Nga Thoma Gellçi
Në gjithë botën po diskutohet për atë që do të ndodhë në Iran pas vrasjes së Ajatollahut Ali Khamenei dhe bombardimeve amerikane. Në Washington organizohen debate, në Londër analistët shpjegojnë skenarë, ndërsa ekspertët e Lindjes së Mesme përmendin disa kandidatë të mundshëm për pasardhësin e tij.
Me një fjalë: bota hamendëson.
Por jo Shqipëria.
Në Shqipëri kjo çështje është zgjidhur prej dy ditësh.
Ndërsa në Teheran ende nuk është marrë asnjë vendim dhe Këshilli i Ekspertëve duhet të mblidhet për të zgjedhur liderin e ri suprem, në portalet shqiptare nuk ka asnjë dilemë. Të gjitha gazetat, të mëdha e të vogla, të gjitha portalet dhe televizionet e kanë shpallur tashmë rezultatin.
Pasardhësi është: Mojtaba Khamenei.
Pikë.
Nuk ka diskutim. Nuk ka “ndoshta”. Nuk ka “sipas burimeve”. Ka vetëm një siguri të plotë.
Në fakt, nëse një iranian hap sot portalet shqiptare, mund të krijojë përshtypjen se vendimi është marrë në Tiranë dhe jo në Teheran.
Sepse gazetaria shqiptare ka një metodë shumë efikase për prodhimin e lajmit: një portal e publikon, dhjetë të tjerë e kopjojnë dhe, brenda një ore, lajmi shndërrohet në fakt historik.
Ndërkohë iranianët, fatkeqësisht, ende s’po dinë ku të fusin kokën nga breshëri i bombave dhe ende nuk po merren me procedura të kota si diskutime dhe votime.
Do të ishte shumë më praktike nëse ata thjesht do të hapnin portalet shqiptare.
Sepse aty vendimi tashmë është marrë.
Në Iran ka dyshime se ndoshta Mojtaba po përdor mediat e Tiranës për të bërë fushatë që të zgjidhet ai.
Por e vërteta është ajo që ndodh gjithmonë në Tiranë: në fillim qarkullon lajmi nëpër gazeta dhe televizione dhe pastaj ndodh ngjarja.











