Nga Kristo Mërtiri
Disa muaj më parë, djali i një mikut tim që ka mbyllur sytë dhe iku i ndershëm në atë botë e pa abuzuar asnjë fije në detyrat shtetërore, më ftoi për një kafe. Djalë që unë e dua shumë. E njoh mirë qysh në bangat e shkollës së ulët e të lartë. Nxënës dhe student model. Po kështu kur doli në jetë : Specialist i zoti, punëshumë, modest dhe asapk kurnac a ziliqar për të ndihmuar të tjerët me diturinë e tij profesionale. Dituri që e ngriti lart edhe me specializimin në Perëndim e u kthye në mëmëdhe. Ka vite që punon në sektorë të rëndësishëm e delikatë, pa rrahur gjoksin asgjëkundi e pa kërkuar favore e privilegje të pamerituara nga shteti që i shërben me përkushtim për 3 dekada. Shpesh më shëmbëllen me të atin e rritur jetim, korrekt e dinjitoz, të lexuar e të mencur, nga i cili mësova shumë kur punova korrespondent në Jug. Sidomos për politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare në rajon e gjetkë. Tamam sikur të ishte në dikasterin përkatës, në qendër. Shpesh ndaloja enkas në Tepelenë dhe bisedonim gjatë. Për mua, ishte i vetmi në 4 rrethet që mbuloja për gazetën “Bashkimi”, nga i cili përfitoja një pasqyrë të saktë, serioze e bindëse. Por edhe ndonjë këshillë miqësore e vëllazërore për moshën time të re në Gazetari. Aq më tepër që detyra e korrespondentit nuk lidhej hic me faqen e fundit të gazetës,”faqen e jashtme”. I ndrittë shpirti atje ku prehet !…
-Xhaxhi Kristo, para se të pimë kafe apo të kalojmë një drekë së bashku, sot do të coj 10-15 minuta në Lundër, të shikojmë hendekun e madh midis atyre me vila dhe neve në apartamentet me kredi e pa kredi…
Panë e c’nuk panë sytë e mi atë ditë gjurmëlënëse në atë “ishull” të vecuar begatie, luksi e makutërie ! Që nga hyrja kryesore “ku dhe roja i traut e ndjen veten më të rëndësishëm se drejtori i Policisë së Tiranës”. Pa llogaritur sanitaret, rojet, lulishtarët. Me turne e pa turne. Mjaft prej pronarëve ishin rrogtarë në shtet e në privatë. Cmimi më i ulët, 300 deri 400 mijë euro ! Nuk ia mësova dot emrin se si thirret nga vendalinjtë ai ishull me parallinj, oligarkë e qejflinj të krekosur. Sinqerisht, ndonjë emër nga media më trishtoi dhe provova një shije të hidhur qytetare, morale e profesionale. Dhe aty për aty kujtova atë thënien e publicistit të madh Italian : Një gazetar të pasuruar me para të pista, mos e thërrisni gazetar, por Pis !…Janë ata rripa e vipa që shesin e blejnë gjithcka, që bëjnë kompromise e allishverishe me karakterin, personalitetin dhe profesionin tonë tepër të nderuar. Tashmë, shumicën e tyre, njerëzia e njeh mirë. Madje i neverit. Dhe shpresojnë ende te shteti i së Drejtës, te Ligji dhe jo te Maliqi. Ndërkohë parmbrëmë mësova për një aksion të Policisë Ndërtimore e të asaj të Shtetit në zonën ishullore më të shtrenjtë të Tiranës. Quhet “Rolling Hills”. Aksioni ishte kundër shtesave e ndërhyrjeve pa leje. Më shqip, përballje me arrogancën e njerëzve të fortë e që “bëjnë ligjin”. Shkurt, të paprekshëm. Me sa kuptohej, shteti ligjor hynte për herë të parë atje. Dhe lexuesit e qytetarët e thjeshtë ngrohen, u ngjallet e shëndoshet besimi. Vecse, vërtet ngrohen, por edhe mund të ftohen shpejt bashkë me aksionet rrallë e për mall ! Si me fushatat flakë kashte. Sepse në rastin konkret, mendoj se problemet atje janë më të thella. E mbi të gjitha, Korrupsioni galopant e sypatrembur i disa kokëtulëve të pacipë dhe hajdutë me cizme e pa cizme. Hajdutë që i kanë bërë edhe nënën postit, zyrës së shtetit që mbahet në këmbë nga taksapaguesit e shkretë. Dhe na ligjërojnë e flasin hudhra në kungull apo kodra pas bregut ! Hipokrizi më sipërore zor se gjendet kollaj…
Le të shikojmë një dukuri jo vetëm të sotme : Sa herë ndërrohen ministrant e Brendshëm, dicka lëviz për mbarë. Goditen një pas një banda të drogës e të krimit, të kusarisë e mashtrimit. Sikur sapo kanë zbritur me parashutë nga qielli në tokë apo nga malet më të larta ! Dhe befasia e goditjes nga Ligji bën zhurmë të natyrshme mediatike. Përshembull, dikur kam shkruar edhe unë për punën e mirë të Sokol Olldashit. E nuk jam bërë pishman. Kush nuk e do shtetin e vërtetë ligjor ! Përjashto kriminelët dhe kusarët. Veprimi në kohë e me efektivitet rrit besimin e pashuar te Drejtësia. Dekonspirimi i errët dhe poshtërues nuk merr frymë. Më konkretisht, ardhja në krye të Ministrisë së Brendshme, e Taulant Ballës, tregon acik lëvizjen dhe pastrimin e ca ujërave të ndënjura që binin erë të keqe. Zbulimi (më saktë: hapja e dosjeve të pluhurosura e të përgjumura) dhe goditja e krimeve të vjetra e të reja pa kurrfarë syzesh partiake, transparnca e plotë para publikut vlerësohet realisht. Vecse një problem jo i vogël flet shumë : Është po ajo Polici që gjeti Balla kur mori në dorëzim detyrën. Janë po ata drejtues në qendër, qarqe e rrethe. Janë po ata punonjës policie që ishin edhe para ardhjes së Ballës nga politika. Pra, roli i tij pozitiv duket sheshit. Prononcimet e tij para publikut flasin vetë. E sidomos rezultatet në kohë rekord. Mirëpo, në radhët e Policisë së Shtetit paska ende honxhobonxho të pandreqshëm, të paaftë e shkelës ordinerë të betimit ushtarak, pa ideale të pastra, të aftë për prapësira e djallëzira në kurriz të Ligjit e të Kushtetutës. Dhe mbështeten e shullëhen në hijen e ndonjë “peme” jo dosido në kupolën drejtuese në qendër. Këta të fundit me spaleta vezulluese, me grada e poste të larta, firmosin e vulosin dhe ngulin hunj e shkulin hunj nëpër Komisariate e Qarqe (?!).
ë punosh me hosten prapa (si buajt a qetë e parmendës në ara dhe me sezone të vecanta), do të thotë të kryesh detyrën me të shtyrë e me pahir. Se nuk mjafton vetëm mbështetja politike e një ministri. Nëse janë ndryshkur disa hallka të zinxhirit të strukturave policore, frytet hidhësirë dihen. Hyrja në betejë e SPAK-ut kundër krimit e korrupsionit, është një mbështetje reale jo e rëndomtë. Faktet e muajve të fundit nuk kanë nevojë për komente të tepërta. Dhe as thjesht për të rrëfyer se si mund të merret miell hua ! Angazhimi serioz në një front të përbashkët e me objektiva specifike, i hap udhë ndëshkimeve ndaj dukurive që deri dje quheshin “të pandëshkueshme”. Gjithnjë në emër të Ligjit e të Kushtetutës. Përballë kësaj “bible” e “kurani” duhet të falen me cdo kusht të pasur e të varfër, me vila e pa vila. Ky është mesazhi kryesor e që jepet live nga ekranet dhe mediat e shkruara në Shqipëri e gjetkë. Në rastin e Patokut a të Fushë Kuqes së Krujës(uroj të mos dalë me këpucë të kuqe!), po të gërmosh thellë e jo në sipërfaqe, me siguri do konstatohen cudira e pataksira nën hundën e Policisë, të Shërbimeve Informative etj. që kanë shërbyer si këmishë “antiplumb” në shërbim të bandës së drogës. Dhe jo sot, por nëpër vitet që rrjedhin e përmjerin hapur mbi rendin e sigurinë publike në atë zonë të mbarsur keqazi në sytë e njerëzisë. Sa shefa e specialistë janë paguar nën dorë e mbi dorë nga njera qeveri te tjetra ? A do bëhet ndonjëherë analizë e plotë dhe larg goditjeve gjysmake ? Po për hyrje-daljet e shpeshta nëpër burgje, a do të kalojnë në sitë prokurorë, punonjës policie, gjyqtarë ose pushtetarë të molepsur që kanë bërë një vërë në ujë ? Shikoni pasuritë dhe llogaritë bankare të këtyre individëve nëpunës shtetërorë dhe petët e byrekut korruptiv do të kërcasin e ulërasin ditën e natën. Kaq i thjeshtë është problemi, vetëm kur ka përgjegjshmëri, atdhetari e profesionalizëm të kulluar. Janë tërë ato struktura zyrtare që qeveria Rama po i mbështet financiarisht e pa kursim. Apo pritet për cdo gjë Frontekx dhe Guardia di Finanza ?! Ndërsa të zotët e shtëpisë fërkojnë barkun…
E vërteta e ëmbël apo e thartë, nuk mund të fshihet dot prapa “hostenit” të SPAK-ut apo të Policisë ! Rëndësi ka që puna të bëhet pa hosten dhe jo si me zor “në zbor:. Dëshmorëve të Policisë së Shtetit u dridhen eshtrat përballë sharlatanëve, horrave e kriminelëve të maskuar me e pa uniform. Është edhe një lloj tradhëtie e rëndë ndaj gjakut e jetës së tyre në themelet e Rendit, Sigurisë e Drejtësisë. Nuk thonë kot të mencurit : Herët a vonë e drejta gjen të zonë. Se paraja shkon e vjen, nderi shkon e s’vjen !