Kol Nikollaj kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë i ftuar në studion e RTSH 24 ka komentuar mbylljen e kompanisë KURUM në Elbasan, e cila la pa punë 500 punëtorë të uzinës së çelikut dhe të uzinës së përpunimit.
Nikollaj deklaroi se kompania KURUM është e shkruar me të zezë në listën e sindikatave për shkak të abuzimin me punëtorët dhe mashtrimit me sindikatat.
“Kompania KURUM në listën e sindikatave është e shkruar me të zezë, problematike. Prej 20 vitesh nuk ka zbatuar detyrimet e saj për liritë e të drejtave të punëtorëve, është përpjekur me praktika të kaluara për të ushtruar marrëdhëniet e partneriteti social, përpiqej të mashtronte sindikatat, shpeshherë ka gjetur dritare.
Kësaj herë mendoj se nuk do ja dalë. Nuk është vetëm sindikata, qeveria por dhe strukturat ndërkombëtare. Çështja e mbetjeve është bërë publike”, u shpreh Nikollaj.
Ky i fundit deklaroi se kompania prej vitesh ka ndotur Elbasanin në mënyrë periodike, ndërsa risolli në vëmendje filtrat e vendosura në vitin 2012 nga KURUM. Këto filtra, u shpreh Nikollaj, nuk kanë qenë të certifikuara nga BE. Ai ngriti pikëpyetje se ku ka shkuar pluhuri i këtyre filtrave dhe se për çfarë është përdorur.
“Një fakt është i ditur që KURUM e ka ndotur Elbasanin në mënyrë periodike. Ka pasur shqetësime të herëpashershme.
Në 2012 ata vendosën filtra të detyruara nga qeveria, të cilat ne kemi pasur dyshimet tona që nuk ishin të certifikuara nga BE.
Ato fiken natën dhe ndizen ditën, është abuzuar vazhdimisht. Askush nuk ka informacion ku ka shkuar pluhuri i këtyre filtrave dhe për çfarë është përdorur. Vendet aziatike këto mbeturina i përdorin për bojëra”, tha ai.
Nikollaj kërkoi nga SPAK që të hetojë çështjen, dhe që të bëhen pjesë e grupit të punës që po ndjek situatën.
“SPAK të hetojë. Besoj se aty ka vend për grup të strukturuar kriminal, për investime, partneritetit me qeverinë. Kjo çështje ka përmasa ndërkombëtare.
Inspektorati i Punës po ndjek situatën në Elbasan. Kjo nuk është serioze.
Në atë grup pune ne s’dimë kush është. Ne duhet të ishim në atë grup pune sepse jemi aktorët kryesorë. Të jemi pjesë e procesit dhe të informojmë publikun”, përfundoi Nikollaj.
/a.r