Në Kuvend po diskutohet mbi buxhetin 2025, në vlerën prej 8.2 miliardë euro, i cili dot miratohet nen për nen dhe në tërësi. Socialistët rrëzuan me 72 vota kundër 3 amendamente të Sali Berishës dhe Nokës, 2 amendamentet e Gazment Bardhit dhe amendamenti i grupit Alibeaj. Gjithashtu janë rrëzuar amendamentet e 9 grave deputete demokrate për shëndetësinë, me në fokus Qendrën Spitalore Universitare Nene Tereza
U rrëzuan amendamentet e opozitës për të pezulluar të gjitha prokurimet për investime publike dhe shpenzime luksi deri në momentin për caktimin e minimumit jetik në 200 euro, pesëfishimin e fondit të propozuar për rritjen e pensioneve dhe rritjen për bonusin për vitin 2025.
Buxheti është më i madhi në histori, me vlerë prej 8.2 miliardë euro. Të ardhurat do të arrijnë në 754.6 miliardë lekë ose afro 7.5 miliardë euro me rritje prej afro 510 milionë euro nga viti aktual. Ndërsa deficiti buxhetor është planifikuar në vlerën e 680 milionë euro.
Infrastruktura rrugore, me disa kantiere të hapura në të gjithë vendin dhe me projekte që pritet të nisin në vijim, ka rrëmbyer pjesën më të madhe të buxhetit të projektuar për vitin e ardhshëm. Janë afro 467 miliardë lekë (4.6 miliardë euro) të planifikuara për t’u shpenzuar nga institucionet në vitin 2025, nga afro 431 miliardë lekë (4.3 miliardë euro) që janë shpenzimet e këtij viti.
Rritjen më të madhe të buxhetit për vitin e ardhshëm do ta marrë Ministria e Infrastrukturës me 9.6 miliardë lekë (96 milionë euro) më shumë se këtë vit, dhe në total buxheti i këtij institucioni arrin në 74 miliardë lekë (740 milionë euro).
Brenda fondeve të kësaj ministrie ‘pjesën e luanit’ e marrin rrugët, pasi janë 334 milionë euro që do të shpenzohen për infrastrukturën rrugore në 2025-ën.
Pas kësaj ministrie rritjen me të madhe e ka Arsimi me 94 milionë euro shtesë krahasuar me këtë vit. Në total buxheti i Ministrisë së Arsimit arrin në 62 miliardë lekë (620 milionë euro), me fokus reduktimin e klasave kolektive, rritjen e cilësisë në arsim, librat falas apo transport të mësuesve dhe nxënësve. Më pas është ministria e Ekonomisë me buxhet 560 milionë euro me rritje prej 62 milionë euro krahasuar më 2024, me vëmendje tek skema e sigurimeve shoqërore.
Shëndetësia edhe pse merr 28 milionë euro krahasuar me këtë vit, ka portofolin më të madh prej 807 milionë euro. Referuar tabelave që shoqërojnë buxhetin rritje fondesh do të ketë edhe për Ministrinë e Mbrojtjes me afro 40 milionë euro dhe për Ministrinë e Brendshme me 36 milionë euro më shumë se ky vit.
/a.r