Nga Ben Andoni
Liria ishte një koncept aq shumë i shqiptuar nga të gjithë në agun e demokracisë shqiptare, saqë ajo përfytyrohej e lidhur thjesht me ndryshimin e sistemit. Në fakt, njerëz të lirë, qytetarë që luftuan për lirinë e kombit apo edhe mendimtarë të lirë, Shqipëria kishte pasur kurdo në historinë e vet, që kontribuuan me sukses si me staturat e tyre por dhe angazhimin e pareshtur. Veçse, njësoj si shumë vende ngado, edhe shqiptarët nuk bënin dallim në shekujt e shkuar, ku liria ishte e mirëditur dhe e lidhur veçanërisht me luftën për pushtet. Personazhet që kanë mbetur në historinë mesjetare janë më së shumti princër e mbretër, klerikë dhe ushtarakë, dijetarë, por fare pak ose në hapësira të mëdha aspak njerëz të thjeshtë. Pushtimi, që Shqipërisë i ndodhi në të gjithë Mesjetën dhe shekujt që pasuan Kohët e Reja, do të thoshte mospasja e tagrit të pushtetit prej një qytetari të zakonshëm, kurse statusi i lirë tregonte pozicionimin e atyre që e gëzonin krahasimisht të avantazhuar me të tjerët. Të liroheshe në feudalizëm ishte një kalvar në vetvete dhe ishte po aq e pamundur sa në shumë raste edhe sot në botën e mbushur me mure dhe e kalimit vetëm me viza të qytetarëve të së ashtuquajturës Botë e Tretë. Një nga njerëzit që i dha kuptim të veçantë lirisë ishte një personazh i cili kontribuoi si pakkush për hedhjen e Perdes së Hekurt. Papa Gjon Pali II në pontifikatin e tij gjykonte se: “Liria konsiston jo në bërjen e asaj që na pëlqen, por në të drejtën për të bërë atë që duhet”. Fjalë të mëdha për përballjen e lirisë që i bëjnë shqiptarët e sotëm, në jo pak raste të varur nga politika dhe interesa fare të ngushtë.
Megjithatë, Liria në kuptimin më të drejtpërdrejtë lidhet me Magna Carta Libertatum, një dokument i famshëm, që lindi si nevojë për të kufizuar shpenzimet e tepruara nga Kryqëzatat por nga ana tjetër edhe që e kodifikonte asokohe e tutje lirinë e Monarkut dhe të fisnikëve, të cilët e kishin përcjellë ishullin e madh Britanik afër skamjes. Kështu, “Magna Carta e shndërronte dobësinë e përkohshme të monarkisë në ligj; veprimet e monarkut ia nënshtronte kufizimit të përhershëm, duke i bërë kësodore më të parashikueshme për nënshtetasit e mbretit dhe duke u hequr shumëçka që i karakterizonte si “burim pasigurie”…për njerëzit e lirë, mbrojtja e lirisë së vet, qoftë dhe me anë të forcës,, u shndërrua në një nga masat e sanksionuara prej rregullave të lojës-tashmë pjesë e rendit politik dhe jo dhunim i tij”, na thotë sociologu i njohur Zygmund Bauman në studimin e tij “Liria”.
Por sërish jemi përballë një dileme: cilat kategori të qytetarëve janë të lira dhe cilat syresh dinë ta menaxhojnë ashtu si duhet lirinë?! Në kohën tonë është e vështirë për ta përcaktuar sepse në shumicën e komuniteteve sensi i lirisë nënkuptohet vetëm në kohën e mungesave dhe privacioneve të mëdha. Kurse në Shqipëri, deri më sot, njerëzit kuptojnë lirinë, atë periudhë që lidhet me post-komunizmin, ashtu si ata që dolën nga L2B, nënkuptonin fitoren antifashiste dhe jetën pas kësaj kohe. Liria lidhet dhe me dinjitetin. Kjo na zhgënjen sot, sepse shumë kujtojnë se duke folur janë të lirë, por harrojnë se pak e shoqërojnë atë me dinjitetin, privilegj i pak qenieve. Duke e besuar konstatimin e Bauman, për kuptimin sociologjik të lirisë, janë dy tipare të saj që e bëjnë dallimin më të qartë: lidhja e ngushtë me individualizmin dhe ajo gjenetike e kulturore me ekonominë e tregut dhe kapitalizmin. Dhe, sërish citimi i një sociologu të njohur Coliun Morris prej Bauman, që shprehet se: “Bërthama e individualizmit mbështetet në përvojën tonë psikologjike fillestare: në sensin e një dallimi të qartë midis qenies sime dhe asaj të njerëzve të tjerë. Dhe besimi rritet nga besimi ynë te vlera e qenieve njerëzore në vetvete”. Dhe ky lloj individualizmi sipas Morris që ka një vetë-ndërgjegjësim ishte tipar i pakundërshtueshëm i njeriut perëndimor...
Këtu kupton dhe atë ligësi dhe ngërç që ndodh në Shqipëri ku partitë tona ende me formime parapolitike e pengojnë individualizmin e vërtetë të shpërfaqet dhe mbi të gjitha nuk po e lënë ekonominë e tregut ta ketë frymëmarrjen e duhur. Ti shikon që biznesi është tejet i lidhur dhe jo pak herë të duket si zgjatim trafiku politik, ndërsa ekonomia e tregut ende vuan një informalitet por mbi të gjitha një fuqi strukturore që nuk ndikon aq sa duhet në fatet e vendit…, sepse kapitalizmi shqiptar ende s’po formësohet. Dhe të mendosh se çfarë ndodh në zgjedhjet tona kur puna më e madhe bëhet që administrata të përfshihet atëherë kupton realisht peshën që ka tregu i lirë dhe fuqia e individit të tjetërsuar, që më së shumti tashmë është e kanalizuar nën vullnetin e dy individëve Rama-Basha, në krye të dy partive kryesore në vend. Ndaj liria e shprehjes sot është me minus elementë. Por nuk mbaron këtu: në kuptimin filozofik të lirisë apo në variantin e saj modern, të lidhur pazgjidhshmërisht me kapitalizmin, ka një ambiguitet të brendshëm. Kjo lidhet me faktin se efektiviteti i lirisë kërkon që disa njerëz të mos jenë të lirë. “Të jesh i lirë do të thotë që të kesh mundësi dhe aftësi për të mbajtur të tjerë njerëz në gjendje jo të lirë. Kjo liri në formën e saj moderne, të përcaktuar ekonomikisht, nuk ndryshon nga shfaqjet paramoderne për sa i takon përmbajtjes së raporteve sociale”, na thotë Bauman.
Është e vërtetë se pushteti i shumë njerëzve në demokracinë tonë të brishtë ka privuar shumë të tjerë nga mundësitë por edhe nga shprehjet e mundësive të tyre. Që do të thotë se çdo ndryshim sjell trandje në të gjithë arkitekturën e funksionimit të strukturës së shtetit, ku tjetërsohen prej institucioneve kulturore-historike dhe deri në ato sociale. Ndaj liria mbetet disi privilegj dhe përpjekja për të ndryshuar është një luftë për intelektualët, që jo pak herë zhgënjejnë, e jo thjeshtë se janë të veshur me pushtet politik. Weber e dëshmon thartë: “Zbatimi i drejtpërdrejtë, i vullnetshëm, i zgjedhur lirish i arsyes në veprimet tona përbën një opsion që është dhe do të mbetet i hapur vetëm për një pakicë të zgjedhurish”.
Vallë pse shqiptarët dhe jo vetëm nuk e kanë lirinë? Në këtë rast, Bauman, mbështetet tek dy studiues të tjerë Whimster dhe Lash, të cilët e vënë në dukje idenë se ku shkon një gjykim i tillë: “Jo të gjithë njerëzit janë të aftë për ta ngritur veten deri te niveli intelektual që arsyeja bën të mundur dhe njëkohësisht kërkon”. Vetëm disa njerëz i kanë cilësitë e nevojshme të mendjes dhe karakterit, me sa duket të përballin një situatë të tillë, na përkon me një konstatim të Weber. Nuk po e zgjasim më argumentin për shoqërinë tonë sepse realiteti na e tregon hapur qoftë servilizmin dhe konformizmin e frikshëm.
Më thellë ende vjen ideja e Weber për racionalitetin e shoqërisë së organizuar, që do të thotë se: ajo nuk jep mundësi që liria dhe veprimi racional të bëhen veti të çdonjërit prej pjesëtarëve të shoqërisë. Racionaliteti i sistemit social kërkon dhe bën të mundur lirinë dhe racionalitetin e veprimit të drejtuesve dhe projektuesve të tij, na thotë ai duke e drejtuar gishtin tek ata që zgjedhim.
Kjo është një nga tragjeditë e kësaj kohe, pasi shumica nuk kupton se besojmë se jemi të lirë, por në fakt kemi fare pak gjëra në dorë, pasi shoqëria e sotme të privon edhe me votën, e cila jo pak herë transformohet. Liria është një koncept, që në Shqipëri e gëzojnë vetëm pak njerëz, ata që me çdo akt në jetë tregojnë qenësi, individualitet ose si do e thoshte ndryshe Kamy: “Mënyra e vetme për t’u marrë me një botë të lirë është të bëhesh kaq absolutisht i lirë, saqë edhe vetë ky çast të jetë një akt rebelimi”. (Homo Albanicus)