Nga Ilva Tare/
Më 21 Qershor votuesit për Bashkinë e Tiranës, Ju zgjodhën në krye të një qyteti me shumë defekte në vizion, menaxhim dhe politizim. Pavarësisht orekseve të shumta, që Ju duhet të përmbushni tanimë, z.Veliaj dhe aleatët që Ju mbështetën në fitore, detyrimin parësor e keni ndaj qytetarëve. Atyre që ju votuan dhe atyre që nuk ju votuan. Pavarësisht çfarë po trashëgoni e çfarë do shtoni për ta bërë të jetueshëm këtë qytet, Ju keni detyrimin ta ktheni Tiranën jo në qytet fantastik, por në një qytet të jetueshëm. Sot, Tirana nuk është e tillë.
Përpara se të filloni të merreni me projektet e mëdha, ku janë dhe interesat më të mëdha të grupeve që mund t’ju kenë ndihmuar në fitoren për të hyrë në zyrën ngjitur me Kullën e Sahatit, do të ishte e udhës të merreni me ato problemet në dukje të vogla, por që e bëjnë Tiranën një paradhomë afrikane dhe aspak europiane. Do t’ju lutesha që përpara se t’a bëni Tiranën me kopsht zoologjik, të disiplinoni njerëzit që sillen, tregtojnë, ndërtojnë sikur të ishin banorë në një kopsht zoologjik.
Dy netë më parë në pallatin ku unë banoj, pak përpara mesnatës, u hodhën disa fishekzjarre nga një shesh i njohur në kryeqytet, që të kujtonin gjëmimet e 1997-tës në rastin më të mirë dhe papërgjegjshmërinë e dy dekadave të fundit në rastin më të keq me qetësinë publike. Nuk më shqetësojnë vetëm lulet dhe një gisht i djegur në tentativën për të mbyllur derën e ballkonit. Dhe as tronditja, që zgjati për më shumë se 10 minuta, por papërgjegjshmëria për t’u hedhur në ballkon qytetarëve zjarrin e ndonjë festimi të dehurish a njerëzish esëll që nuk kanë respekt për qetësinë e komunitetit. Nuk po përmend muzikën e lartë që vazhdon deri në orët e para të mëngjesit dhe mënyrën selektive sesi disa lokale urdhërohen ta ulin e të tjerë jo, por edhe ky problem duhet të marrë një zgjidhje.
Me siguri ju e keni ndërtuar listën tuaj të prioriteteve, por do t’ju lutesha të merreshit me një shqetësim që shumicës mund t’i duket banal, por nuk është aspak i tillë; koshat e munguar të hedhurinave nëpër rrugët e Tiranës. Modelin dhe formën zgjidheni sipas shijeve tuaja, por të paktën të ketë kosha, ku qytetarët të hedhin mbetjet e ndryshme që sot i plasin papërgjegjshmërisht në tokë. Një qytet dëshmon qytetari dhe fisnikëri edhe nga pastërtia dhe mënyra se si i ka të organizuara nevojat bazike të tij, ndaj është urgjente vënia në dispozicion e banjave publike, për të shmangur kutërbimin e tmerrshëm në banjën më të madhe publike ndoshta në Ballkan, në lumin e Lanës.
Ju mund të mendoni se do t’ju kërkoj edhe hapësira të gjelbëra dhe kënde lojërash për fëmijët dhe sigurisht edhe ato duhen. Porse fillimisht do t’ju lutesha të hiqnit ca paralele të ndryshkura, të shtrembëruara dhe të rrezikshme për jetën e fëmijëve që më vrasin sytë sa herë kaloj pranë lulishtes tek Presidenca. Keni premtuar dhe shpresoj se ta do të ndërtoni kopshte të reja për vogëlushët, por edhe ekzistuesit kanë nevojë për dorën e pushtetit vendor si në filozofi ashtu edhe në financime. Ndërtimi i shkollave uroj të jetë më shumë prioritar se ndërtimi i shumëkatësheve që mund t’ju kenë lobuar dhe votuar në mos ju drejtpërsëdrejti, qeverinë tuaj apo aleatët që po e meziprisnin ‘rimarrjen’ e Tiranës nën hyqmin e tyre.
Lista e kërkesave vazhdon me tregjet poshtë pallateve që shesin fruta, perime e bulmetëra në mes të pluhurit të rrugës. Hiqini nëse do të mundeni përpara se të marrin jetë njerëzish me mikrobet dhe kushtet skandaloze higjenike. Pastaj, janë pusetat me kapakët e munguar, trotuaret e copëzuar e të kafshuar sipas shiritave elektoralë kur janë inauguruar. Ndriçimi inekzistent në rrugë kryesore, pa përmendur periferinë që e bën Tiranën edhe më të zymtë dhe të rrezikshme se lagjet më të frikshme të metropoleve të mëdha.
Nuk po përmend ndotjen e ajrit dhe smogun që ngrihet çdo mëngjes si një re kujtese e sjelljes sonë barbare me mjedisin, pasi mendoj se nuk keni shumë mundësi për ta përmirësuar. Por jam e bindur që fëmijët dhe burrat që vënë gjoba 2 mijë lekëshe poshtë pallateve për parkim mundeni t’i largoni, pavarësisht kostos, që mund të ketë heqja e karrigeve dha kartonave që lajmërojnë se ato janë ‘toka të xanuna’ nga disa individë që fitojnë të pataksuar e pa licensuar.
Gjithashtu, nuk po ju rendis në këtë letër publike zgjidhjen e problemit të parkingjeve, sepse jam e sigurt, që grupe të interesuara biznesi do t’ju kenë sjellë ofertat e tyre. Shpresoj të vendosni për projektin më të mirë që nuk penalizon financiarisht qytetarë, që janë të frikësuar të nxjerrin makinën nga shtëpia për shkak të nerva-prishjes që i pret rregullisht në Tiranë. Them shpresoj, pasi ua kuptoj vështirësinë e vendim-marrrjes me një këshill bashkiak, komplekset dhe orekse të hapura rishtazi.
Mund të vazhdoj edhe me kërkesën për heqjen e një prej shëmtive më përfaqësuese të Tiranës së dalë boje; depozitat e ujit mbi pallate dhe bërjes me radhë të dushit të mëngjesit nga familjet kryeqytetase. Por edhe kjo pikë, më duket se është jashtë kompetencave tuaja, pasi kërkon një reagim ndërinstitucional, që siç tregon historia nuk ka gjetur rrugën e funksionimit deri më sot. Uroj që Ju ta prishni këtë rregull të pashkruar. Sikundër uroj që Ju të bëni shumë më shumë se kaq dhe që kërkesat e kësaj letre të mos ju duken shumë kozmetike. Ju siguroj që kur ke dalë për të marrë pak ajër mbrëmjeve, pranë korpusit të kthyer në hapësirë pedonale për qytetarët dhe je dëshmitare e një nëne me një foshnje në krah, që bie në pusetë nuk ka asgjë për të qeshur, siç bëri javën e kaluar pjesa më e madhe e të rinjve, që bënin sehir në vend që ta ndihmonin të ngrihej nga ajo gropë. Ka shumë puseta pa kapak në Tiranë që shërbejnë si kujtesë e qytetarisë dhe dinjitetit të munguar që na kanë lënë kryebashkiakët e shkuar dhe nga ku kryeqytetasit mezi presin të dalin.
Për fund, Ju uroj suksese në detyrë, për të mirën tuaj, por më shumë të qytetarëve që një metropoli të gënjyer e zhgënjyer pambarimisht për disa breza me radhë. Është në nderin tuaj të punoni edhe për ta, sikundër për brezat e rinj që kërkojnë modele për t’u frymëzuar e imituar. Modele që funksionojnë dhe kanë sukses me punë dhe nga puna, pavarësisht rrethanave të fatit dhe lidhjeve fatlume që mund t’ua mundësojnë këtë.