Gjatë emisionit Top Story të hënën, ndërsa diskutonim dekretet e dekorimit të 65 viktimave të një masakre të urdhëruar nga Mehmet Shehu 73 vjet më parë, më bëri përshtypje reagimi i një shikuesi në Twitter. “Po viktimat e Gërdecit a do t’i shpallni martirë?”
Pyetja ishte e thjeshtë, ndoshta edhe naive. Por në fakt efektet e saj ishin disadimensionale. Një prej këtyre dimensioneve ishte se ajo mund t’i drejtohej nominalisht një prej të ftuarve, Petro Koçit. Petro Koçi me gjasë ka marrë pjesë në vizita e homazhe në shtëpitë e viktimave të këtij Krimi Shtetëror, por besoj kurrë nuk do ta kishte imagjinuar se si zëvendësministër i Mbrojtjes, në një proces gjyqësor civil për dëmshërblime, do të mbronte argumentin e Sali Berishës se Gërdeci ishte një aksident industrial. Gjithashtu askush nuk ka imagjinuar se atë që Petro Koçi thoshte dikur, Sali Berisha do ta përkrahte sot. Në fakt ish kryeministri e deklaroi këtë pak javë më parë, bile pa iu dridhur qerpiku: se Gërdeci ishte një krim shtetëror.
Ngjarja e Golemit të Lushnjës 73 vjet më parë, u rikthye në fokus, kur Presidenti Nishani e rihapi debatin duke kthyer 65 viktimat në martirë të demokracisë, në një akt të guximshëm që synoi rikthimin e debatin për të shkuarën komuniste sesa një akt bashkues si kryetar i shtetit. Pra Nishani ishte i ndërgjegjshëm se veproi më shumë si politikan sesa si shtetar.
Të njëjtën gjë ai pritet ta bëjë në fundjavë, kur pritet të dekorojë me medaljen Nderi i Kombit, 38 martirët e Kishës Katolike. Por edhe në këtë rast, Nishani nuk vepron si shtetar, por thjesht si një politkan i një krahu politik. Për arsye krejt të ndryshme nga ato për të cilat e akuzon maxhoranca e majtë.
Shqipëria është një vend ku janë kryer shumë krime shtetërore, por nuk kujtoj asnjë rast kur shteti të ketë marrë përgjegjësinë në një proces politik por edhe legal e gjyqësor. Që të marrë përsipër barrën historike, sociale por edhe financiare të krimeve që janë bërë në emër të tij. Rasti më tipik është ai i Gërdecit dhe rrokadës Berisha Koçi. Cka tregon më së miri se kur dikush vjen në pushtet, e konsideron shtetin pronë të tij të patjetërsueshme dhe të pandashme me shtetasit e thjeshtë. Megjithëse më pak, edhe rasti i Golemit ne 1943, është shembull tipik i sjelljes antishtetërore të dy krahëve të politikës: e majta nuk kërkoi kurrë ndjesë politikisht për të shkuarën e saj dhe nuk bëri asnjë hap konkret në këtë drejtim sa herë ka qënë në pushtet, ndërsa e djathta me një injorancë të theksuar etatiste, sa herë që ka qënë në pushtet, nuk e ka “detyruar” shtetin të kërkojë falje, nisur nga arroganca naive, se falje duhet të kërkojë e majta. Për të kuptuar më mirë se çfarë dua të them, po sjell rastin e kundërt për një ngjarje të njëjtë: sjelljen e Vatikanit për procesin e lumnimit të 38 martirëve të Kishës Katolike.
Kisha zhvilloi për këtë një proces të rreptë e serioz gjyqësor, që formalisht zgjati gati 15 vjet, por de facto nisi që në vitin 1993. Drejtuar nga dom Angelo Massafra, ky proces gjyqësor hetoi atë që nëse do ta kishim bërë në rastin e Golemit të Lushnjes, do të ishte konsideruar nga të gjithë një herezi: nëse të gjitha viktimat e Kishës Katolike, mund të konsideroheshin apo jo, martirë të saj. U morën dëshmi dhe dëshmitarë, u krahasuan dokumente. Nga Lumnimi u përjashtua patër Anton Arapi i cili u arrestua ndërsa lutej në Katedralën e Shkodrës. Kjo sepse u gjet se ai kishte mbajtur një qendrim të pastër politik dhe ishte identifikuar si kolaboracionist në Këshillin e Regjencës ngritur nga pushtuesit. Pra Kisha i bëri gjyq viktimave, dhe identifikoi mes tyre edhe Martirët. Por sot nuk ka një proces te shtetit shqiptar se kush ishin xhelatët apo urdhëruesit e tyre. Në fundjavë Nishani do t’u japë këtyre martirëve një nderim për ta të panevojshëm, pasi ata ndërkohë i nderon Vatikani, por edhe të pavlerë. Sa kohë që shteti shqiptar sot, i njeh këta Martirë të Kishës si fajtorë.
Unë e di që kjo nuk është e lehtë. Duhet një nisëm ligjore në parlament, procese të mirëfillta ligjore në gjykata. Kërkon mund, kohë dhe para, por shteti këtë duhet ta bëjë. Këtë gjë, dikush duhet ta nisë. Dhënia e disa dekoratave është thjesht një akti simplist, përtac i shtetit dhe fyes ndaj viktimave të krimeve të tij. Vetëm kështu debati për rishikimin, korigjimin dhe zbardhjen e të vërtetave të historisë, do të kishte kuptim. Vetëm duke ndëshkuar xhelatët, ose së paku kërkuar falje, shteti ynë do të vinte në vend nderin e të vrarëve, viktima, heronj apo martirë.
Sa kohë kjo nuk ndodh, sa herë gënjejmë familjarët duke i dhënë dekorata që të vetmen vlerë kanë se janë prodhim i Argjendari Pirros, ne fyejmë viktimat, por edhe shtetin të cilin e marrim në përdorim njëherë në katër vjet. Këtu nuk ka as drejtësi, as ndëshkim fajtorëve, as korigjim të historisë Eshtë thjesht një zhurmë më shumë në oborrin e shoqërisë sonë dhe vazhdim i bashkëjetesës me krimet, dhe mëkatet e kryera “në emër të popullit”.
Apo më keq: “Në emër të shtetit”.
Posaçërisht per Javanews.al