri paqeje mes tij dhe Ramës, pasi asgjë nuk ka ndryshuar. Ndryshim, sipas Bashës, do të thotë të shkarkosh Gramoz Rucin dhe Fatmir Xhafën, si dhe të arrestojë ata që nxori nga burgjet për zgjedhjet. “Shkarko Ruçin. I është ndaluar përjete që të hyjë në SHBA. Arresto vëllain e Fatmir Xhafës që kërkohet nga Interpoli. Largo kryetarët e bashkive të inkriminuar. Nëse nuk bën këto nuk ka sesi të ketë paqe mes nesh”, theksoi Basha.
Sipas tij, Rama ka si qëllim të kaloj ekonominë kombëtare në duart e disa oligarkëve për të sunduar politikisht.
“Ka dhënë bregdetin, pasuritë minerare, tek klientët e tij, dhe tani përgatitet t’i kalojë edhe mjekësinë dhe arsimin. Rama do që të shtijë në dorë sistemin e drejtësisë. Ai do që të zhbëjë thelbin e reformës në drejtësi. “Rama 2″ nuk ka shëndetësi falas siç tha në ‘Rama 1’. Shqiptarët do të vijojnë të paguajnë nga xhepi i tyre”, deklaroi Basha.
Basha: Të frenojmë pushtetin absolut të Ramës
Kreu i PD deklaroi se Shqipëria qeveriset në mënyrë private dhe se çdo gjë bëhet vetëm mbi bazën e vullnetit të tij personal.
“Pasojat që mund t’i vinë vendit nga pushtet janë të rënda. Rama dhe oligarkët nuk janë fuqia. është koha të zgjohemi të gjithë bashkë. Duhet të mbrojmë të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Opozita do të bëj gjithshka për të frenuar këtë pushtet arbitrar. Gjendja është e papranueshme dhe e padurueshme. Në këtë parlament përfaqësohen klanet e drogës dhe të krimit”, theksoi Basha.
Kreu i PD: Reformë zgjedhore me të mirë, ose revolucion me pahir
Sipas tij, ndryshimi nuk vjen nga pseudomazhoranca që është produkt i politikës së korruptuar.
“Duhet reformë me themel i politikës. Deputeti të di se kë përfaqëson dhe qytetarët ta dinë se kush i përfaqëson. Reforma zgjedhore është rruga e vetme për ndryshim paqësor. Ndryshe shkohet në revolucion për të larguar këtë kastë të korruptuar politike. PD propozon një paketë masash për ndryshim. Na lind e drejta që ta shembim këtë kalbësirë nëse nuk pranohet paketa”, theksoi Basha.
Ora 08. 30
Deputetët janë mbledhur sërish sot në Parlament ku pritet të diskutojnë për programin e qeverisë “Rama 2” për katër vitet e ardhshme.
Seanca ka nisur në orën 09:00 të paradites, dhe do të jetë një seancë maratonë, pasi pothuajse të gjithë deputetët kanë regjistruar emrat për të folur. I pari që ka marrë fjalën ka qenë vetë kreu i PD. Lulzim Basha rikthehet kështu në Kuvend pas 6 vitesh mungese.
Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të legjislaturës IX janë të rinj, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi në seancën e djeshme rikujtoi rregulloren.
Por porosia e Ruçit më tepër se për deputetët e rinj u duk të ishte për ish-kryeministrin Berisha, kur tha se “koha e çdo diskutanti do jetë 20 minuta dhe asnjë diskutant nuk mund të marrë kohë nga një diskutant tjetër”.
Ndërkohë në seancën e pasdites së djeshme, kryeministri Rama iu përgjigj 19 pyetjeve të depozituara nga LSI dhe 4 nga socialistët për programin e qeverisë në këtë mandat.
Partia Demokratike nuk depozitoi asnjë pyetje duke kërkuar debat, ndërsa lideri Basha la që në minutat e para seancën. Në lidhje në procesin e integrimit të vendit, Kryeministri Rama tha se kjo nuk është më një çështje në dorë të Shqipërisë por Brukselit. /b.d