Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe, sipas tij, do ta pamundësojë angazhimin institucional për kundërshtimin e vendimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një konferencë për media, Kurti tha se çështja e presidentit dhe ajo e ish-krerëve të UÇK-së janë tema të ndara, por theksoi se pa zgjedhur presidentin e ri, vendi nuk do të mundë t’iu ndihmojë katër ish-krerëve të UÇK-së në apelimin e dënimit të tyre në shkallë të parë me burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.
Ai theksoi se procesi në Hagë do të kërkojë kohë, angazhim dhe një strategji institucionale, ndërsa moszgjedhja e presidentit, sipas tij, do të krijonte një pengesë të drejtpërdrejtë për këtë angazhim.
“Ata janë dënuar në shkallë të parë ndërkohë sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet kuptuar dhe trajtuar me sinqeritet. Çështja atje do të marrë kohë e angazhim, e qe besa do edhe shumë nerva dhe s’do të bëjmë kurrëfarë mrekullie pse votojmë një projektligj. Për këtë duhet të jemi të përgatitur të gjithë. Si për ta bërë edhe më të rëndë, ne me mos votimin e presidentit sonte, mund të shkojmë brenda orësh në zgjedhje”, tha Kurti.
Kurti tha se Qeveria beson se vendimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së mund të ndryshohet në shkallën e Apelit dhe se për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare. Sipas tij, koha për veprim në procesin e Apelit është e kufizuar dhe institucionet duhet të jenë funksionale për të ndërmarrë hapat e nevojshëm.
“Ne besojmë në korrigjim në Apel e në anën tjetër një strategji shtetërore kombëtare për të fituar këtë betejë. Ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi drejt atij synimi, e që i kemi të gjithë së bashku. Pra çështja e zgjedhjes së presidentit. Sepse mos zgjedhja e tij ose saj jo vetëm që na çon direkt në zgjedhje por na pamundëson të gjithëve të merremi edhe me strategjinë shtetërore e kombëtare, por edhe me Apelin, i cili në fakt është shumë i ngutshëm. Nuk do të mund të merremi me Apelin vitin e ardhshëm, por këtë mua”, deklaroi ai.
Në konferencën për media, Kurti i ka bërë një “ofertë publike” Partisë Demokratike të Kosovës për të arritur një marrëveshje lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kurti tha se, nëse PDK-ja siguron të paktën gjysmën e votave të 22 deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president të Kosovës, ai do të sigurojë 62 vota nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerët e koalicionit qeverisës për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen. Sipas tij, Sejdiu vazhdon të mbetet kandidat për president dhe për zgjedhjen e tij nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit.
6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.











