Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokuri një drejtues dhe dy specialistë të ish Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t.
Pas një auditimi të nisur nga 31 tetori, KLSH kallëzoi ish drejtorin, e identifikuar me inicialet I.SH. dhe dy përgjegjës sektori të legalizimit, të identifikuar si A.A. dhe I.K.
Ata akuzohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
KLSH kreu kallëzimin penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë për shkelje të ligjit të legalizimeve, etj., duke dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
Raporti i plotë i KLSH
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr.1279/1, datë 16.11.2018, ka përfunduar auditimin në Drejtorinë Rajonale të Aluizni-t Tirana Jug, me objekt:“Auditimi përputhshmërie për vitin 2016 -31.10.2018”.
Me Vendimin nr.68, datë 13.09.2019 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr.1279/7 datë 16.09.2020, i janë rekomanduar masat Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Tirana Jug, për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundraligjshme në legalizime, për shkeljet:
– Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Tirana Jug në marrjen e vendimeve “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal”, ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Në kualifikimin e objekteve informale, ka dërguar pranë Bashkisë Tiranë, vetëm shkresën për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë për 4221 objekte informale dhe pa marrë konfirmim mbi pagesën e saj për dalje me vendim kualifikimi për 4017 objekte informale duke krijuar një mungesë të ardhurash ne buxhetin e shtetit në vlerën 161,317,255 lekë
– Janë lëshuar 4221 leje legalizimi për objektet informale të legalizuara, nga këto 2101 leje legalizimi ose rreth 50 % e tyre lejet e legalizimit janë lëshuar vetëm për objektin me shënimin në lejen e legalizimit “Kalimi i pronësisë për parcelën ndërtimore do miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave” referuar V.K.M. nr.954, datë 25.11.2015 dhe V.K.M. 1095, datë 28.12.2015”. Nga 2101 leje legalizimi në momentin e auditimit për 213 leje legalizimi konstatohet se ka miratim të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore, ndërsa për 1888 leje legalizimi në momentin e auditimit nuk ka VKM për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore ose në mungesë të ardhura në vlerë 1,059,959,811 lekë + bono privatizimi (1,216,148,000 lekë – 156,188,189 lekë ).
-Janë nxjerrë nga arkiva dhe ka kryer verifikimet ne teren, hartuar gen planet, planimetritë për 4107 objekte informalë të vetëdeklaruar si ndërtime pa leje, por nuk ka vazhduar procedurat e kualifikimit dhe pajisjet me Leje Legalizimi për këto subjekte.
-Në 25 rastet “Procesverbal i verifikimit në terren i të dhënave të ndërtimit pa lejë/shtesë në ndërtimin me leje”, nuk ështëi plotësuar sipas kërkesave ligjore.
– Për 31 dosje të objekteve rezultoi se ka mangësi në dosje të dokumentacionit të kërkuar ligjor si vetëdeklarimet dhe ose nuk disponohet dosje të hapur.
– Në 12 raste, janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga rrugët, madje është cënuar trupi i rrugës ku sipas Gen Planit të administruar në dosje rezulton se objektet bien mbi projektit infrastrukturor të Planit të Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, ndërkohë që në dosje nuk ka korrespodencë shkresore me Autoritetin Rrugor Shqiptar për të përcaktuar nëse parcela ndërtimore bie mbi projektin infrastrukturor;
– Në 1 rast është kryer legalizimi i objektit të ndërtuar më pas nga periudha e deklaruar në vetëdeklarim, ku referuar imazheve nga gjeoportali asig.gov.al, rezulton se nuk ka ndërtim në vitin 2007, ndërkohë që sipas imazheve dixhitale dhe në vitin 2010, i deklaruar si viti ndërtimit në vetëdeklarimin nr. 1219, objekti nuk rezulton i përfunduar.
– Në 1 rast është kryer legalizimi i objektit informal të ndërtuar në buzë të lumit “Lana”, në dosje nuk ndodhet dokumentacion justifikues për këtë qëllim.
– Në 3 raste sipas dokumentacionit disponibël në dosje, si genplani, harta dixhitale e paraqitur, statusi i pronës, rezulton se objekti është të një parcelë ndërtimore në pronë të Kryegjyshatës, pasi nga verifikimi i materialit hartografik dhe pozicionimit të pronës nga punonjësit e autorizuar, rezulton se objektet informalë, ndodhen mbi pasurinë “Truall” me sip. 33073 m2 në pronësi të Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
KLSH, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e ish Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Tirana Jug, konkretisht për : I.SH ish Drejtor dhe A.A e I.K, ish-ish përgjegjës legalizimi. për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal,, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit nr.33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë me shkresën nr.1279/9, datë 20.09.2019, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për shkelje të ligjit të legalizimeve, etj., duke dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.