Administrata e Kuvendit të Shqipërisë ben te ditur për opinionin publik se lajmi i publikuar në disa media për “Drekë bufe te shtruar nga Kuvendi i Shqipërisë, në Kryesinë e Kuvendit, më datë 2.10.2015 ora 14:00, me rastin e daljes në pension të Shefqet Zanit”, është i pa vërtetë.
Në një deklaratë për mediat, Shërbimet administrative të Kuvendit të Shqipërisë sqarojne se “U njohën gjatë ditës sot me lajmin e publikuar në disa media online lidhur me proceedurat e zhvilluara për shërbimin me objekt “Drekë bufe e shtruar nga Kuvendi i Shqipërisë, në Kryesinë e Kuvendit, më datë 2.10.2015 ora 14:00, me rastin e daljes në pension të Shefqet Zani”. Për sa më sipër, me përgjegjshmëri të plotë, në funksion të transparencës dhe të mirinformimit të opinionit publik, Shërbimet administrative të Kuvendit dëshirojnë të sqarojnë se, lajmi i publikuar në disa prej mediave online është i pavërtetë dhe se për procedurën në fjalë ato kanë zbatuar përpikmërisht legjislacionin në fuqi për prokurimet publike”.
Në sqarimin që vjen nga Administrative e Kuvendit të Shqipërisë, thuhet më tej se “Më konkretisht, në datë 30 shtator 2015 është shpallur procedura nga Zyra e Prokurimeve Publike në Kuvendin e Shqipërisë. Në datë 1 tetor 2015, ora 14:00, është bërë hapja e procedurës për të parë operatorët ekonomik pjesëmarrës në garë. Saktësojmë se, përgjatë 24 orëve të kohëzgjatjes së kësaj procedure prokurimi, i vetmi operator ekonomik, që kishte shfaqur interes ishte personi fizik, Tufik Kurti. Ky fakti i është komunikuar Tufik Kurtit menjëherë përmes mesazheve që ofron Sistemi i Prokurimit Elektronik (SPE). Brenda një afati 30-minutësh, Tufik Kurti është tërhequr nga gara duke i argumentuar Kuvendit të Shqipërisë përmes përgjigjes së tij në SPE, se tërheqja nga gara ka ndodhur për shkak të mospërllogaritjes së saktë të shumës”.
“Komisioni i Prokurimeve Publike për blerjet me vlerë të vogël pranë Kuvendit të Shqipërisë anuloi menjëherë këtë procedurë prokurimi. Gjithsesi, dëshirojmë të theksojmë se, për çdo rast Komisioni i Blerjeve të Vogla në Kuvendin e Shqipërisë, vepron duke verifikuar të gjithë dokumentacionin ligjor të përcjellë nga operatorët ekonomikë për përputhshmërinë ligjore të objektit të veprimtarisë të operatorit ekonomik me objektin e shërbimit të kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkaq, pas anulimit, më datë 2 tetor 2015, ditën e premte është rishpallur hapja e procedurës së prokurimit “Drekë bufe e shtruar nga Kuvendi i Shqipërisë, në Kryesinë e Kuvendit, më datë 07.10.2015, ora 14:00, me rastin e daljes në pension të z. Shefqet Zani”, thuhet nga Administrative e Kuvendit të Shqipërisë.
Po ashtu, në sqarimin e Administrative e Kuvendit të Shqipërisë pohohet se “Në datë 05.10.2015 ora 08:15 (meqenëse datat 3-4 janë ditë pushimi javor) është kryer hapja e procedurës.Operatori i vetëm që ka shfaqur interes ka qenë “Era 2000 shpk”. Ajo është shpallur fituese e procedurës dhe në vijim ka realizuar me sukses shërbimin. E gjithë kjo procedurë tenderimi është lehtësisht e verifikueshme në faqen online të Agjencisë së Prokurimeve Publike (datë 05.10.2015)