Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi pas mbledhjes së grupit se kryeministri Edi Rama është i hapur për dialog me studentët, ndërsa përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së kreut të qeverisë.
“Dialog me studentët. Ka një propozim për dialog. E vërteta është që studentët kanë arsye për t’u adresuar”, u shpreh Balla para mediave.
Ai theksoi se shteti ofron mbështetje financiare për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje në nevojë. Sipas Ballës, studentët ekselentë përfitojnë 600 dollarë në muaj, ndërsa studentët nga familjet në nevojë përjashtohen nga tarifat dhe marrin 100 euro në muaj nga shteti.
Sa i përket paketës së re ligjore për tubimet, Balla tha se dialogu mbetet i hapur për çdo çështje, edhe pse deri më tani, sipas tij, nuk ka një listë konkrete kërkesash.
“Dialogu, kur fillon, është i hapur për çdo lloj pike. Sot nuk ka një listë çështjesh”, deklaroi ai, duke shtuar se dorëheqja e kryeministrit Rama nuk do të ndodhë.
Gjatë prononcimit, Balla u ndal edhe te procedurat parlamentare për ligjet që lidhen me integrimin europian. Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitës se këto ligje po kalojnë me procedurë të përshpejtuar, duke deklaruar se ato janë shqyrtuar prej javësh dhe në disa raste prej vitesh në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar socialist u bëri thirrje deputetëve të opozitës të heqin dorë nga ajo që e cilësoi si qëndrim destruktiv në seancat parlamentare.
Ndërkohë, lidhur me ligjin për tubimet, Balla bëri të ditur se është informuar nga qeveria se nisma do të miratohet fillimisht me akt normativ nga Këshilli i Ministrave dhe më pas do t’i dërgohet Kuvendit për miratim. Sipas tij, procesi është iniciuar nga qeveria dhe do të ndiqet përmes procedurave përkatëse përpara se akti të shqyrtohet nga parlamenti.








