Kompania Xhast shpk, e cila është një ndër 42 donatorët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka përfituar tendera publikë mbi vlerat e lejuara nga Kodi Zgjedhor-një skemë kjo që sipas ekspertëve është mjaft e përhapur në të tre partitë kryesore.
Nga Ola Mitre
Përgjatë dy dekadave të fundit, partitë politike në Shqipëri kanë fshehur donatorët e mëdhenj të fushatave elektorale, duke deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm emra funksionarësh partiakë. Por në vitin 2016, kjo traditë u thye nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila i bashkangjiti buxhetit të vet vjetor një listë me 42 financues.
Megjithëse ky deklarim përbën një risi për transparencën e financave politike, BIRN zbuloi se LSI ka pranuar financim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor nga të paktën një donator- njëherazi edhe përfitues i tenderave publikë.
Neni 89 i Kodit Zgjedhor kufizon partitë politike që të përfitojnë fonde nga kompani apo aksionerë kompanish, të cilët në dy vitet e fundit kanë fituar fonde publike, kontrata apo koncesione me vlerë mbi 10 milionë lekë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe në transaksionet e kryera nga thesari i shtetit tregojnë se njëri prej donatorëve të LSI; kompania Xhast shpk ka përfituar tendera publikë me vlerë më të lartë se 10 milionë lekë.
Xhast shpk është një kompani ndërtimesh dhe shërbimesh, që sipas QKB është themeluar në vitin 2001 nga Agim Kraja-aktualisht këshilltar i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në vitin 2016, kjo kompani ka dhuruar 1 milionë lekë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u renditur në një ndër katër financuesit më të mëdhenj të deklaruar.
Të dhënat e siguruara nga BIRN në thesarin e shtetit tregojnë se Xhast shpk ka fituar tendera publikë në vlerën e rreth 255 milionë lekëve për periudhën 18 maj 2012-shkurt 2017. Por dy prej tenderave të fituar janë në tejkalim të vlerës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
Më 18 qershor 2015, kompania Xhast rezulton të jetë paguar në vlerën e 10.8 milionë lekëve nga komuna Golaj e qarkut të Kukësit. Ndërsa më 22 qershor 2016, e njëjta kompani ka kryer një transaksion prej më shumë se 16 milionë lekësh me Bordin e Kullimit në Lezhë.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN në lidhje me mundësinë e favorizimit të kompanisë Xhast në fitimin e tenderave publikë. I kontaktuar përmes llogarisë aktive në rrjetin social Facebook dhe numrit të telefonit të kompanisë të publikuar në QKB, edhe administratori Agim Kraja nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
Kompania Xhast shpk nuk është donatori i vetëm i LSI që ka përfituar fonde publike. Dy financues të tjerë të deklaruar, të cilët janë njëherazi edhe aksionerë kompanish kanë fituar tendera publike në institucionet e drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë viteve 2013-2017. Megjithatë, vlerat e përfituara prej tyre janë brenda kufizimeve të Kodit Zgjedhor.
Përfitimi i parave publike nga donatorët e partive kryesore politike në vend është një skemë e njohur për ekspertët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tyre, “klientelizmi partiak” mbahet gjallë edhe prej faktit se shumica e partive politike i mbajnë ende të fshehtë emrat e donatorëve të tyre.
Duke iu referuar rastit të kompanisë Xhast shpk, Afrim Krasniqi-drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se “ky është rasti tipik ku në çdo vend demokratik do të duhej të ishte objekt hetimi nga disa organe njëherësh”.
“Do të duhej të kishte hetim për të verifikuar nëse kompania ka përfituar akses të privilegjuar në financim, në tenderë, në promovim, në evitim të taksave ose të kontrollit të cilësisë nga organet ekzekutive, dhe në fund të fundit, për të hetuar përfitimet dhe motivet që e kanë shtyrë një firmë private për të financiar aktivitete masive elektorale dhe politike të një partie politike,” tha ai.
Krasniqi shpjegoi se skema e financimit të partive politike lidhet shpeshherë me fushën e aktivitetit të kompanive të caktuara, çka përforcon sipas tij marrëdhënien klienteliste.
“Shumica e firmave financojnë jo çdo parti, por… organin përgjegjës që i monitoron dhe që mund t’u sigurojë kontrata. Për pasojë, shumica e prokurimeve direkte publike nga qeveritë i shkojnë pikërisht këtyre klientëve elektoralë, edhe pse kjo është një masë e ndaluar nga legjislacioni ynë në fuqi,” argumenton Krasniqi.
Roden Hoxha, jurist pranë Avokaturës së Shtetit dhe Zyrës së Përfaqësimit në Gjykata të Huaja Ndërkombëtare dhe Arbitrazhin Ndërkombëtar argumenton se përveç mungesës së transparencës, Shqipëria ka nevojë të përmirësojë ligjin e saj zgjedhor.
Ai i shpjegoi BIRN se dhuruesi nënshkruan një deklaratë ku zotohet se nuk ndodhet në asnjërën prej rrethanave të nenit 89 dhe është ai që mban përgjegjësi personale “për deklarim të rremë”. Hoxha shpjegon gjithashtu se në rastet kur nuk përbën vepër penale, ligji përcakton penalitete financiare për mosrespektimin e detyrimeve nga ana e partive politike.
“Ligji zgjedhor shqiptar ka pasur dhe ende ka nevojë për rishikime, siç mund dhe të shihet nga ndryshimet e herëpashershme të tij,” tha Hoxha.
Mentor Kikia, drejtor i organizatës “Forumi i Mendimit të Lirë’ dhe monitorues i shpenzimeve të fushatës elektorale të vitit 2009 thekson se “partitë bien dakord që të mos bëjnë kurrë transparencë me çështjen e financimit”.
“Në vitin 2009 problem ishte mungesa e transparencës, pasi ne kërkuam nga bankat dhe nga vetë partitë të dhëna dhe emrat e donatorëve përmes llogarive bankare, por askush nuk na dha asnjë lloj informacioni,” tha Kikia për BIRN.
“…Ky është problemi i madh nga i cili buron pjesa dërrmuese e korrupsionit, sepse kompanitë që ushqejnë makinerinë e politikës me para’, nesër do t’i marrin mbrapsh përmes tenderëve, konçesioneve që ne sot po shikojmë që janë njëri më absurd se tjetri, përmes lejeve të ndërtimit apo projekteve që financohen nga paratë publike,” shton ai.
Afrim Krasniqi dhe Mentor Kika mendojnë se partitë politike shqiptare bëjnë konsensus të heshtur me njëra-tjetrën sa i përket financimeve jo-publike; “një problem i madh i demokracisë dhe i luftës kundër korrupsionit në Shqipëri”.
Për të adresuar këtë problem, Krasniqi mendon se nevojiten hetime nga struktura të pavarura, ndërkohë që Kikia propozon mospërdorjen e fondeve jo-publike.
“Praktikisht nuk kanë ndodhur [hetime] dhe me një konsensus të heshtur midis tri palëve kryesore politike, nuk pritet të ndodhë edhe në të ardhmen deri në jetësimin real të strukturave të reja hetimore të reformës në drejtësi,” tha Krasniqi për BIRN.
“Ka disa alternativa për t’u përmirësuar kjo situatë. Rritja e financimit të partive politike nga buxheti i shtetit, duke vendosur një çmim reference për aktivitetet elektorale dhe mospërdorimi i fondeve jopublike është një prej tyre,” përfundoi Kikia.
BIRN