Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka ngritur shqetësime për vonesën e ndërhyrjes kirurgjikale në këmbën e kryebashkiakut të Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim.
Përmes një deklarate, Ndreca pretendon se kanë kaluar dy javë nga rekomandimi i mjekut turk për operacion, por ndërhyrja ende nuk është kryer.
Ai shprehet se vetëm këtë të mërkurë janë vënë në dispozicion të mbrojtjes ekzaminimet mjekësore, ndërsa kërkon përgjegjësi për vonesën dhe ngre shqetësimin për pasojat e mundshme në shëndetin e Veliajt.
Reagimi i plotë i Plarent Ndrecës:
“VELIAJ, DY JAVË PA OPERACION, PAVARËSISHT REKOMANDIMIT TË MJEKUT!
Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.
Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.
Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!
Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!
Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?
Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur”.











Na mërzitët me Veliajn.
Mos ta kishte bërë vehten të shkonte në burg.
Burgu është burg.
Nuk është kamp pushimi, kavalishencë apo hotel me yje.
Është BURG.
BURGU ka privime në çdo gjë, jo vetëm lirinë, por edhe llukse e benefite të tjera të jetës.
Në burg, ke vetëm minimumin e nevojave të njeriut. PIKË ME TË MADHE.
Prandaj, edhe Velo “partizani”, të shtrëngojë bythën, të bëjë burgun, të bëjë gjygjet, e po qe i fortë, të dalë i pastër nga kjo që e ka zënë.
Sa për avokatin, mendoj që është i pa aftë profesionlisht. Flet fjalë të bukura, por i ka fjalë boshe. Nuk e njeh mirë kodin e proçedures penale, dhe po e zhyt akoma edhe më thellë, të ngratin Veli.