Zbardhen të tjera detaje për 34-vjeçarin Indrit Ndoji i cili u gjet i vrarë dhe i hedhur në një kanal në anë të rrugës në Fushë Krujë të premten.
Sipas burimeve të gazetares, dyshohet se autorët e vrasjes nuk kanë dashur që ta vrisnin 34-vjeçarin, por kanë synuar që t’i bënin presion duke e qëlluar me armë ose mjet prerës në këmbë.
Kjo për shkak se ndoshta ata kërkonin të merrnin informacion nga 34-vjeçari Ndoji për një çështje të caktuar. Por goditja preku aortën dhe Indrit Ndoji humbi jetën për shkak të hemorragjisë.
Gjatë gjithë ditës së enjte, Indrit Ndoji ka qenë në një lokal pranë mbikalimit të Fushë-Krujës dhe më vonë gjatë ditës në një tjetër lokal në aksin Krujë-Milot.
Lëvizjet e 34-vjeçarit janë filmuar nga kamerat dhe në këto lokale ai ka konsumuar alkool.
Dyshohet se gjatë kohës kur u qëllua me armë, Indrit Ndoji të ketë qenë nën efektin e alkoolit.
Viktima ka qenë i skeduar 1 vit më parë për trafik klandestinësh, ndërsa sipas informacioneve të gazetares në rrugë operative, ka dyshime që Indrit Ndoji të ketë qenë i përfshirë në kultivim dhe trafikim kanabisi.
34-vjeçari u gjet i hedhur në një kanal në anë të rrugës në Fushë Krujë të premten pranë banesës së prindërve të tij. Ai kishte një plagë në këmbë që i shkaktoi dhe vdekjen.











