SPECIALE JAVANEWS/ Zhvillimet e fundit sa i përket Reformës në Drejtësi, kanë bërë të ngrihen dy çështje: e para, mbi shkaqet se përse Nasip Naço u shtrëngua të japë dorëheqjen si ministër i Drejtësise i LSI-së, për t’u zëvendësuar nga Ylli Manjani i të njëjtës forcë politike dhe së dyti, kristalizimin e një aleance fluide mes PD dhe LSI në lidhje me këtë reformë.
Pas emërimit të Manjanit procesi i reformës nga një proces ekspertësh filloi të përvijohej si një proces politik. Ishin të shpeshta deklarat e tij që sistemi politik në Shqipëri nuk është një “sistem ekspertësh”, duke lënë të kuptohet qartazi se reforma do duhej më parë të kalonte në tryezën politike të partive parlamentare, ku të gjendej konsensusi mes palëve paraprakisht për këtë reformë. Duket se Naço ka qenë i idesë që procesi për Reformën në Drejtësi, të vijonte të ishte dhe të mbetej një proces ekspertësh, ku faktorët politike t’i mbanin duart larg. Por ky qëndrim duket se nuk është parë me sy të mirë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili mori vendimin t’i kërkonte Naços të jepte dorëheqjen dhe në vend të tij të ulte Manjanin.
Ende pa “u tharë boja” në dekretin e Presidentit Nishani për emërimin e Manjanit si ministër, u dhanë dhe deklaratat e para të tij në lidhje me reformën. Deklarata të cilat synonin që procesi për reformën të futej në labirinthe politike. Ishin pikërisht këto qëndrime të cilat u kapën nga PD-ja, që filloi të ushtrojë gjithnjë e më shumë presion politik që procesi të rikthehej në një konsensus politik paraprakisht dhe më pas kornizat e këtij konsensusi t’u kaloheshin ekspertëve që të hartonin draftin për reformën në drejtësi.
Në një farë mënyre, ky ishte një hap pas, dhe bënte që procesi të riniste thuajse nga e para duke zhbërë punën e ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtare.
Në vijim të kësaj llogjike edhe Presidenti Nishani nuk ngurroi të bënte deklarata se ishte i gatshëm të ofronte rolin e tij për të ulur palët në një tryezë politike për reformën në drejtësi. Në fakt palët politike janë në komision të përfaqësuara ndaj tingëlloi e pakuptimtë kërkesa e Presidentit. Ajo më shumë u zbërthye se cila ishte taktika e PD-së për të anashkaluar procesin e reformës nga një proces ekspertësh në një proces të zvarritur politik. Por a u mjaftua me kaq? Duket se jo.
Aleancë fluide PD- LSI?
Ajo që vihet re kohët e fundit është një afrim i qëndrimeve të PD-së dhe LSI-së, ku emëruesi i përbashkët i thirrjeve të tyre është termi “gjetja e konsensusit”, gjë që më shumë tenton të zvarrisë procesin e reformës nga njëra anë dhe nga ana tjetër ruajtjen e influencës që këto dy forca politike kanë mbi sistemin e drejtësis. Çdo ditë kristalizohet gjithnjë e më shumë përpjekja e PD-së dhe LSI-së që të mos humbasin asnjë milimetër nga ndikimi i tyre në sistemin e drejtësisë.
Kjo do të bënte që reforma të ishte e sipërfaqshme dhe ndikimi politik të vijonte të ishte përcaktues në sistemin e drejtësis. Kjo aleancë “fluide” PD- LSI, pritet të ketë ndikimet e veta, pavarësisht se faktori ndërkombëtar, por sidomos SHBA dhe BE, po ushtrojnë presion maksimal që paketa e ekspertëve të mos bëhet objekt pazaresh politike.
Armando Meta