Lionel Messi pritet të rikthehet për herë të fundit në përfaqësuesen e Argjentinës, në një ndeshje që do të shërbejë si ceremonia e lamtumirës së një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.
Sipas raportimeve të fundit nga ESPN Argentina dhe gazetari Federico Bueno, Federata Argjentinase e Futbollit po planifikon një grumbullim special për kapitenin e kampionëve të botës, me synimin që Messi të ketë mundësinë të përshëndesë për herë të fundit tifozët e “Albicelestes”.
Edhe pse 39-vjeçari ka lënë të kuptohet se karriera e tij me kombëtaren është drejt fundit, ideja është që kapitulli i fundit të mos mbyllet thjesht me një njoftim, por me një mbrëmje të veçantë në fushën e lojës.
Messi ka shkruar historinë me Argjentinën, duke fituar Kupën e Botës në Katar në vitin 2022, dy herë Copa América, si dhe medaljen e artë olimpike.
Tashmë, Federata Argjentinase dëshiron t’i japë kapitenit një lamtumirë në lartësinë e karrierës së tij. Një ndeshje ku “Pleshti” do të veshë edhe një herë fanellën bardhekaltër dhe do të përshëndesë tifozët që e kanë shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të tij.
Nëse plani realizohet, kjo do të jetë ndarja përfundimtare e Lionel Messit nga kombëtarja e Argjentinës, pas një epoke që tashmë është pjesë e historisë së futbollit.











