Ndërhyrjet në linjat e tensionit të lartë kanë qenë një prej problemeve që kanë sjellë vonesa gjatë realizimit të projekteve rrugore, për shkak të ndërthurjes së tyre me gjurmët e akseve në ndërtim.
Për të shmangur situata të tilla, Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon një kontratë të posaçme për spostimin e tyre, me fond limit rreth 1.29 mld lekë apo rreth 13 mln euro.
Tenderi për punimet vjen pas procedurës së hapur më herët nga ARRSH për hartimin e projektit teknik të spostimit të linjave të tensionit të lartë, me fond limit rreth 166.7 mln lekë. Kjo kontratë përfshinte segmentet e Korridorit VIII në zonën Elbasan-Librazhd dhe zgjerimin e aksit Tiranë–Durrës.
Po ashtu, një element me interes është se ARRSH ka zgjeruar objektin e projektimit edhe për raste të tjera që mund të shfaqen gjatë zhvillimit të projekteve infrastrukturore. Termat e Referencës parashikonin se e njëjta kontratë mund të përdoret edhe për spostimin e linjave të tensionit të lartë në projekte të tjera rrugore apo infrastrukturore ku krijohen ndërhyrje me rrjetin e transmetimit të energjisë.
Më specifikisht, kjo përfshin edhe raste kur linjat e transmetimit ndodhen në gjurmën e një projekti rrugor, hekurudhor, energjetik, urban, industrial apo infrastrukture publike.
Ndërkaq, për Korridorin VIII, ndërhyrjet marrin rëndësi të veçantë për shkak të punimeve që po zhvillohen në disa segmente dhe problematikave që janë krijuar nga ndërthurja e gjurmës së rrugës me infrastrukturën ekzistuese energjetike.











