Nga Agim Vinca
Edhe dy fjalë për “Karrigen” e Roland Tashos, projekt i hartuar sipas logjikës së “realizmit socialist” në kohën kur realizmi socialist, ndjesë pastë, ka ndërruar jetë!
Ndaj shkrimit tim “Karrigia me një këmbë e letërsisë shqipe”, të botuar në gazetën “Dita” më 9 janar të këtij viti, reagoi autori i projektit “Karrigia e letërsisë shqipe”, fotografi Roland Tasho (“Dita”, 12 janar 2023).
Reagimi i tij me titull “Për karrigen që priti 22 vite” (e jo 22 vjet, siç do të duhej) më shumë se replikë ndaj shkrimit tim është një përpjekje për justifikim.
Në reagimin e zotit Tasho ka vetëm një fjali për mua, “poetin Agim Vinca”: “Ndaj, kur lexova shkrimin e poetit Agim Vinca, i cili kërkonte një karrige unifikuese, që të ishte shprehje e një hapësire ku autorët nga Shqipëria e Kosova rrinë bashkë, duke folur mbi çarjet kulturore të dy vendeve, ngela i befasuar që këtë ‘bashkim’ kulturor ai ia kërkon një fotografi, për një projekt tërësisht personal”. Kaq.
Fjalia sintaktikisht mezi qëndron në këmbë, por logjika është pikë e saj edhe më e dobët.
Mjeshtri i fotografisë habitet se si mund të kërkohet prej tij si fotograf të bëjë një album ku “autorët nga Shqipëria dhe Kosova (të) rrinë bashkë”, sepse fjala qenka për një projekt “tërësisht personal”! Kjo është për të qeshur dhe për të qarë. As fraza “nuk kam dashur të bëj antologji”, por, thjesht, një “projekt fotografik”, nuk mund të jetë alibi për një lëshim kapital si ky i Tashos: lënia jashtë e gjysmës së letërsisë shqipe. Preteksti nuk mund të jetë argument!
“Karrigia e letërsisë shqipe” e z. Tasho është një projekt i hartuar me konceptin e “realizmit socialist” dhe objektivisht duket jashtë kohës dhe hapësirës. Ai ka filluar gabimisht, ka vazhduar si i tillë dhe s’ka mundur të përfundojë ndryshe. Qasja e pjesshme letërsisë shqipe është recidiv i kohërave të kaluara kur “letërsi shqipe” quhej vetëm letërsia e krijuar brenda kufijve politikë të Shqipërisë, që do të thotë vetëm letërsia e “realizmit socialist”. Ka vdekur ajo kohë, por monstrat e saj jetojnë ende në kokat e (disa) njerëzve.
Dua të besoj se veprimet si ky e të tjera të ngjashme janë “produkte personale”, e jo pjesë e ndonjë strategjie politike a “kulturore” shtetërore.
Projektin e Tashos e paskësh promovuar, siç pohon vetë, Qendra Kombëtare e Kulturës dhe Librit, që financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, pra një institucion shtetëror. Nuk ua zë për të madhe që e kanë promovuar, qoftë edhe si akt bamirësie, por si s’u kujtua askush të thotë se kjo “karrige” ka një behane: është gjysmake! Do ta bënte këtë besoj, po të ishte gjallë, i madhi Dritëro Agolli, i cili në një nga poezitë e librit “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), shkruan: “Çdo sundimtar kur turmën mban me shpresë/ Parajsë e bën ndër sheshe Shqipërinë,/ Ndërsa parajsa s’ndahet në dy pjesë/ Siç ndahet Shqipëria shamizezë./ Kështu, ju them një mençuri të lashtë,/ Që gjyshi plak dikur në oxhak e gdhendi:/ “Nuk bëhet Shqipëria sot Parajsë/ Përderisa Kosova mbetet jashtë”.
Derisa poeti ngrihet kundër “parajsës gjysmake”, fotografit (të tij) i mjafton “karrigia gjysmake”. Sepse dikush dëshiron të jetë, vullnetarisht, bir i Shqipërisë “xhuxhe” e jo i “Shqipërisë së madhe”, sado që kjo e fundit s’është veçse pjellë e propagandës antishqiptare.
Zoti Tasho thotë se është njeri i pasionuar pas librave dhe leximeve, por si duket pak paskësh mësuar prej tyre.
Në pretencën e tij të shkretë, ai më quan mua “poet”: “shkrimi i poetit Agim Vinca”, thotë. Faleminderit. Kompliment! Por unë kam reaguar si studiues i letërsisë dhe si intelektual kritik e jo si njeri që shkruan vjersha pa çarë kokën për asgjë tjetër.
Nuk kam heshtur kur kultura shqiptare dhe shqiptarët si komb janë sulmuar nga të tjerët, veçanërisht në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, prandaj nuk mund t’i mbylli sytë as sot kur vetë shqiptarët e paraqesin veten në mënyrë të fragmentuar. Kjo është arsyeja që reagova publikisht për “projektin Tasho” dhe kurrfarë motivi a shtytje tjetër.
Ata që më njohin mua dhe punën time e dinë se nuk e kam për herë të parë, sepse unë nuk di të sillem ndryshe pos konform formimit tim intelektual e shpirtëror, kombëtar e njerëzor.
Rreth njëzet vjet më parë pata botuar në shtypin e Tiranës një shkrim me përmbajtje pak a shumë të ngjashme, që kishte të bënte me një libër në të cilin flitej për përkthimet e letërsisë frënge në gjuhën shqipe dhe ku nuk përmendej asnjë përkthyes nga Prishtina. Meqenëse autorin e njihja, para se ta botoja shkrimin ia dërgova për lexim. Përgjigjja e tij qe e shpejtë dhe korrekte: “Ju keni plotësisht të drejtë dhe mund ta botoni në cilëndo gazetë”, duke shtuar se mospërfshirja e veprave të përkthyera në Prishtinë kishte ndodhur për “mungesë informacioni” e jo për ndonjë arsye tjetër. (Fjala është për librin “Pro translatore. Shënime kritike për përkthyesin dhe përkthimin” të Edmond Tupes, botuar në vitin 2003 në Tiranë, ndërsa shkrimi im me titull “Logjika e gjysmës” mund të lexohet në librin tim “Fije të pakëputura. Sprova letrare dhe kulturore”, botuar në Shkup në vitin 2004).
Nuk mund të presim nga gjithkush të ketë madhështinë shpirtërore të Dritëroit, e as kulturën letrare të Tupes, por kemi të drejtë të kërkojmë ta pranojë gabimin, kur shihet ashiqare se ka shkelur në dërrasë të kalbur.
Më vjen keq që albumi i zotit Tasho paskësh pritur aq gjatë për t’u bërë publik (plot 22 vjet), por habitem se si autori i tij gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka reflektuar për qasjen e tij të gabuar, duke mos e drejtuar fokusin, qoftë edhe një herë të vetme, jashtë ”sinorit shtetëror”. As pas vitit 1999, kur Kosova u bë problem botëror, nuk u kujtua ta ndryshonte pak projektin e tij, duke i bërë një retush të vogël! Familjet shqiptare i hapën dyert për vëllezërit nga Kosova të dëbuar nga vatrat e tyre, kurse objektivi i z. Tasho vazhdoi të mbetej i mbyllur për vëllezërit e penës këtej Morinit dhe Qafëthanës.
Siç theksova edhe në shkrimin e parë (“Dita”, 9-10 janar), zotin Roland Tasho nuk e njoh dhe nuk kam asgjë personale me të. Por edhe po ta kisha mik nuk do të isha pajtuar me konceptin e tij të ngushtë për letërsinë shqipe, fosile e mendësisë së kaluar, nga e cila zoti Tasho duket (nuk e di pse) nuk ka arritur të shkëputet si njeri dhe si krijues.
Nga CV-ja e zotit Tasho mësoj se ai është autor i shumë projekteve nga fusha e fotografisë artistike. Uroj që të vazhdojë me projekte të tilla edhe në të ardhmen, por me një sugjerim miqësor: “Dil nga korniza shtetërore në hapësirën mbarëkombëtare! Je vonuar shumë për të dalë nga kjo kornizë e ngushtë, por, si i thonë një fjale, më mirë vonë se kurrë”. /DITA/