• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, May 6, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

Kultura jonë evropiane

by
31/08/2015 13:28
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Erion Hiluku/

Sipas disa intelektualëve, politikanëve sidomos, e të tjerëve përfaqësues me kredenciale ose jo, dhe të një mikut tim të shquar, ne jemi një popull me kulturë të gjerë evropiane, padiskutim. Sipas këtij të fundit, që mund të jetë edhe miku juaj, neve nuk na mungon gjë në këtë drejtim. Madje tani që kemi akses në kulturën evropiane nëpërmjet internetit, ku qenkemi përdorues intensivë, jemi pjesë e një bote globale dhe jemi në lartësinë e qytetërimeve moderne. Nuk po mendoj të argumentoj të kundërtën sepse zakonisht këtyre iu jap të drejtë, por po mendoj se si ta shtizoj ndërgjegjen e lexuesit tim që të mund ta dërgoj atë në kërkim të kohës së humbur dhe të mos më kalojë pa filtruar direkt në Facebook.
Pikërisht në këto isha kur më erdhi në mendje një histori e hershme evropiane që fillon me personin që lexoi për herë të parë pa i lëvizur buzët dhe shpjegoi se si, dhe ishte Shën Ambrozi, të cilit i detyrohemi edhe shpikje të tjera jo më pak të rëndësishme për njerëzimin. Shën Ambrozi qe edhe mësuesi e miku i një prej njerëzve që më shumë gjurmë ka lënë në historinë e Evropës me jetën dhe veprën e tij: Rrëfimet e Shën Agustinit. Si parantezë, nëse nuk e keni lexuar akoma, ju rekomandoj ta lexoni pa humbur kohë, sepse duke qenë një nga majat e gjenialitetit njerëzor mund të ndryshojë jetën tuaj, sigurisht nëse ju a mban të rrezikoni.
Kështu një ditë, Shën Agustini meqë kish rënë në pikë të hallit dhe nuk dinte çfarë të bënte me jetën e tij, shkoi në Milano të mësonte dhe të këshillohej nga Shën Ambrozi. Përveç mikut tonë të shquar i cili nëse ka arritur deri këtu tani do të jetë duke vjellur, të tjerëve na intereson të dimë, kush ishte Agustini? Përshkruhet si njeri i përdalë dhe i shthurur përtej imagjinatës njerëzore. I pajisur me një inteligjencë të jashtëzakonshme, i privilegjuar nga memoria dhe mundësitë ekonomike, gëzonte deri në ekstrem kënaqësitë tokësore, por gëzonte gjithashtu edhe kënaqësinë mendore si leximin e Platonit dhe Virgjilit. Në të vërtetë ai kërkonte nga jeta më shumë: përtej kënaqësive asnjëherë të mjaftueshme tokësore, përtej ekselencës si shkrimtar apo si mendimtar, kërkonte diçka që t’i mbushte shpirtin. Dhe kështu i drobitur, pa mundur ta durojë dhimbjen gërryese e boshllëkun e jetës së tij shtrihet diku në një cep të oborrit të mikut të tij të famshëm dhe mbase duke ëndërruar, apo vërtet disa fëmijë apo engjëj luanin atje një lojë interesante në të cilën hapnin një libër dhe rastësisht zgjidhnin një fjali që mund të ishte guida e jetës së tyre, si të thuash për gjithë jetën. Kështu dëgjon në kokën e tij një këngë fëmijësh që thotë: tolle et lege, tolle et lege (merr e lexo, merr e lexo). Menjëherë ai hap librin që kishte me vete dhe rastësisht vë gishtin në një fjali të tij. Në këtë lexim ai zbuloi nevojën e menjëhershme të ndryshimit të jetës së tij, nevojën e pendesës, nevojën e shkëputjes së varësisë nga të mirat materiale pra nevojën e revolucionit të plotë të ekzistencës së tij. Në këtë moment Shën Agustini e zbuloi kuptimin e jetës së tij dhe rrugën që do të ndiqte. Në njëfarë mënyre zbuloi edhe profesionin e tij, fjalë që e ka prejardhjen nga “fe” ose besim në shqipen tonë. Në duar kishte “Epistolat” e Shën Palit, për të cilin dimë gjithashtu se ka ungjillizuar edhe pari Atdheun tonë siç e dëshmon në shkrimet e tij. Kështu libri i duhur mund të jetë edhe mësuesi përfundimtar, mësuesi që iu ka mbijetuar shekujve apo që të flet nga përjetësia.
Në vorbullën e globalizimit dhe të informacionit pa kufi, ku sasia mbretëron në vend të cilësisë, jemi edhe ne, banorët e Shqipërisë. Trokisni në Shën Internet dhe do të gjeni. Por mbase do të gjeni atë që dikush tjetër dëshiron të dini. A e dini se çfarë po kërkoni? Se pas qindra informacioneve të detajuara nga jetët e të tjerëve, kush u lag dhe si u zh/vesh, qëndron dikush. Ju mund të pyesni dhe përgjigjet standarte e qetësojnë kuriozitetin tuaj. Kush i dizenjon informacionet që lexojmë në smartfonët tonë? Gjithçka shkon për bukuri, shpejt, madje gjen përgjigjet para pyetjeve, gjen atë që ke nevojë, për një moment. Dhe kështu na ofrohet të “lexojmë” atë që dikush dëshiron, ashtu si duhet, për një qëllim të caktuar. Dhe këmbëngul, e të del në çdo cep deri sa ta “pëlqesh”, ta shohësh, apo ta blesh. E kanë të qartë se janë të domosdoshëm, e dinë se do të lexohen, se ndikojnë në jetën e lexuesve, se këta të fundit do t’i konsultojnë për gjithçka, dhe se vendimet e masave të fjetura e të budallepsura ndikohen nga ata, zotët e internetit, zotët e botës virtuale, prej së cilës nxjerrin miliona reale. I gjithë ky sistem sugjerimesh idiote më kujton vitet e agonisë së sistemit të shkuar, kur në shkollë më thonin: këtë duhet të lexosh, dhe bibliotekari besnik i sistemit, si antivirus i aktualizuar, nuk pranonte të lëshonte libër tjetër.
Historia është ironike dhe gjen shesh e bën përshesh. Shqipëria nuk lexon, miqtë e mi, prandaj as nuk kupton se çfarë po ndodh, as nga vjen dhe as ku po shkon. Më në fund mund të shkruajmë çfarë të duam por duke rrezikuar sëmundjen bashkëkohore të shkrimtarëve, depresionin nga frika se gjithçka shkruajmë bie në vrimat e zeza. Sistemi i ri duron gjithçka, e djeg apo e tymos, ndërsa pushteti është komplet indiferent. Mund të tallesh me pushtetin, të shkruash dhe të denoncosh çtë duash, të bësh me dije fatkeqësi, histori dramatike, se tragjikja është jashtë mode, dhe të gjithë do të mbeten indiferentë.
E vërteta është se për të mos rënë viktimë e manipulimeve masive globale është e domosdoshme të disponojmë kulturën e duhur. Talentet edukohen dhe formohen, as lindin e as zbulohen nëpërmjet faqeve të internetit, të mos gënjejmë veten. Ajo që na japin si “fast culture” (kulturë e shpejtë), s’është gjë tjetër veç silazh i marinuar mirë, por që mbetet byk i lagur për bagëtitë.
Në fund, kjo është e bukura e bibliotekave, mjafton të shkundësh pluhurin dhe menjëherë do kuptosh problemin e madh që i ke hapur vetes: libri nxjerr librin. Vitet do të ikin gjithsesi dhe njeriu e kupton lidhjen ndërmjet dëshirës së tij dhe realitetit, dhe fletë pas flete duke i shijuar si qershitë që tërheqin njëra tjetrën, e ndjen lidhjen e tyre në shekuj, në mendimet dhe përvojat e të tjerëve. Në këtë mënyrë më vonë e kupton se të gjitha historitë janë të lidhura dhe se bota është aq e vogël, dhe se diku ka hapur librin e duhur dhe se diku tjetër kur ka zgjedhur mbante në dorë librin e gabuar. Dikush tjetër që ndjek rastësinë si zgjidhje, që nuk ka mundësinë ose nuk ka hapur një libër, gjendet me zgjidhjen e propozuar nga të tjerët të cilët janë shumë të shqetësuar që zgjedhja e tij të jetë e duhura, që ai të jetë i lumtur sipas parametrave të tyre.
Problemi është se Shën Interneti është akoma i ri në moshë, prandaj vetëm pranon pyetje, pa mundur të pyesë, ndërkohë “Rrëfimet e Shën Agustinit” është 1700 vjeç dhe i bën të dyja.

Next Post

Shkrimtarët e habitshëm: Pse nuk ka tabu në librat për fëmijë në Skandinavi

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Netanyahu kërkon sqarime nga ekipi i Trump për negociatat SHBA–Iran

Netanyahu kërkon sqarime nga ekipi i Trump për negociatat SHBA–Iran

May 6, 2026
“Revanshi”/ GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për 6 persona

“Revanshi”/ GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për 6 persona

May 6, 2026
Bisedimet SHBA-Iran të bllokuara/ Trump: Incidenti në Washington s’do të na pengojë të fitojmë luftën

Donald Trump ultimatum Iranit: Pranoni marrëveshjen, ose do përballeni me bombardime të papara

May 6, 2026
Me lëkurët e vjetra nuk bën dot këpucë të reja

Me lëkurët e vjetra nuk bën dot këpucë të reja

May 6, 2026
Vlerësimi i DASH për Dumanin, Spartak Ngjela: Nder i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët

Ngjela: Ka grupime kundër Berishës në PD, synohet rrëzimi i tij në Kongres

May 6, 2026
“Albania is calling”/ Trendi i ri në rrjete sociale, ftesë turistëve për të vizituar Shqipërinë

Tatimet, plan për uljen e informalitetit në turizëm! Rriten kontrollet për të ardhurat dhe punonjësit

May 6, 2026
Këmbim valutor pa licencë, procedohen tre pronarët në Tiranë, sekuestrohen miliona…

Këmbim valutor pa licencë, procedohen tre pronarët në Tiranë, sekuestrohen miliona…

May 6, 2026
Përplasja brenda PD-së, Salianji sulmon ashpër Nokën: Të veshëm me fustan që të futeshe në burg…

Përplasja brenda PD-së, Salianji sulmon ashpër Nokën: Të veshëm me fustan që të futeshe në burg…

May 6, 2026
Klubi grek në pronësi të shqiptarëve? Përmendet edhe Andi Lila

Klubi grek në pronësi të shqiptarëve? Përmendet edhe Andi Lila

May 6, 2026
 Irani konfirmon se ka marrë planin me 15 pika nga SHBA: I paarsyeshëm dhe çorientues

Eksperti bërthamor: Lufta ka qenë e kotë, kërcënimi iranian mbetet i pandryshuar

May 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In