Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kreu i PD-së Sali Berisha, ish-presidenti e shikon si të vetmen mënyrë për ndryshimin e Partisë Demokratike. Në Intervistën me Merita Haklajn, ai thotë se pas krizës së krijuar në PD nga modeli politik që dhunon institucionet, ky është hapi i duhur për reagim.
“Çdo individ ka të drejtë të ketë pikëpamjet e tij. Është e vetmja mënyrë që ka mbetur që situata të ndryshojë në PD nuk kishte rrugë tjetër për të ndryshuar PD. Askush nuk mund ta mohojë faktin që PD u konfirmua se ishte në krizë të thellë. Doli me rezultat të dobët elektoral. Erdhi pa reflektim, vijoi me proceset ndarëse, përjashtimi u demonstrua si një model politik që e dhunon institucionet e kodet e saj. Erdhëm në një situatë kur PD ka një krizë. Hapi i dytë është reagimi ndaj krizës për ta rikuperuar”.
Duke treguar dy mënyrat për rikuperimin e krizës në PD, Nishani thotë ajo përmes forumeve ishte e pamundur, pasi Basha ka kapur strukturat vendimmarrëse dhe e vetmja mënyrë për rikuperimin e partisë ishte përmes bazës. Sipas tij kultura politike e kreut aktual e ka çuar PD-në nga dështimi në dështim.
“Kishte dy mënyra; ose përmes lëvizjes politike nga lart poshtë nga forumet, ose përmes bazës. E para ishte e pamundur se Basha ka punuar për të mos fuqizuar strukturat vendimmarrëse por i ka kapur ato për të mos lejuar asnjë lloj ndryshimi. Basha duke emëruar Kryesinë, Këshillin Kombëtar e listën e deputetëve, duke i imponuar delegatët. Më parë propozimet vinin nga baza. Kishte alternativa që gjithsecili të gjykohej nga delegatët. Nëse këshillit i imponon 30 emra për të zgjedhur 25 u ke imponuar vullnetin. Të gjitha këto apo lista e deputetëve që u bë nga Basha dhe nuk u lejua propozimi dhe në këtë sens, ndryshimi në formën e parë ishte bërë i pamundur dhe kishte mbetur vetëm alternativa e dytë”.
Dhe në këtë kontekst Nishani sjell shembullin e pezullimit nga grupi parlamentar të Sali Berishës, ku thotë se asnjë institucion në PD nuk reagoi pasi Basha ka kontroll monokratik.
“Unë nuk paragjykoj se cila mund të jetë sjellja politike apo vendimi për një çështje të caktuar apo tjetër. Po shpjegoj mënyrën si janë ndërtuar që të çon në kontroll monokratik të këtyre institucioneve dhe nuk kanë reaguar si p.sh, rasti Berisha që nuk është pezullim, por përjashtim pa asnjë vendim nga institucionet përkatëse dhe nuk reaguan. Basha injoron dhe nënvleftëson strukturat e PD, i zeron ato dhe merr mbi vete fuqi që nuk i ka dhe nuk mund t’i përfaqësojë. Duke qenë se kjo ka qenë kultura politike e tij ka sjellë partinë nga dështimi në dështim. Dhe kosto të mëdha për PD si vendimi i fundit që solli kosto të madhe dhe tronditje për PD. Dhe çështjet e Foltores janë edhe përtej edhe për mënyrën si është sjellë Basha”.
Nishani hedh poshtë deklaratat e sekretarit të PD-së Gazmet Bardhi dhe thotë se nuk ka asnjë pengesë statutore për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, për aq kohë sa këtë e kërkon një e katërta e delegatëve.
“Asnjë pengesë nuk ka, duhet të flasim në mënyrë të përgjegjshme e serioze. Statuti ia njeh kryetarit kryesisë, Këshillit dhe një të katërtës së delegatëve. Nuk ka nevojë për vendim kryesie. Nëse do merrej leja te kryesia nuk ka pse të mblidhet fare. Në demokraci ka dy parime bazë; vendimmarrja mbi bazën e shumicës, shumica respekton gjithmonë pakicën në të drejtat e saj bazë. Vendimet merren në vullnetin e shumicës nëse nuk do ekzistonte kjo do të kishim kaos e anarki. Kuvendi do të mblidhet dhe është në vullnetin politik dhe unë mendoj që përpos vendimeve në statut do të duhet të japë një dimension më të madh kësaj lëvizjeje, ta delegojë përmes referendumit dhe mbi të gjitha të gjykojë mbi lidershipin e PD. Dhe vetë anëtarësia të përcaktojë lidershipin e PD dhe të implementojë ato që do parashikohen në statut”.
Në kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha në 11 dhjetor do të ndërmerren disa ndryshime statutore dhe programore, për të cilat Nishani thotë se janë në funksion të PD për garën e ardhshme elektorale.
“Kuvendi është deklaruar që do të merret me ndryshime statutore, me ndryshime programore dhe hapin final të vendimmarrjes ndryshimi i partisë situatës dhe mbledhjen e Kuvendit. Berisha ka të drejtën për t’i paraprirë, që ka iniciuar një proces. Statuti do të fokusohet në disa risi si primaret, që së pari duhet të garojë në strukturat e PD para se të futet në Kuvend. Do të jetë një garë të pastër. Kush merr më shumë vota do të jetë i pari, po kështu edhe për bashkitë. Diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me mandatin e kryetarit ai që humb zgjedhjet duhet të largohet. E treta me formësimin e këshillit kombëtar të PD. Të gjitha ndryshimet do të bëhen në funksion të asaj që duhet të jetë PD në garën e e ardhshme elektorale”.
/b.h