(Fragment nga libri i gazetarit Nikoll Lesi i cili do botohet me rastin e 25 vjetorit të daljes së “KOHA JONE” në Maj 2016)
Viti i mbrapshtë 1997
Që në numrin e parë të datës 4 janar gazeta doli me një titull të madh në krye të të faqes të parë: “Gjallica stop dy javë“. Dhe, sikur të ishte “Kasandra” për sa do të ndodhte në muajt e mëvonshën Skënder Minxhozi paralajmëron me një shkrim më gërma të zeza, në faqen katër, me titull “1997 – horoskop i vështirë shqiptar”. Minxhozi bën një analizë se çfarë mund të ndodhë në këtë vit, që dukej në horizont, si problematik. Shqipëria po hynte në tunelin e errët të atij që më vonë do të ishte viti më dramatik në historinë e saj moderne. Të nesërmen prapë redaksia e gazetës vendos të dalë me çështjen e fajdeve dhe me opozitën. Titulli i madh ishte “PS: Fajdet, të kthejnë depozitat”. Tensioni po rritej kudo, ndërsa Shteti ende nuk po kërkonte një zgjidhje me opozitën e kreditorët, për të gjetur një mundësi kompromisi, por u përgatit për dorë të fortë, me shkopinj. Ne shikonim çdo ditë rradhë gjithnjë e më gjata, tek pikat e firmave të fajdeve. Njërëzit po frikësoheshin për lekët e tyre . Emigrantët e ardhur për të Vit të Ri nuk u kthyen nga kishin ardhur. U futën edhe ata në rradhë. Qeveria ishte drejt krizës. Azem Hajdari, i vënë në krye të Lëvizjes Sindikaliste, bën thirrje për grevë kombëtare. Lëvizja greviste paralizoi Shkodrën, Lushnjën, Beratin, Vlorën e po kërcënonte edhe bllokimin e Tiranës. Titulli i datës 7 janar ishte “Grevat filluan. Studentët në rrugë”.
Ndërkohë problem-sherret në firmën rentiere “Gjallica” pasqyrohen me datën 9 janar, ku bie në sy titulli “Divorci i “Gjallicës” në gjykatë”, ndërsa në krye të faqes tre, titulli ”PD: Azem Hajdari jashtë grupit parlamentar“. Gavrosh Levonja fillon e del nga faqet e jashtme, tek rubrika e politikës, kurse Kadri Vokopola mbulon rubrikën për kohën e lirë të lexuesit, duke i lënë më shumë kohë edhe gazetarëve të sektorëve kulturorë, që të kalojnë në përforcim të rubrikës politike në gazetë. Nga Vlora na kërkon urgjent në telefonin e redaksisë korespodentja Zenepe Luka, një gazetare kurajoze që mbuloi nga afër fenomenin e firmave rentiere atje. Kishte intervistuar presidentin e kompanisë më të madhe piramidale Vehbi Alimuçaj. Ai kishte thënë prerë se ”VEFA do të blejë 30 avionë”. Si për dreq, intervista e botuar e ndezi edhe më shumë reagimin ndaj kompanive të fajdeve. Helikopterët e pablerë ishin kthyer në bumerang për firmat e fajdeve. Kreditorët filluan të ngrinin zërin, se “jo vetëm po na marrin lekët, por dashkan edhe avionë e helikopterë!”. Natyrisht që gazeta nuk kishte asnjë faj për këtë lajm, që pati efektin e benzinës mbi zjarrin që po ndizej.
Situata po bëhej edhe më e rëndë. Gazeta, mes gjithë kësaj katrahure pasqyronte me shpejtësi e me kurajo gjithçka ndodhte. Budallallëku i kësaj sëmundje shkonte edhe deri në çmenduri, të cilat ia vlen të kujtohen edhe sot; me datë 11 janar, në krye të faqes dy, korrespodenti ynë jepte lajmin se në vend që të kërkojnë lekët, njërëzit po vraponin tek sportelet e “Kamberit” për të futur lekë të tjera! Një njoftim i dhënë prej firmës rentiere, se “kush i fut lekët deri me 25 janar, do të marrë 20 përqind interes mujor”, kishte nxitur kundërrjedhën për disa ditë, por që më vonë do të bëhej cunam në Vlorë. E pabesueshme. I them dy prej gazetarëve kryesorë, se kjo duhet verifikuar edhe njëherë para se të botohet. Ishte një lajm shumë delikat dhe duhej të ishim të kujdesshëm. Dërguam dy gazetarë të sektorit kronikë e politikë. Ata kishin qenë prezent kur një italian futi 250 mijë dollarë mënjëherë, ndërsa kaosi po vinte.
Një mori kreditorësh të tjerë i merrnin në firmat e tjera lekët dhe prisnin në rradhë për t’i futur prapë tek tjetër firmë, saktësisht tek “Kamberi”. Çmenduri totale, sindromë kolektive më saktë! Një lajm i transmetuar nga “Zëri i Amerikës “ se janë zhdukur 130 milion dollarë nga Vlora me një skaf, e ndezi edhe me tepër flakën që rrinte e tulatur tek sportelet e firmave. “Na ikën lekët!”, ulërinin kreditorët pas lajmit të radios amerikane. E kishte dhënë “Zëri i Amerikës “! Ishte lajm që i vuri zjarrin fitilit, që herë ndizej e herë fikej, deri në atë kohë. Policia ishte në gaditshmëri totale. Edhe redaksia jonë gjithashtu ishte në gatishmëri, por në terren e kudo për të qenë të saktë e të parët në çdo gjë. Ben Blushi ishte truri i gazetës. Gazetarët e Tiranës si Martin Leka, Jonila Godole, Enton Abilekaj, Andi Bejtja, Skender Minxhozi, Alfred Peza, Emin Barçi, Zamir Dule, Henri Çili, Arban Hasani, Mimoza Dervishi, Zamir Alushi, Vladimir Prela, Ilir Gjoni, Bardhi Sejdarasi, Milto Baka, Roland Zili, Ilir Babaramo, Gezim Ashimi e një numër i madh korrespodentësh të punësuar apo bashkëpunëtorë, shkruanin dhe rendnin papërtim për të saktësuar gjithçka.
Rradha e artikujve në tavolinën e kryeredaktorit ishte sa për të nxjerrë dy gazeta në ditë. Ishte një situatë e jashtëzakonshme e ku asnjëri nuk ankohej për orarin e gjatë në punë. Dikush sillte një lajm, një tjetër intervistë, koment, lajm prapë, informacion; ishte si një koshere bletësh, si një udhëkryq i zhurmshëm, ku konvergonin fijet nervore të një shoqërie që po kalonte në kolaps të plotë. Tashmë kishim lëvizur përsëri me zyra. Vajtëm tek rruga “Qemal Stafa”, ose siç njihej më mirë, afër Shkollës së Kuqe. Aty erdhi edhe redaksia e “Sport Ekspres” me Fatmir Mënerin e mrekullueshëm, që ishte kryeredaktor tek kjo gazetë, e cila kishte lenë pas në tirazh median e dikurshme sportive.
Duheshin kompjutera për gjithë këtë armatë të madhe me gazetarë. Nuk ngurova e bleva, në mos gabohem, 25 kompjutera. Sejcili ishte i “armatosur” me një kompjuter. Nga tastierat e kompjuterit të Frrok Çupit dilnin artikuj të zjarrtë e të paarritshëm për kohën, por mundet edhe për sot, për kurajon, logjikën dhe mjeshtrinë e të shkruarit. Çupi ishte kthyer nga pak e përditë, në një frymëzim për protestuesit. Nuk mjaftonte llahtaria që po afronte me fajdetë, por pushteti kishte kohë edhe të sulej mbi Azem Hajdarin. Ndaj titulli i madh i datës 15 janar ishte “Fillon ferri për Xhaferrin”, dhe pak më poshtë vinte një tjetër titull; “PD përjashton nga grupi parlamentar Azem Hajdarin”. Kjo ishte vendosur në një mbledhje të Kryesisë së PD-së në mbremjen e datës 14 janar. Mesmuaji janar afron Blendi Fevziun me gazetën “Koha Jonë”, çka duket në editorialet dhe artikujt e shumtë në këtë periudhë. Ishte meritë e Blushit rikthimi i Fevziut.
Më 16 janar titulli kryesor i gazetës ishte “Dajak në vend të fajdeve”, i shoqëruar me një tjetër informacion, se “Zeri i Amerikës” arreston Suden”. Policia merr urdhër dhe fillon të rrahë kreditorët. Edhe pa lekë, edhe të rrahur, kjo nuk shkonte! Ndizen gjakrat në popull. Tirazhi i gazetës me datën 17 janar, sipas shënimit në fund të faqes së parë, ishte 52500 kopje. Dhe shitej çdo gazetë. Në këtë ditë “Koha Jonë”del me një titull me supërgërma të mëdha : “Mbyllet “Populli” dhe “Xhaferri”, e shoqëruar me një nëntitull “ Vlora në rrugë kundër Qeverisë”. Gazeta shitet mënjëherë. Frrok Çupi, po atë ditë, boton një perlë me titull “Berisha ra, kush do të ngrihet ?!” Artikulli i Frrokut, na treguan korrespodentët , ishte blerë i fotokopjuar, se nuk gjendeshin më kopje në treg. Po na mbaronte letra në shtypshkronjë për botim. Nuk ishte parashikuar një furnizim i tillë me letër gazete. Shtypshkronja, ndërkohë, porosit maune të tjera me letër nga Bullgaria. Opozita, që me zor merrte frymë deri atë ditë, kërkon dorëheqjen e Qeverisë Meksi. Edhe Neritan Ceka të njëjtën gjë thotë. Po këtë kërkonte edhe Azem Hajdari, por në një kontekst tjetër. Emin Barçi i merr intervistë Genc Rulit më datë 18 janar . Titulli i saj “Ruli: Fajdetë janë të paligjshme. Pasojat do t’i paguajmë të gjithë”, ishte analizë e një specialisti të nivelit të lartë në fushën e financave.
Opozita del në sheshe. Policia merr mburojat e shton më shumë shkopinj gome. Urdhërohen të pajisen me armatim shtesë. Po shkohej drejt përplasjes së madhe. Me 19 janar ka të rrahur e të plagosur në Tiranë, nga përleshjet mes turmës e policisë. Me datë 22 janar titulli i madh i “Koha Jonë” ishte “Xhaferri mbyll sportelet” dhe gazeta u shit që në mëngjez herët. U kthyem në shtypshkronjë për ta rishtypur këtë numër gazete. Sapo filluam me punonjësit e rrotativës së shtypit për të botuar një tirazh shtesë, ia mbërrijnë gjithë tërsellëm, një skuadër policie e disa shikas. Nuk e lejuan rishtypjen e gazetës. ”Boll e keni shtyp për sot! Tash po ju vjen rradha edhe ju, për t’ju shtypur kokën!” – thanë dhe na nxorën përjashta. Kërkesat për gazetën “Koha Jonë” po vinin në rritje çdo ditë. Ne botonim tirazhe të mëdha, transportonim, shpërndanim tek lexuesi, porse lekët nuk po na vinin nga pikat e agjensitë e shitjes së gazetave nga rrethet, përveç kryeqytetit. Nuk kishim ç’të bënim, duhej të prisnim derisa të qetësohej situata, për të mbledhur lekët e shitjes masive të “Koha Jonë”, e të paguanim prapë shtypshkronjën. Por situata më vonë nuk u qetësua, siç e dimë të gjithë. Përkundrazi. Fejzi Bozgo drejtor i shtypshkronjës “Demokracia “ më thoshte “hajde e firmos, se borxhet e mosshlyerjes së këtij tirazhi gjigand po të rriten”. Unë firmosja me garanci se gazeta ishte shitur çdo ditë. Por lekët nuk po vinin nga rrethet, ndërsa gazertashitësit justifikoheshin “ka plasur rrëmuja e kemi frikë të udhëtojmë me lekë, për t’i sjellë në redaksi”. Sistemi bankar ishte inefiçent, me përjashtime të vogla, kur lekët arkëtoheshin nga ndonjë agjensi shitje. Administrata më qetësonte, duke më vënë përpara llogaritë me tirazhet shitura. Një grup arkëtimi që nisëm për Shkodër edhe me shoqërues, për pak sa nuk i vranë, ndonëse iu morën lekët e arkëtuara nga shitja e gazetës.
Por financat ishin njëra anë e medaljes. Ana tjetër ishte misioni i madh i informimit. Sidomos në një moment si ai, kur populli kishte nevojë si ajri, që të dinte se ç’po ndodhte. Nuk mund të ndalonim me Blushin e të kufizonim tirazhin e gazetës, aq më tepër tani që lexuesit e donin aq shumë gazetën. Më 23 janar, një esse e Frrok Çupit me titull “Po kalon 001“, u përpi me një uri të madhe. E kishte fjalën për Presidentin. “Vizitorë” të përnatshëm po na vinin përreth redaksisë së gazetës. Të gjithë shikas, spiunë. Natën e datës 22 janar, teksa po ktheheshin për në shtëpi, Edi Rama dhe miku i tij Vladimir Myrtezai, ishin goditur e masakruar nga shikas. Edi Rama përfundoi në spital me fraktura të rënda në kokë e fytyrë, sa për pak nuk vdiq. Na lajmëruan në redaksi e nxituam për ta parë në spital. Pamja ishte makabër. Edi, si një div i shtrirë gjithë gjak, në prag-vdekje, në një shtrat të spitalit. Nuk kishte ilaçe kurkund për Ramën dhe Martin Leka nxitoi me një makinë, për të marrë ilaçe kundër tetanozit dhe dikur ia bënë. Edi shpëtoi. E tmerrshme, kishte filluar gjuetia e intelektualëve dhe njerëzve të medias. Më datë 24 janar, Fatos Lubonja boton një shkrim të madh në faqet speciale të gazetës, me titull “Të hatashëm përsëkeqi në diktaturë, të hatashëm dhe përsëkeqi në liri”. Ben Blushi, kryeredaktor i gazetës, më kërkon që gazeta e datës 25 janar të shtypej në 70 mijë kopje. E pyes se çka ndodhur dhe me thotë shiko shkrimet dhe titullin e madh të faqes së parë. Titulli ishte: “Lushnja digjet … Berisha krihet “ e nëntitulli ”Kavaja: Poshtë Sali Berisha “… Kishte dhe një njoftim në fund të faqes me të zeza: Nesër në Vlorë në sheshin e “Flamurit”! Rashë dakord që të rrisnim tirazhin dhe gazeta atë natë u shtyp në 65 mijë kopje, pasi shtypshkronja nuk kishte më tepër letër. Vladimir Prela, më datë 26 janar bën një editorial, duke u bërë thirrje në emër të gazetës, të gjithë protestuesve: “Mos shkatërroni”. Reportazhi i datës 26 janar i gazetarit Enton Abilekaj që kishte vajtur në Lushnjë për të ndjekur aktivitetin e zv/kryeministrit Tritan Shehu ishte i jashtëzakonshëm. Titulli ishte “Tritan Shehu peng në këmbim të gjeneralit” dhe nëntitulli “Lironi Rrapush Xhaferrin, ose Tritanin nuk e lëshojmë”. Ishte marrë peng zv/kryeministri. Gazetari Abilekaj na tregoi një peripeci drithëruese, se si kishin shpëtuar pa u masakruar nga policia e SHIK-u. Lushnja u dogj. Edhe Berati filloi djegien. Po vinte e keqja e madhe.
Më datë 29 janar krijohet “Forumi për Demokraci”, ku u bashkuan opozitarë e disa parti të formacioneve të djathta. Në mbrëmjen e datës 31 janar më vjen në zyrë Azem Hajdari. E mbaj mend atë natë, pasi lidhet me çka ndodhi me 2 shkurt me Azemin, kur bodygardët e Presidentit Berisha e kishin kapur me forcë, a thua se kishin kapur një terrorist. Azemi ishte lideri shpirtëror i të gjithëve.
-Nikoll! – m’u drejtua Azemi – Për nesër dua një lajmërim të madh, në faqe të parë, për pasnesër – tha dhe me shikoi në dritë të syrit. Azemi kishte qenë pranë gazetës “Koha Jonë” në ditët tona më të vështira. Dhashë porosi të botohej çka donte Azemi.
-Ben!- iu drejtova Blushit, pak më pas në redaksi – Faqose në faqe të parë të gazetës çka të dojë e ku ta dojë Azemi- thashë, kur i shikoj të dy duke qeshur.
-E kemi faqosur me kohë, por donim edhe lejen tuaj! – tha Blushi. Lajmërimi thoshte se Azem Hajdari, si shef i Këshillit Kordinues të Levizjes Sindikaliste, bënte thirrje që me datë 2 shkurt tek stadiumi “Dinamo” të thirrej një protestë paqësore kundër Qeverisë Meksi. Qeshëm të tre dhe dolëm për një kafe bashkërisht. Ishte një kafe e vogël, afër redaksisë. Sa herë hynim në atë lokal, me Benin, vinte një treshe shikase që na bënte roje.
-Nikoll! – m’u drejtua gjithë seriozitet Azemi, duhet të bani kujdes; ti, Frroku dhe ti Ben! Mos lëvizni vetëm e sidomos natën. Ju ka shumë qejf SHIK-u dhe nuk dihet se çfarë po kurdisin ata – tha ai. Dhe iku. Natën bëhej gazeta, derisa shkonte për botim. Kjo ishte natyra e punës tonë dhe nuk mund ta ndryshonim. Shtuam rojet në redaksi. U detyrova të vendos roje edhe në shtëpi, kurse Benin e përcillnim deri tek dera e banesës së tij, me një tjetër roje që punësuam vetëm për kryeredaktorin. Ishin kohë shumë të këqija. Siguria e stafit të gazetarëve kushtonte, po kush pyeste për paratë në një situatë ku rrezikohej jeta.
31 janar 1997, Sandri më shet 40 % të aksioneve
Ndërkohë që Ben Blushi drejtonte gazetën në kushte lufte, ortaku im Aleksandër Frangaj me disa të tjerë po projektonin një media të re. Me 31 janar Sandri më thotë se dua t’i shes 40 përqind të aksioneve të gazetës “Koha Jone”. E pashë njëherë dhe mu kujtua Spartak Ngjela në atë korrik 1992, kur i fala Sandrit 40 për qind të aksioneve. Nuk kisha lekë në janar 1997, pasi ishim në kushte bllokade nga shteti. I thashë ta mendoj. Shkova e takova disa miq biznesmenë. Nuk jepnin. Ishin të frikësuar nga ngjarjet politike dhe rremuja. E takova prapë Sandrin dhe i kërkova që të mos ngutet, sepse mund të punojmë bashkë. Ishim bashkëpronarë. Kishim punuar në kohë të vështira bashkërisht. Por ai e kishte ndarë mendjen. Me tha si me të qeshur se po t’i shes ty, sepse nuk dua t’ia jap dikujt tjetër që nuk do të vijë mirë. Më dogji paksa. Kujt do t’ia shiste aksionet e gazetës, nëse nuk i merrja unë. Po më mundonte brenga se cilin po më sjellë ortak në median që e kisha themeluar vetë. Ndërkohë ngjarjet në Tiranë e Vlorë po acaroheshin mes pushtetit dhe popullit. Po ndizej revolta popullore.Se mos sjellë ndonjë ortak nga këto që janë të rrezikshëm, thashë me vete dhe u dorëzova. E takova dhe i thashë “PO”.
-Po sa do t’i blesh?- insistoi ai.
-Sa të kem !- u përgjigja. Por ai nuk pranoi. Kërkoi një shifër të madhe, për atë kohë. Plus shumës cash donte edhe një faqe reklamë në gazetë,që të sillte reklama e lekët të kalonin për llogari të tij. Për një vit rrjesht e donte faqen për reklama. U dorëzova. Shkova tek një biznesmen të cilit nuk doja t’i shkoja, realisht. Më tha “nuk kam”. U solla dhe iu përgjigja se nuk mund t’i gjej këtë shumë dollarësh që më kërkon.
Atëhere më ofroi t’i firmos kontratë borxhi në shumën 70 mijë dollarë plus 30 mijë dollarë reklamë, pra fiks 100 mijë dollarë. Firmosa kontratën sikur i kisha marrë borxh dhe do t’ia shlyeja brenda kohës së përcaktuar. Në të kundërt do të paguaja përqindje interesi për vonesën. E firmosa dhe pagesën e shumës që kërkoi . Duhej të paguaja pjesë-pjesë, sipas kontratës. E noterizuam me numër kontrate rep.232 dhe nr.51 kol tek noterja Leonora Halili, ora 11.00, datë 31 janar 1997.
U ktheva në punë dhe nuk i tregova Ben Blushit për dollarët që i firmosa Sandrit. Ndërkohë një faqe gazete ishte e bllokuar për reklamat e përditshme të Sandrit. Dyshoi Blushi e më tha se “çfarë ke bërë?”. I tregova. U shastis.
-Ore je në vete? Ke nevojë të vizitohesh Niko !- më tha dhe sillej nëpër zyrën time duke pirë cigare.- Ore e di se i ke dhënë shumë dollarë, sa nuk je në terezi ! Na rrezikon edhe neve punën në gazetë!- fliste kryeredaktori. Pas gjysëm ore e kishin marrë vesh Ilir Gjoni e Vladimir Prela. Ndërkohë unë u shpjegova se ai kishte qenë në burg për gazetën, se kishte punuar sa asnjëri tjetër, se duhet kuptuar mosha e tij, etj. Por nuk ngjiste ajo që tregoja.
Ai iku nga bashkëpronar i “Koha Jone”, kurse unë mbeta në punë me Blushin e të tjerë.
-A kemi lekë për rrogat?- pyeti Blushi sepse ishte 31 janar e me datë 5 shkurt gazetarët donin pagat e muajit. Gazetarët i morën rrogat diku nga fundi i shkurtit.
Ndizet keq situata politike
Me datë 3 shkurt, Vladimir Prela e Ilir Gjoni më kërkuan për të botuar edhe një gazetë “Koha Jonë” në gjuhën angleze, pasi kishte shumë të huaj në Tiranë që donin të dinin në gjuhën angleze se çfarë ndodhte. Ndërkohë gazetarin tonë në Korçë Roland Beqiraj, e mbanin në qeli kot së koti, vetëm se punonte për “Koha Jonë”. Ishte dita e tetë që e mbanin të izoluar në qelitë e policisë. Protestuam, por as që dëgjonte njëri. Me datë 4 shkurt dolëm me një editorial në mbrojtje të tij. Erdhën nga ambasada amerikane për t’u interesuar. Një nga të ambasadës, që kishte dhe një zyrë tek ish-Piramida, pyeti nëse mund të vinte përditë në redaksi për të na ndihmuar në këto kohë të vështira, pasi prezenca e tij mund të largonte shikasit, që të mos na rrihnin gazetarët. Dhe në fakt “njeriu amerikan” nisi të vinte shpesh. Nuk e di nëse ishte i CIA-s, por dikush nga stafi thoshte se është pikërisht i tillë.
Ndërkohë , nuk e di se si nga na mbiu ideja, porse me Ben Blushin folëm për të bërë numrin e parë të “AKS”-it si revistë, me 86 faqe dhe që do të botohej një herë në muaj. Blushi më propozoi kryeredaktor të revistës “AKS” Blendi Fevziun. E njihja Blendin, njëherë e kisha emëruar kryeredaktor të gazetës kur mu prish paksa qejfi me Sandrin. Por pak ditë mori karriken e kryeredaktorit, sepse riktheva Sandrin.
Me datë 5 shkurt dolëm në faqe të parë me këtë lajmërim. Nuk vonoi dhe Aleksandër Frangaj më vjen e më takon. Më thotë se donte, edhe ai, një lajmërim në faqe të parë, pa lekë, për botimin e një reklame për një reviste me emrin “Klan”. Nga stafi me thanë se duhet të paguajë për reklamën, por nuk pranova. Ia bëra falas, Sandrit. E faqosëm bukur, me dashamirësi, si dikur. Majtas ishte lajmërimi “Del revista e re “Klan”, e përjavshme, me pronar Aleksandër Frangaj, kurse në të djathtë të lajmërimit të Sandrit, kryeredaktori Blushi vendosi lajmërimin tjetër me titull “Më 1 mars revista “AKS” me kryeredaktor Blendi Fevziun.” I thashë Benit se do të ishte më mirë që lajmërimin për revistën “AKS” të mos e nxjerrim në faqe të parë, e aq më shumë afër lajmërimit të Aleksandër Frangajt, por Blushi më përgjigjet, në mënyrën e tij ironike se “shkojnë shumë bukur afër njëri tjetrit Sandri me Fevziun “. Suad Barbullushi punonte për gazetën “Sport Ekspres” në katin e parë dhe filloi faqosjen e revistës së re “AKS”, me Fevziun. Blushi me Fevziun donin ta zhvlërësonin revistën konkurente “Klan”. Ishin kaq të etur për këtë gjë, sa nuk u dilej përpara.
Më datë 6 shkurt dolëm me një supërtitull: “Vlora: Berisha në det“, ku u pasqyrua protesta e mbi 40 mijë vlonjatëve me datë 5 shkurt. Policia na e bllokoi vajtjen e gazetës në Vlorë, duke na hedhur tirazhin e gazetave të Vlorës në kanal e duke djegur furgonin e transportit. Sa më shumë na bllokonin aq më shumë na kërkonte lexuesi. Fill pas protestës së përgjakshme në Vlorë, opozita bën thirrje për miting në Tiranë me datë 8 shkurt. Titulli i madh i datës 7 shkurt u faqos që pasdite, e jo si herët e tjera, vonë në darkë. Ishte me germë të zezë të madhe: “Nesër: Tirana në miting”. Disa drejtues të PS-së na ishin lutur për ta futur në faqe të parë lajmërimin e organizimit të kësaj protese, e cila ishte planifikuar me datë 8 shkurt, ditë e shtunë. Blushi e kishte bërë gati gazetën për në shtypshkronjë e po dilnim. Ishte diku rreth orës 23.00. Tek dera po vinin me vrap nja dy drejtues të opozitës, një burrë i vjetër dhe tjetri mesoburrë. Emrin nuk po ua përmend për etikë. Na ishin lutur vetë, që para tre ditësh “aman botojeni në faqe të parë lajmin për mitingun e datës 8 shkurt”. Ata na argumentuan se duam të bëjmë këtë protestë dhe do të hyjmë në negociata më pas, për një Qeveri Teknike, në mënyrë të ndalet gjakderdhja e të gjejmë mënyrën për t’iu kthyer lekët kreditorëve. Ishte paksa absurde logjika e tyre, se nuk funksiononte me Berishën, por gjithsesi nuk ua prishëm. E vendosëm ta botonim njoftimin. Natën e ditës së premte, një ditë para protestës, ne e kishim futur në qoshe të faqes së parë të gazetës lajmërimin e tyre, që do botohej ditën e protestës. Dy zotërinjtë e mësipërm mbërritën me një makinë të PS-së në redaksi dhe na dolën para të shqetësuar.
– Duhet të hiqni urgjent lajmërimin e protestës- na u drejtuan, të dy.
-Çka ndodhur? Ne po e nisim për në shtypshkronjë tani – u thamë, pa e rimenduar dy herë.
-Jo jo, hiqeni!- e ngritën zërin drejtuesit e opozitës.- Na kanë kërcënuar në telefon në shtëpi ata të SHIK-ut – tha njëri prej tyre, me syze.- Do të bëhet nami nesër ndaj hiqeni!
-Dakort! Po kthehemi dhe e heqim fare – i qetësuam dhe u kthyem në redaksi. Ata ikën të qetë e ne u ngjitëm në redaksi.
-Prishe faqen e parë!- i thashë faqosësit – Vendos gërmat më të mëdha të mundshme: ”Sot Tirana si Vlora“ dhe nëntitull: ”Merrni lule në vend të gurëve”. E nisëm në shtypshkronjë dhe dolëm me Blushin e të tjerë për të ngrënë darkë në ndonjë lokal. Porosita të shkonte tirazhi në 80 mijë kopje. Të nesërmen gazeta iku e përpirë nga lexuesi. Dhe kur populli e lexoi lajmërimin e opozitës në gazetë u mblodh në mënyrë masive.Pas popullit shkuan edhe drejtuesit e opozitës dhe folën. Kur miting kishte mbaruar ndoqëm jo pa ironi dy drejtuesit e opozitës, që na erdhën një natë më parë, të cilët ishin në hotel Tirana duke dhënë një intervistë për një televizion italian. Ne po pinim kafenë tek kati i tretë, kurse ata thonin, ndër të tjera se “…. E organizuam këtë miting me kurajo dhe pa frikë nga Berisha, si drejtues të opozitës së bashkuar …”!.
I pamë dhe ikëm në redaksi, duke kujtuar fytyrat e tyre të dhjera nga frika, të një nate më parë! Ata kishin organizuar një m.. të madh se lagën brekët nga frika. Ne ishim opozita e vertetë, pasi PS-ja ishte strukur. Ne u kthyem në zërin e njërëzve të thjeshtë që kishin humbur gjithçka, neve pushteti duke na sakatuar na bëri jo vetëm gazetarë kurajozë, por edhe opozitarë. Nuk mund të ndaheshin në atëkohë gazetari nga qytetari i revoltuar. Mundoheshim të ishim profesionistë, por ndjenja qytetare nga rrëmbente. Kishte edhe pasionin e kohës çdo shkrim në ato pak muaj, porse lajmi ishte lajm dhe nuk sajohej, kurrsesi. Ne kishim kurajon e çmendur se e thonim shqeto, pa frikë. Nuk e njihnim frikën.
Një ditë pas mitingut të 8 shkurtit dolëm me titull “Tirania shtyp Tiranën”. Në darkë, me datë 10 shkurt, shikas e policë të shumtë rrethojnë shtëpinë e Frrok Çupit. Po atë ditë në Vlorë ishte bërë nami. Ishin vrarë tre protestues e kishte mbi 140 të plagosur, raportonin korrespodentët tanë Zenepe Luka e Anilda Ibrahimi. Të nesërmen, më datë 11 shkurt në Vlorë, mbi 80 mijë veta morën pjesë në ceremoninë mortore të protestuesve të vrarë. Po bëhej keq e më keq. Qeveria nuk po jepte shenja dorëheqje, apo ndonjë sinjal për të gjetur një kompromis të madh kombëtar për krizën. Më datë 13 shkurt “Koha Jonë” del prapë gërma kapitale të zeza “Doktor, shko tek doktori “. Po atë ditë Frrok Çupi kap një intervistë të kryeministrit Meksi tek Euroneës, ku ndër të tjera, Çupi citon Meksin se “….Socialistët kërkojnë luftë civile, ne dhe populli jemi gati“. Dhe mënjëherë dalim me datë 14 shkurt: “Meksi : Gati për luftë civile” dhe një editorial të Frrok Çupit në lidhje me këtë thënie të tij. Më datë 16 shkurt plasim një titull “Me presh në shesh”, për një protestë të opozitës që injoronte pushtetin.
Ditë të tensionuara. Me datë 20 shkurt, titulli i madh i “Koha Jonë” është: ”VEFA, piramida shembet“ dhe një editorial i Blendi Fevziut “20 Shkurti na gjeti në rrugë”. Me 21 shkurt botohet një deklaratë e një grupi deputetësh e anëtarë të Keshillit Kombëtar të PD, ku kërkohet “krijimi i një Qeverie të shpëtimit publik”. Blendi Fevziu me datë 22 shkurt boton një artikull të shkëlqyer me titull “PD, nga mocioni tek mocioni”. Reagimi amerikan erdhi prapë i ashpër kundër Presidentit Berisha, nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Me 26 shkurt botohet konferenca e shtypit e ambasadores amerikane Marizo Lino dhe pyetjes nëse ajo do të merrte pjesë në seancën parlamentare të datës 3 mars, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ajo i përgjigjet prerë “Jo”.
Dy gazetarët tanë, ndër më të mirët, u nisën për në Vlorë. Kishin kaluar patrulla policie e shikas që po t’i kishin kapur, do t’i kishin pjekur të gjallë, që të dy. Ishin Frrok Çupi e Martin Leka. Me datë 1 mars dalim me një titull “Vlora mbytet në gjak “. Kronika dhe shkrimet nga Çupi e Leka ishin mbresëlënëse dhe drithëruese njëkohësisht. Tirazhi vetëm për Vlorën shkoi në mbi 20 mijë gazeta “Koha Jonë” në ditë. Furgonat që dërgonin gazetën atje, kalonin një mori peripecish, pasi në pjesën e Fierit e në drejtim të Vlorës, nuk na lejonte policia e sherbimi sekret të kalonim. Vetë vlonjatët ishin organizuar, me metoda “partizane”, që t’iu dilnin para shoferëve të furgonave, derisa e çonin gazetën në Vlorë.
Më 1 mars redaksia u rrethua krejtësisht nga oficerë të policisë, shikas dhe disa gardistë. Tentuan nja dy herë të hynin me forcë brenda në redaksi, por u ndeshën me rojet tona, të shumta. Punonim në katet e ndërtesës së redaksisë, por mendjen e mbaja tek dera e jashtme, pasi mund të hynin përsëri. Nuk kontrolloheshin më ata, ishin të gjithë të armatosur dhe nuk dihej se çfarë urdhërash kishin marrë nga shefat e tyre në pushtet. Tek pallati ku banoja, ndonëse kisha marrë masa mbrojtje, prapë rrinin pjesëtarë të policisë. Nuk e di nëse rrinin për të më mbrojtur, apo për të kundërtën .
Më 2 mars mbaruam gazetën me Ben Blushin dhe ikëm të gjithë në shtëpi. Gazeta kishte disa ditë që botohej me 82 mijë kopje në ditë. Ishte kohë shtetrrethimi atë natë. Madje shtetrrethimi sa qe miratuar nga parlamenti, diku nga ora 22.00. Luftë gjithandej. Lëviznim të shoqëruar me roje, bile të armatosur, pasi mund të na qëllonim shikasit ose “ushtarët” e pushtetit, që kishin zbritur nga malet. Shkova në shtëpi. Ato ditë kishim dalë më thirrjen e Arben Imamit, i cili nga maja e tankut në Jug të vendit, kishte bërë thirrje për të rrëzuar pushtetin fashist të Sali Berishës. Titulli i madh ishte :”Berisha, duart me gjak!”.
U ula për të fjetur diku nga mesi i natës. Në udhën përgjatë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” ku kam shtëpinë, ushtonin zinxhirët e tankeve të Gardës dhe të Ushtrisë. Nuk më zinte gjumi. Edhe Natalia nuk flinte. Zinxhirët e tankeve uturonin mu përballë apartamentit tim. Me sa dukej edhe ata që ishin në tank e dinin se ku banoja, pasi tanku me një mitraloz sipër e drejtonte grykën nga dritaret e mia. Kishim fikur të gjitha dritat. Asgjë nuk pipëtinte, përveç tankut dhe një dialekti verior, me të cilin komunikonin civilët e armatosur. Edhe djali i madh, por që ishte 6 vjeç, nuk flinte. Iu ofrova dritares. Hapa paksa kanatën me kujdes. Tanku rrinte aty. Një pamje makabër. Gryka e gjatë e topit ishte diku afër dritares së dhomës së gjumit.
-Babi ! Do t’i vrasin gjermanët këta partizanët me tank? – më pyeste Elvisi, djali 6 vjeçar.
-Po. – i përgjigjesha dhe mundoja ta largoja nga cepi i dritares. Ne ishim në errësirë, kurse jashtë dukeshin në dritë të gjithë ata mbi tank. Ishin me dhe pa uniformë ushtarake.
-T’ju hedhim bomba si në film?- fliste djali dhe mua edhe më vinte edhe të qeshja, edhe të qaja.
Diku nga ora një e natës me bie zilja e telefonit të shtëpisë. I binte e binte, por nuk po e merrja. Isha mësuar se merrnin në telefon dhe shanin.Dikur e mora. Një zë përtej telefonit bërtiti:
-Shkërdhatë,ta dogjëm gazetën !-dhe mbylli telefonin.Mbeta shtangur. Mora Nestin, shoferin, i cili e kishte shtëpinë në katin e katër në pallatin ku banoja. Zbriti poshtë. I thashë bëj gati makinën se do të shkojmë në redaksi se më duket na kanë djegur gazetën.
-Jo, shef, po shkoj unë më mirë. Ti jo!-tha dhe u nis të merrte makinën tek hyrja e pallatit.
Me pas nuk erdhi më atë natë. E prita pa gjumë gjithë natën. Nuk po vinte. Nuk dija se çfarë po ndodhte. Mora në telefon Pashk Tushën, drejtor i policisë së Tiranës. Dikur mu përgjigj. Më tha se nuk di çka ndodhur, por atje nuk mund të çoj forca policie se është Garda e Republikës dhe SHIK-u që kontrollojnë dhe kanë disa tropojanë të armatosur që nuk janë pjesë e strukturave të shtetit. Kaq më tha Tusha. Dikur u zbardh dita. Shkova me Emin Barçin tek zyrat e gazetës. Ç’të shikoje! Zyrat e gazetës ishin djegur totalisht. Nga dritaret dilte ende tym. Flaka digjte ende ndonjë tavolinë gazetarësh, paisje, dyer dhe objektet e tjera.Kompjuterat e gazetës ishin shkrumbuar. Nëpër koridoret e redaksisë së gazetës vinte erë e thartë tymi. Muret e hyrjes ishin qëlluar me armë. Nuk e di se çfarë lënde ishte lëshuar për t’i djegur, por ekspertët e policisë thanë më vonë se ishte përdorur edhe flakëhedhësja. Gjunjët nuk më mbanin. U ula mu tek shkallët e gazetës në hyrje. Plot njerëz kishin ardhur dhe shikonin të mërzitur. Nga ora 10 e mëngjezit mbërritën të gjitha stacionet televizive të huaja, të cilët ishin në hotel Rogner që prej fillimit të revoltave. Në hotel kisha strehuar që prej disa ditësh një grup gazetarësh të “Koha Jonë”, të cilët kërkoheshin nga SHIK-u për t’u rrahur apo vrarë. Faturat e hotel Rognerit ishin katastrofike për mua, por bëra një marreveshje me drejtuesit e hotelit që do t’i paguaja kur të kisha lekë. Hotel Rogneri ishte më i sigurti asokohe dhe natyrisht më i shtrenjti. Një ishull qetësie e sigurie, në një arenë të vërtetë çmendurie e terrori. Aty kishte trupa të huaja ushtarake që ruanin hotelin dhe horrat e pushtetit silleshin tek dera e jashtme.
Nga ora 11 erdhën të gjithë gazetarët. Shumica nuk e dinin. Kishin ardhur për në punë, por gjetën zyrat e shkrumbuara nga policia sekrete e asaj kohe. Hynin nëpër zyra. Kërkonin kompjuterat e tyre, por gjenin shkrumb dhe erën therëse të tymit. Donin të merrnin të paktën ditaret e punës së tyre, arkivin dhe sendet personale, por tavolinat ishin djegur. Pyeta policinë nëse dinin gjë për shoferin tim dhe rojen e zyrave të gazetës, të cilët kishin humbur që në mesnatë. Ngrinin supet.
Erdhën ambasadat e huaja për të parë kasaphanën. Ju kërkuam të bënin presion mbi pushtetin, që të gjente shoferin tim Nesti Nikolla dhe gazetarin Zamir Dule që flinte në bodrumin e gazetës, pasi nuk kishte lekë për të fjetur gjëkundi, si dhe rojen e gazetës. Shoferin e gjetën në komisariatin numër tre, Zamir Dulen e sollën të copëtuar nga rrahjet e oficerave të SHIK-ut, e më pas e kishin futur në qelitë e këtij komisariati. Zamiri flinte në një dhomë në zyrat e gazetës. Në polici e kishin masakruar. E rrahën dhe e mbytën me grushta në komisariatin e policisë së Tiranës, vetëm se punonte për gazetën “Koha Jonë”. Rojen e godinës e gjetën diku nga mesdita të lidhur në malin e Dajtit. Tmerr dhe masakër mu në mes të Tiranës. Kjo është diçka e padëgjuar, më thoshte një gazetar i stacionit televiziv gjerman ZDF. Gazeta nuk doli në treg për 45 ditë. Më në fund shteti ja kishte arritur qëllimit të shuante zërin më të fuqishëm mediatik. Më çfarë ta nxirrnim gazetën? Zyrat na ishin djegur. Kompjutera nuk kishim më. Frika shoqëronte cilindo prej nesh, nën kërcënimin e armëve dhe shantazhin e shikasve. Atë mesnatë dhe ditën e 3 marsit 1997 nuk do ta harroj gjatë. Jeta ime, e kolegëve të mi, por dhe e gjithë shqiptarëve, kishte ndryshuar një herë e përgjithmonë.
Pas një ndërprerjeje të gjatë mosbotimi, me datë 12 prill ridolëm në treg. Ndërkohë kishin ndodhur shumë gjëra gjatë këtyre 39 ditëve. Ishte rizgjedhur President nën shtetrrethim Sali Berisha, ishte krijuar Qeveria e Pajtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Finon, ishin vrarë e plagosur qindra vetë në të gjithë vendin, ishin hapur e plaçkitur depot e armëve, bazat ushtarake dhe tashmë populli shqiptar ishte një popull i armatosur rëndë. Shqipëria nuk ishte më ajo e para datës 2 mars.
Gjatë këtyre ditëve ndërprerje të botimit, u mundova të gjejë ndihma për të marrë kompjutera për redaksinë. Nuk na dha askush. Fatmirërisht një botues italian, Nicola Grausso kishte parë në televizionet italiane redaksinë e djegur. Dhe papritmas pamë të mbërrinin kompjutera e një printer për gazetën. Ndërkohë filluam punën në një prej dhomave të shtëpisë time dhe në koridor. Në dhomën tjetër gumëzhinin dy djemtë e mijë duke luajtur e bërë zhurmë, si fëmijë të vegjël. Punonim për të nxjerrë numrin e parë, pas ndërprerjes. Numri i parë, pas djegies së redaksisë së gazetës doli me titullin “ 44 deputetë kundër Berishës” si dhe me një intervistë të Kryeministrit të ri Bashkim Fino. Ndërsa po në këtë numër Mimoza Dervishi botoi një reportazh nga Jugu i Shqipërisë. Me datë 13 prill dolëm me titullin e madh “PD, ora e thikave të gjata”, pasi kishte plasur sherri e ishte shtuar lista e deputetëve demokratë kundër Berishës. Gjithashtu botuam planin ushtarak të sulmit kundër Jugut të vendit, të hartuar nga Këshilli i Mbrojtjes.
Stafi i gazetës i botuar në faqen e fundit, pas djegies me 3 mars, e ridaljes në treg me datë 12 prill, ishte ky: Ben Blushi kryeredaktor, zv/kryeredaktor dhe shef i sektorit politik Martin Leka, shef i editorialeve Skënder Minxhozi, shef i sektorit ekonomik Emin Barçi, shef i kronikës Zamir Alushi, koordinator i rretheve Bardhi Sejdarasi, shef i kulturës Arban Hasani, shefi i sportit Tritan Kokona. Pa harruar Frrok Çupin, i cili ishte gjithçka për gazetën. Gazetarët Alfred Peza, Henri Çili, Enton Abilekaj, Mimoza Dervishi, Gavrosh Levonja, Ilir Babaramo, Jonila Godole, Vehab Kaba, Milto Baka, Linda Spahia, Kadri Vokopola,etj vazhdonin të mbanin rubrikat me lajme. Kurse në Jug, Aleksandër Çipa ishte gazetari më virtuoz dhe i kudondodhur. Nga Vlora shkruante e guximshmja Zenepe Luka.Nuk dua të harroj dhe një numër korrespodentësh, jashtëzakonisht guximtarë e profesionistë, në të gjitha qytetet e tjera, të cilët mbetën për mua legjendarë.
Me 15 prill,në Shqipëri fillon zbarkimin e madh operacioni “Alba”, me ushtarë të huaj. Me 18 prill botohet dita e zgjedhjeve të reja parlamentare; 29 qershori. Ishte rënë dakort nga partitë politike, por akoma Presidenti Berisha nuk po e dekretonte. Vazhdonim në atë redaksi, ku tymi e djegiet nuk ishin pastruar ende. Nuk donim të rrinim në atë vend që na sillte kujtime të këqija, por nuk gjenim vend tjetër të shkonim. U solla gjithandej. Asnjë nuk na ndihmoi. Kishin edhe frikë, pas djegies që na bëri pushteti. Nicola Grausso, italiani shpirtmadh, mbërriti prapë në Tiranë. Më pyeti a lejohet radio private dhe i thashë se jo, por në këtë kaos gjithçka lejohet, aq më tepër kur flitet për të informuar publikun. Nuk vonoi e më solli për dy javë një transmetues me fuqi 1 kilovat e disa pajisje për radio lokale. Nga i djegur me gjithçka më 3 mars, nga fundi i prillit po bëhesha me kompjutera të rinj për “Koha Jonë” dhe me një stacion radio. Me 22 prill paralajmërova në faqe të parë se do dilnim si gazetë edhe me një stacion radio private. Po ku ta montonim radion? Askurkund nuk gjenim apo edhe kur na jepnin nuk kishte garanci jete. Fola me Natalen, bashkëshorten, se si mund të kthejmë dy dhoma gjumi të fëmijve në zyra pune. Fatmirësisht kisha dy hyrje apartamentesh dhe i kisha bashkuar në një. Dhomën e djalit të vogël, Julit e përshtatëm si stacion radio. I vumë emrin radio “KOHA”. Filluan punë dy teknikë radioje, Diku dhe Flutura ishin teknikët e radios, kurse folësit ishin Alban Dudushi e Ilir Gjini, të dy aktorë. U bënë edhe redaktorë. Dolëm në transmetim në kanalin FM 98.10 MHz.
Shtëpia ishte kthyer në redaksi. Krejt e vertetë kjo, aq sa kur shikoj sot kasetën e filmuar në ato momente nga operatori Esat Çuçllari, rrënqethem e emocionohem pa masë. Mundet që një ditë, me këto kaseta që kam ruajtur nga viti 1992, të dalë një dokumentar televiziv brilant. Pasi janë rrethana që sot, duken surreale dhe të papërsëritshme. Në koridorin e shtëpisë vendosëm korrektoren, sekretarinë telefonike me rrethet, për të marrë informacione nga korrespodentët e gazetës. Faqosja e gazetës bëhej në cep të kësaj dhome në formë ”redaksie” nga Manjola Hyka, e cila mbetet, pas Suad Barbullushit, më e mira e më dashamirësja e gazetës. Ishte dhe Suela Bushi, një faqosëse e shkëlqyer që punonte prej vitesh në gazetë.
Ben Blushi mblodhi stafin e gazetarëve në këtë dhomë-redaksi dhe më pas shkrimet bëheshin në klubin e Lanit në lagje ose kudo ku gjenim vend. Gazetarët i sillnin shkrimet me disketë tek Manjola. Blushi i redaktonte në këmbë, se nuk kishte tavolinë për të. Ishte kohë shtetrrethimi e duhej që gazeta të dorëzohej në shtypshkronjë para orës 18.00, pasi të qëllonin ushtarët dhe shikasit. Para se faqet të dërgoheshin në shtypshkronjë, duhej konsumuar një procedurë thjesht qesharake. Me ligjin për gjëndjen e jashtëzakonshme, kishte hyrë gjithashtu në fuqi edhe censura. Shkrimet, artikujt e gjithçka që do të botohej, duhej të shkonte e të kontrollohej paraprakisht nga komisioni i censurës në Prefekturën e Tiranës! Situatë më qesharake zor se gjendej. Duhej të merrnim leje me shkrim nga ata për çka botonim, por realisht asnjëherë nuk i pyetëm. Kështu vazhduam punën në terror e lodhje, bile në stërmundim.
Natën e datës 26 prill, ditë e shtunë, më erdhën në shtëpi rojet personale të Gardës që ruanin kryeministrin Bashkim Fino. Gazeta , të nesërmen dilte me një titull të madh “Nesër, 20 qytete në rrugë “. Ishte thirrje e qytetarëve për të detyruar Presidentin të dekretonte ditën e rënë dakort nga të gjitha partitë për zgjedhjet e reja politike, datën 29 qershor. Siç thashë, në ditët e gjendjes së jashtëzakonshme, materialet e gazetës për botim në shtypshkronjë çoheshin para orës 18.00. Siç duket dikush kishte raportuar tek SHIK-u për këtë titull të gazetës. Apo nuk kishte shikas ngado ku ishte “Koha Jonë”! Kryeministri Fino më kërkonte në zyrë.
-Të kërkon Kryeministri në zyrë! – më tha një trupmadh me ca mustaqe e me dy pistoleta, njëra krahëqafë e tjetra në brez. Ndërkohë pak më parë se të mbërrinte Garda tek unë, më kishte marrë në telefon nga sekretaria e Kryeministrit. Më tha se duhet të vini në zyrën e Kryeministrit Fino për një problem. Edhe e besova, edhe jo! Thashë mos është ndonjë rreng për të më nxjerrë jashtë shtëpisë. Kishte mbi dy orë që kishte hyrë orari i shtetrrethimit. Bashkim Finon nuk e njihja përsonalisht. Ndërkohë kisha lajmëruar makinën time si dhe tre truprojat personale, Myslimin, Bardhin dhe Apostolin, të cilët më ruanin çdo ditë sapo kaloja pragun e shtëpisë. Hipa në makinën që më kishte dërguar Kryeministri. Nga pas na ndiqnin dy makina policie dhe makina ime me tre truprojat personale. I kisha thënë Myslimit se nëqoftëse makinat devijonin jo për në Kryeministri, por diku tjetër, aq më tepër në zona problematike, atëhere ke dorë të lirë. Dhe “dorë e lirë”, ato ditë, ishte futja në punë e armëve! Ishin ditë të rrezikshme, ndaj vigjilenca duhej. Ishim gazeta më e madhe në vend. Bile ishim edhe opozita reale e pushtetit. Kishim pasqyruar si media gjithçka ndodhte, porse që prej muajit dhjetor ’96 i kishim bërë thirrje hapur pushtetit të PD-së, që të ulet tek arsyeja e jo të përdorte dhunën, mashtrimin, forcën, armët. Në situata të tilla nuk ishim vetëm gazetarë, por edhe qytetarë. Edhe reagonim, edhe protestonim duke shkruar, kur shihnim se si po rrokullisej në humnerë Shteti, populli. Ndaj nuk ishim të parëndësishëm! Sapo hymë në oborrin e Kryeministrisë, ngjitëm shkallët nëpër ca koridore pafund. Kudo roje me automatikë. Hyra në zyrën e kryeministrit Fino. Në fund të një salle të madhe ishte tavolina e tij. Afër tij rrinte, ulur, edhe një burrë i thinjur.
-Përshendetje zoti Lesi!- m’u drejtua Bashkim Fino. Ishte bërë në pak ditë një person shumë popullor. I dhashë dorën, ai tjetri me zor ma dha zgjati dorën – E di pse të kemi thirrur? – filloi direkt kryeministri.
-Jo!- u përgjigja.
-Gazeta “Koha Jonë” do të bllokohet tani në shtypshkronjë dhe do të sekuestrohet e gjitha! – kryeministri Fino nxitoi të më drejtohej ashpër duke më parë në dritë të syrit. E kishte ngritur zërin më lart sesa gjatësia e trupit. Ai burri tjetër me thinja, uli kokën. Nuk e dija se ishte sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë dhe përfaqësues i PD. Ja kishin lënë pas kryeministrit që të raportonte tek Berisha. I hodha kryeministrit një vështrim tangent dhe po mbushesha nga pak me zjarr.
– Ose bllokoje vetë tani krejt tirazhin e gazetës ose dërgova gjithë policinë ta marrin!- foli prapë kryeministri, por kësaj rradhe me ton të egër. Dukej se kërkonte të dukej i tillë.
-Atëhere më dëgjo mua!- ia ktheva – Provojeni e bllokojeni gazetën se do të bëhet nami! – bërtita, e bëra të dilja nga zyra.
-Ore unë të arrestoj tani, mu këtu në zyrën time!- bërtiti me aq sa kishte fuqi Fino dhe u ngrit nga karrigia e kryeministrit. Burri me flokë të thinjura u zbeh, mbaroi krejt nga frika.
– Të lutem me ngadalë zoti kryeministër! – foli më në fund i panjohuri, ai që rrinte pas kryeministrit e që ishte spiuni zyrtar i Presidentit Berisha.
– Provoje! Por mbaje mend se çfarë do t’ju bëj! – fola dhe unë me nerva. As që doja t’ia dija për kërcënimin e tij. Isha mësuar tashmë me shantazhe e kërcënime.
-Do të arrestoj !- prapë bërtiti kryeministri – Nuk mund të prish Qeverinë për artikujt e gazetës dhe kokëfortësinë tuaj e të atij Ben Blushit. Kam marrëveshje me Berishën për të bashkëqeverisur e të shpëtojmë kombin – foli , por këtë radhë me një ton zëri, sikur donte ta dëgjonin edhe të tjerët. Ai burri që rrinte ulur, bëri të dalë jashtë zyrës së kryeministrit. Doli ai dhe papritur Bashkim Fino m’u afrua e më tha duke qeshur – Iku ai për t’i raportuar Presidentit Berisha se ne po zihemi e se unë po të arrestoj – tha shpejt e shpejt e qeshi. Më sqaroi se ai ishte përfaqësuesi i PD në Kryeministri.
– Edhe sa kopje keni për të shtypur në këtë moment? – më pyeti kryeministri dhe shikonte nga dera.
-Besoj se duhet të jenë shtypur mbi 50 mijë kopje – iu përgjigja .
-Ok, të nisen e të dalin nga shtypshkronja makinat e transportit për rrethet si Vlorë, Fier, Gjirokastër, Korçë, Durrës dhe Tirana. Të tjerat do t’i bllokojmë! – foli dhe papritur e rriti volumin e të folurës. Po vinte tek zyra e kryeministrit, prapë ai burri. Kishte raportuar lart për sherrin tonë. Në çast filluam prapë sherrin e të bërtiturat.
-Sillni urgjent Gardën e rojet! Arrestojeni! – ulëriti kryeministri, ndërkohë që hyri ai burri prapë në zyrën e kryeministrit.
-Po shkel të drejtën e medias për informim! – e ngrita unë zërin. I panjohuri mbeti si i shushatur, kur hynë dy roje të Finos.
– Aman mos bëni kështu ju lutem! Nuk ke pse ta arrestosh zoti Kryeministër . Do të bëjë namin ky Lesi! – ndërhyri burri i PD-së – Do na ngrejë popullin me gazetën e tij – i lutej ai Finos.
-Epo nuk po të arrestojmë! Por gazeta do sekuestrohet! – m’u drejtua Fino. Më nxorën jashtë zyrës së kryeministrit. Në oborr u futa tek makina ime. Dy makina policie më shoqëruan prapë për në shtëpi. Ndërkohë gjysma e tirazhit ishte shtypur e kishte dalë nga shtypshkronja.
Kur jemi takuar në parlament, në shtator, Bashkim Fino qeshte me lot nga loja që luajtëm, sidomos në pjesën e dytë. Gazeta u shpërnda gjithsesi atë natë të 26 prillit 1997. Po punonim në kushte jashtëzakonisht të vështira si gazetë, pa zyra, kishim disa javë që kishim ridalë, pas djegies, e punonim në shtëpinë time. E kishim kthyer në redaksi dhomën e fëmijëve. Ngjarja e djegies së redaksisë së gazetës më të madhe “Koha Jonë” kishte zgjuar në Europë e jashtë saj, në fondacionet mediatike e shoqatat e medias, dëshirën për të financuar një shtypshkronjë të re dhe ndihma. Vetëm për gazetën “Koha Jonë”. Unë kisha dëgjuar, por zyrtarisht nuk më kishte ofruar njeri ndonjë ide konkrete. Gazeta duhej të dilte çdo ditë, të transportohej, të shitej, lekët nga rrethet nuk kishte Zot që i mblidhte në këto muaj lufte e kaosi.
Ben Blushi ikën papritur, me dorëheqje
Natën e 1 majit 1997 Ben Blushi më paraqet dorëheqjen si kryeredaktor. E prita me habi, por më pas e kapërdiva tronditjen. Kishte të drejtën e tij të ecte në udhë të re, siç e donte ai. Dhe iku me një pjesë të gazetarëve. Blushi kishte bërë një gazetë brilante “Koha Jonë”. Ishte mjeshtër. Por mënyra se si e dha dorëheqjen, më bëri të shikoj përtej dorëheqjes. Në të vertetë më kishin kërkuar diçka, një prej atyre ditëve, në një mbledhje të stafit. Dikush, në mos gabohem një gazetar i ri, i cili punonte tek politika, por që shkrimet ia bënte Emin Barçi, e në fund vinte emrin e tij A.S. Kur e lexoja gazetën pyesja Blushin nëse ky A.S. është pseudonim apo njëri i vertetë. Blushi qeshte. Ky njeriu-pseudonim më kërkonte 50 përqind të pronësisë së gazetës për gazetarët! Siç duket, ky pseudonimi kishte dëgjuar ndonjë gjë qosheve të klubeve, se do të vijnë ndihma nga Europa për “Koha Jonë”. Megjithatë, me Benin pimë një kafe dhe e kuptova mirë atë; kishte të tjera plane. Kishte projektuar një gazetë të re, quhej “Indipendent”. Ndërkohë kishin marrë zyra me vrap të organizuar prej Agim Xhafka e Dritan Kaba. Ishte hedhur një dorë e mirë dhe e shpejtë me leke. Tavolina, paisje e kompjutera të rinj. Dikush erdhi e më tha se “e kanë hapur thesin këta njerëzit e Fatos Nanos për një gazetë të re”. Nuk e besova. Ndërkohë vazhdoja punën në shtëpinë-redaksi. Në njërën hyrje rrinin familja, e në tjetrën ishin kompjuterat ku punonin gazetarët. Ç’të bëja! Kisha marrë edhe një goditje tjetër financiare nga djegia e redaksisë. Por nuk dorëzohesha.
Erdhi e më takoi Alfred Peza.
-Pa merak drejtor, më tha! Do ta nxjerrim gazetën nesër –foli Fredi. E gazeta doli, gjithsesi. Ben Blushi kishte ikur me një pjesë të madhe të stafit legjendar. Ndërkohë Frrok Çupi po kthehej nga Greqia. Nuk e dinte çfarë kishte ndodhur. I kishte dalë Dritan Kaba tek hotel Rogner dhe i kishte kërkuar të shkonte tek “Indipendenti”, se do të kishte edhe aksione. Frroku as që e kishte zgjatur. Erdhi tek “Koha Jonë”, si gjithnjë, që kur i dha lavdinë gazetës së vogël lezhjane, më 9 gusht 1991! Skender Minxhozi e Rudina Xhunga u bënë zemreku i gazetës. Alfred Peza drejtonte gjithçka në redaksi. Ilir Gjoni, Gavrosh Levonja, Bardhi Sejdarasi, Milto Baka, Alban Beqa, Tritan Kokona e Redi Sejamini punonin nonstop për të mbushur edhe rubrikat e të tjerëve. Fotoreporteri Gent Shkullaku m’u bë krah këto ditë, bile me tha se “nëse duhet punojmë edhe pa rrogë, vetëm gazeta të mos bllokohet”. Manjola Hyka, artdesigner qëndroi në gazetë, bashkë me Suela Bushin e Besnik Lleshi. Me tre faqosës nuk kishte pengesa në orar. Erdhi edhe Anila Prifti, një gazetare e kronikës. Ylli Dylgjeri i njohur për batutat e tij, më vjen e më fton për një kafe.
-Tek gazeta “Indipendent” kanë filluar sherret, drejtor! – tha dhe më shikoi nëse kisha ndonjë interes për ish-gazetarët.
-Pse çka ndodhur? – pyeta jo pa kureshtje – Do ta kuptojnë se u nxituan – i thashë.
-Po në fillim u bënë me aksione në gazetë, me përqindje. Tani pas kaq ditësh kanë përfunduar nga aksionerë, në aksionistë! – lëshoi batutën Dylgjeri dhe qeshi. Por prapë më vinte keq se dikush i gënjeu. Ashtu doli pak më vonë, kur ua bleva gazetën “Indipendent”, pothuaj të falimentuar. Në opinion “Koha Jonë” ishte absolutisht numri një, edhe pas daljes së “Indipendent”. Dikush nga e majta që po vinte në pushtet e projektoi atë gazetë-filial. Më vonë kur erdhi në pushtet Fatos Nano e kuptova se loja ishte e tij dhe e një skalioni “intelektualësh” tiranas , të cilët kur ishte puna të përballeshin me Berishën nga viti 1992 e deri në maj 1997 iknin e mbylleshin në shtëpi herët. Mbyllnin dyert me lloz nga frika e SHIK-ut.
Tani shikonin pushtetin e donin të më rrëzonin si pushtet mediatik.
Me 11 Maj 1997 shkrim edhe kundër Nanos
Iknin ditët pa kuptuar. Erdhi si pa u ndjerë përvjetori i 6-të i gazetës, më 11 Maj. Bëra një artikull që u botua ditën e dielë, pra me datë 11 maj 1997, me këtë titull të madh: ” Gazeta nuk është pronë as e Berishës, as e Nanos“. I çova mesazh, nëpërmjet editorialit, liderit të PS-së se çka e kemi bërë deri më sot, që i kishte ardhur për shtat PS-së, e kishim shkruar se ashtu e ndjenim, se ishim kurajo qytetare e atyre viteve dhe se nuk mund të na përdorte, asnjeri. As Fatos Nano.
Po shkohej drejt zgjedhjeve politike të 29 qershorit. Mitingjet vazhdonin, ndonëse me armë në tribuna e me turma të egërsuara në sheshe. E vendosa, pas një hezitimi, do të kandidoja për deputet i pavarur në Lezhë. Me datë 23 maj e bëra të njohur publikisht vendimin tim. Në selinë rozë u stepën, por më pas PS-ja deklaroi se nuk do të vendoste kandidat të saj në zonën time. Besoj nuk i interesonte një përplasje me botuesin e “Koha Jonë”! Kjo do të thoshte de facto zonë e lirë. Ishte kredibiliteti i gazetës që e bënte të fituar kandidaturën time. U tërhoqën edhe partitë e tjera, përveç PD. Një ditë pasi pata publikuar kandidimin tim në vendlindje, në Lezhë, një shpurë gardistësh nga Tirana kishin shkuar e kishin rrethuar shtëpinë time në fshatin Spiten në Lezhë, ku ishin dy prindërit e mijë dhe vëllai i madh. Nuk vonoi e më 1 qershor i dalin para makinës së vjehrrit tim, i cili punonte në Tiranë si financier i gazetës. E rrëmbejnë bashkë me shoferin Tom Ivanaj, e çojnë në Vain të Lezhës, buzë detit dhe e qëllojnë me plumb në këmbë, duke e lenë të mbuluar nga gjaku. Kishin ikur gardistët dhe për fat një person i ka shpëtuar jetën duke e dërguar në spitalin e Lezhës. Një turp e krim tjetër nga segmentët mizore të pushtetit. U mbusha me mllef të madh. Nuk ishin ngopur me mua në Tiranë, por kishin vajtur deri në fshatin tim, tek babai e nëna ime. Plagosën edhe vjehrrin. Turp! Ndaj duhej të futesha në parlament. Do kisha shumë edhe në parlament me ta.
Më 9 qershor ndodhi diçka e tmerrshme në hyrje të shtëpisë time, që ishte edhe redaksi njëkohësisht. Gazetarët e punonjësit kishin mbaruar gazetën, u larguan në shtëpitë e tyre. Pallati ku banoj u rrethua nga Garda e Republikës diku nga ora 21.00. Tek hyrja e pallatit kishim montuar, si banorë, një derë hekuri të trashë, qëkur kishin filluar rrëmujat. Ishte e mbyllur me shul nga brenda pallatit, por në koridor të katit të parë e në kat të dytë ku banoj ishin edhe disa roje të armatosura. E dija se mund të isha objekt goditje prej qëndrimeve kurajoze të gazetës, ndaj kisha kontraktuar një firmë private rojesh. Edhe dritaret e shtëpisë i kisha mbuluar me hekura, për arsye sigurie. Nga dritarja e dhomës-redaksi, shikoj se ishin vendosur nëpër pozicione rreth godinës, mbi 20 veta të armatosur. Tek qoshja e një shtese pallati përballë po rrinin me qytat e automatikut disa gardistë. Në sfond të cepit të dritares dukeshin dy makina të policisë apo gardës, nuk mund ta them saktësisht . Prezenca e një furgoni të bardhë pa targa, të Presidencës, më bëri të ndjej se diçka kishin kurdisur këtë natë. I them rojeve të mos e hapnin derën e jashtme të pallatit, e nëse gardistët turren të hapin zjarr apo ta shqyejnë, qëlloni edhe ju, pa asnjë hezitim. Në shtëpi u krijua një situatë e frikshme, pasi Natalia e shikonte edhe vetë se si ishim rrethuar. Në mes të Tiranës! Dukej se donin të bënin diçka. Ishte çmendur Shteti, por veglat e tij qorre ishin çmendur edhe më shumë. Në pallatin tim banonte në katin e fundit edhe Adem Çopani, që ishte bërë ditët e shtetrrethimit edhe shef i shtabit të ushtrisë. Mora sakaq në telefon shtëpinë e Ademit. Më thanë se nuk ishte në shtëpi. Doli familja. U thashë që ta lajmëronin në Presidencë, se do të bëhet nami sonte në pallat. I kishin parë dhe ata nga sipër, se si ishte rrethuar pallati ynë. Mora edhe policinë, por ata m’u përgjigjën se me Gardën nuk kruhemi. Ishin minuta dramatike. Kisha hallin e dy djemve dhe gruas. Nga kamerat shikoj se ata po hynin në kat të parë. Shikonin në drejtim të kamerave të katit të dytë. I them Natalisë të merrte fëmijët e të kalonte nga dhomat e tjera. Mora prapë familjen e Adem Çopanit. M’u përgjigj një zë femre se e lajmëruam. Kishim fikur dritat e shikoja nga xhami, në qoshe. Një armë që ma kishin sjellë se “mund të të duhet”, e mbusha. Në ato çaste njeriu kapet pas jetës dhe pas instiktit të mbijetesës. Një pjesë e atyre që kishin rrethuar pallatin ishin shtrirë, si në pozicion luftimi. Tamam si në filma, porse nuk qe sajesë, por një realitet i frikshëm. Në një moment shikoj një civil që po bënte sherr me gardistët. Pas pesë minutave nga ardhja e tij, u zhdukën të gjithë gardistët. Iku dhe kjo natë nën tension. Dikush më pati thënë që ta nisja familjen jashtë shtetit, pasi kishim viza italiane, por bashkëshortja nuk pranoi. Nuk iki, më tha, do të rri këtu me ty e fëmijët.
Fushata ishte ndezur keq, kudo. Mitingje, armë, të vrarë! Fatos Nano e Bashkim Fino ishin heronjtë e ditës. Berisha po rrëshqiste ngadalë drejt humnerës. Nga pak e përditë po shkohej drejt 29 qershorit. Frrok Çupi vendosi të kandidojë në qytetin e Vlorës. E donte shumë këtë qytet, ishte i bindur se do të bënte gjithçka si deputet i ardhshëm për vlonjatët. Ne ishim të dy gazetarë, por në këto kohë historike e vendimtare për të ardhmen e vendit, duhej edhe angazhim politik. Ndaj vendosëm që të dy, të hynim në politikë. Frrokun donin ta bllokonin me çdo kusht me histori të kota të Komisioneve të Figurave Politike. Vetëm me datë 23 qershor Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë të gjitha vendimet e gjykatave e të Komisionit në fjalë. I dha të drejtë Frrok Çupit. E kishin lodhur e vonuar shumë, por në fund iu dha e drejta për t’u regjistruar si kandidat për deputet në Vlorë. Gazeta vazhdonte në vend të parë dhe e kudolexuar. Ishte ikona e njerëzve, të cilët donin ndryshimin. Ndërkohë radio “KOHA” kishte lajmëruar se do ishte 24 orë nonstop, për të ndjekur ditën e votimeve dhe do të jepte e para rezultatin. Dëgjueshmëria ishte maksimale, bile në zonën ku kapte vala e saj, ishte pa diskutim numri një, pasi radio Tirana ndodhej nën kontrollin total të shtetit. Radio “KOHA” u bë radio e parë private në Shqipëri dhe me datë 29-30 qershor kapi mbi një milion dëgjues. Gjithë stafi i gazetës “Koha Jonë”, “Sport Ekspres” dhe korrespodentët e rretheve ishin urdhëruar të ishin 24 orë në transmetim “live” në radio.
E majta fitoi ndjeshëm, bile paksa frikshëm. Unë fitova, Frroku kaloi në balotazh në Vlorë. Drejt Rinasit, porteve e në rrugë kufitare tokësore, po iknin ministra, deputetë, shikas e zv/ministra, kriminelë e çdo lloj zyrtari që kishte gjynahe. Ikën edhe disa pa gjynahe. Me 3 korrik pëlcet konflikti në Tiranë. Leka Zogu e një grup protestuesish rrethojnë KQZ. Preç Zogaj e Kiço Blushi vijnë në faqet e gazetës me 5 korrik me shkrime të jashtëzakonshme. Me 7 korrik emërova si drejtor të radio “KOHA” gazetarin dhe të mirënjohurin Adi Krasta. Ishte zgjeruar me zyra radio “KOHA”. Me ardhjen e Krastës, nisi procesi i programimit dhe perfeksionimit të radios.
Më 24 korrik bleva gazetën “Indipendent”, pasi falimentoi. Më 26 korrik nxorëm në faqe të parë të “Koha Jonë” një njoftim ankandi për të shitur gazetën “Indipendent”, ku kryetar i komisionit të tenderimit u shpall shefi i reklamës Ylli Dylgjeri.E bëra paksa nga inati se me ikën në momentin më të vështirë disa gazetarë se kishin dëgjuar se po vinin ndihma në dollarë për gazetarët e “Koha Jone”. Dollarët nuk erdhën dhe as që ishin nisur kurrë.
Po iknin ditët me vrull. Berisha jep dorëheqjen, Meidani zgjidhet President. Edhe Fino jep dorëheqjen e Nano dekretohet si Kryeministër. Erdhi kohë tjetër, më e qetë për njërëzit, pas asaj katrahure të tmerrshme. Shqipëria po mundohej të gjente busullën e humbur.
Me 5 gusht 1997 kryeredaktori Alfred Peza publikon stafin drejtues të gazetës; Skender Minxhozi, shef i sektorit politik, Mentor Kikia, shef i kronikës, shefi i korrespodentëve në rrethe Bardhi Sejdarasi, shef i kulturës Arta Marku, shefi i sektorit të jashtëm Ilir Gjoni, shef sektorit ekonomik Alban Beqa, shef i sporteve Tritan Kokona. Një kushëri i imi, Edi Lesi sapo kishte filluar udhën e gazetarisë. Ndërkohë Frrok Çupi emërohet drejtor i ATSH me datë 11 gusht. Martin Leka zgjidhet me datë 12 gusht drejtor i radio Tirana.
Iku koha e luftës frontale mediatike
Duhej menduar me kujdes se si do të pozicionohej gazeta “Koha Jonë”. Natyrisht që asnjanëse do të qëndronte, porse duhej reflektuar ndaj realitetit të ri të krijuar. Me fjalë të tjera, duhej përgatitur terreni, për t’i thënë hapur gjërat, edhe për qeverinë e re socialiste. Duhej ruajtur gazeta, pavarësia e saj, me aq sa mund të arrihej një gjë e tillë në një shoqëri të ndezur kundra Berishës e PD-së, siç qe situata në vitin e mbrapshtë 1997. Më 14 gusht në gazetë botohet një intervistë e Adem Çopanit, shef i Shtabit të Ushtrisë.
Vazhduam disa numra të merreshim me bëmat e kohës së PD, dokumente sekrete, intervista të personazheve të PD-së të penduar apo stoikë, ose qëndrestarë, siç kishin nisur të quheshin. Por njerëzit, lexuesi, nuk donin të dëgjonin më për atë çfarë kishte ikur, por cila do të ishte e ardhmja e tyre, jetesa, programi i Qeverisë së re, premtimet, realizimi i tyre. Pra, kishim hyrë në një epokë ku duhej ndëshkimi i fajtorëve të dramës kombëtare sapo qe mbyllur, por para se gjithash, shumica e re duhet të niste nga zbatimi projektin e normalizimit të Shqipërisë së traumatizuar nga kriza e piramidave. Njërëzit donin mirëqënie ekonomike, punë, rend publik e drejtësi. Fatos Nano ishte në provën e tij të madhe.
Edhe për ne gazetarët, kjo do të kuptohej mjaft shpejt, nëse premtimi i kryeministrit për të na ndihmuar duke hequr disa taksa shkatërruese, do të mbahej në kohë dhe në përmasën e duhur. Këto ishin dilema të mëdha për stafin e gazetës, aq më tepër që, për shkak të presionit të tmerrshëm të qeverisjes së PD mbi gazetarët, shumë prej tyre ishin “familjarizuar” disi me PS-në. Duhej ndryshim i madh, por i kujdesshëm. Situata ekonomike ishte gjithandej e vështirë. Edhe shtypi ishte pjesë e këtij kuadri gri. Gazetat ishin nën pushtetin e një morie taksash. Lekët e shitjes së gazetës së muajve që nga dhjetor ’96- e deri në korrik 1997 u arkëtuan në masën diku tek 30 për qind. Pjesa më e madhe e gazetashitësve kishin ikur jashtë, duke marrë për vete edhe lekët tona. Të tjerë justifikoheshin se “na i kanë marrë me forcë hajdutët”, etj. Për shembull, një pikë shitjeje gazete në Durrës, na iku me 7.5 milionë lekë të vjetra. Si ajo, shumë pika të tjera nëpër të gjithë vendin firuan sikur s’kishin egzistuar kurrë.
Ishte data 22 gusht 1997, kur nëntë gazeta e revista dolën me një qëndrim të përbashkët. Ato deklaruan se po vdesin nga taksat, ndaj donin një përgjigje nga kryeministri Nano. Por kryeministri i anashkalon kërkesat e gazetave. Më datë 24 gusht “Koha Jonë” boton në faqe të parë një shkrim me titull “Edhe Nano si Berisha”. Kjo e kishte acaruar shumë kryeministrin Nano me gazetat, e sidomos me “Koha Jonë”. Unë nuhata se pushteti i Nanos, edhe ndaj gazetave, do të ishte neglizhues, bile paksa “i thartë”. Fatos Nano do të tentone të luante mjeshtërisht lojën e falimentimit ose të vdekjes së ngadalshme të shtypit kritik. Meqenëse disa gazetarë VIP të “Koha Jonë” u futën në politikë, edhe unë si botues atëhere gjeta një mënyrë që gazeta të shpëtonte nga varësia e politikës. Të paktën për disa kohë duhej kjo zgjidhje. Krijova një Bord të gazetës “Koha Jonë” me personalitete nga fusha të ndryshme të jetës. Kishte kosto financiare, por ama ruante gazetën, të mos kthehej në një organ të PS e Qeverisë. Më datë 3 shtator del publikisht Bordi i gazetës, i përbërë nga Dritëro Agolli, Kiço Blushi, Spartak Ngjela, Agim Isaku, Petrit Malaj, Fatos Lubonja, Neptun Bajko, Agron Çobani, Mevlan Shanaj, Mitro Çela dhe Kastriot Çaushi. Kryetar Bordi u zgjodh Fatos Lubonja.
Kuptohet që tirazhi i gazetës kishte nisur të binte, pasi nuk ishte më kohë fajdesh e konfliktesh të mëdha politike e sociale. Një Shqipëri më normale nënkuptonte, mes të tjerash, edhe tirazhe më modeste se ato të dikurshmet. Tirazhi sillej diku tek 35-40 mijë kopje ditore, por me tendencë ulje. Gazeta e ruante në mënyrë solide vendin e parë në treg. Më datë 6 shtator dilet me një titull ”Nano-Meta:Rikthehet përçarja në PS”. Të nësërmen në selinë e PS-së nuk lejuan të futej gazetari i “Koha Jonë”. Po me datë 6 shtator Kryeministri Nano më sulmon mua personalisht e publikisht, në Konferencën e FRESSH. Ai kishte thënë, pas kritikave të para të gazetës ndaj Qeverisë së tij, se “nuk do dëgjojmë Nikoll Lesin dhe gazetën e tij “Koha Jonë” se çfarë thotë për uljen e TVSH! Ne nuk jemi bankë, që të shlyejmë borxhet e Nikoll Lesit!”. Sapo ma thanë këtë sulm të Fatos Nanos, nxitova të thërras gazetarin që kishte ndjekur konferencën. I kërkova atij të më gjente incizimin e asaj deklarate. E dëgjova. Ishte ai, tamam zëri i Fatos Nanos! Nuk doja ta besoja, por ishte e vertetë, ishte zëri i tij. Nuk vonova dhe fola me disa anëtarë të Bordit, bisedova gjatë me kryeredaktorin Alfred Peza. Nuk na besohej. Pyeta edhe një herë se mos kishte qenë i pirë. Me thanë se ishte esëll dhe gjithë tërsellëm kundër nesh. Vendosëm të kundërsulmojmë, e ç’mund të bënim tjetër?! Titulli me datë 7 shtator 1997 ishte “Mos lajthit zoti Kryeministër“ dhe nëntitulli “Fatos Nano sulmon gazetën “Koha Jonë”. Ndërkohë kishte ardhur në “Koha Jonë” një gazet
…